×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Në Tiranë u mbajt takimi poetik “Poezia bashkëkohore arbëreshe”

    Insajderi
    24 May 2023 - 22:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me Teatrin Metropol dhe me dy shkollat e mesme të Tiranës: “Ismail Qemali” dhe “Qemal Stafa” sollën sot, në sallën “Shekspir”, takimin poetik: “Poezia bashkëkohore arbëreshe”.

    Interpretimet e nxënësve u ndoqën me kërshëri dhe u përcollën me duartrokitje të forta prej të pranishmëve të shumtë në sallë, të cilët ishin kryesisht studiues, mësues dhe nxënës prej të dyja shkollave pjesëmarrëse.

    Aktiviteti pati në fokus poezinë bashkëkohore arbëreshe, ku ishin përzgjedhur për interpretim poezi prej 22 poetëve më të rëndësishëm të arealit arbëresh, të periudhës prej luftës së dytë botërore deri në ditët e sotme. Përmes interpretimit të gjimnazistëve, këto poetë erdhën në atdheun e të parëve me kumtin e fjalës së tyre artistike.

    Vënia në skenë e këtyre poezive, ishte faza përmbyllëse e projektit të nisur tre muaj më parë në këto dy shkolla të kryeqytetit. Në fazën e parë të projektit, u zhvilluan leksione të hapura mbi kulturën arbëreshe, të cilat ndikuan në informimin e mëtejshëm të nxënësve mbi këtë letërsi dhe tashmë, vetë nxënësit u bënë protagonistë duke sjellë atmosferën poetike të emrave më të spikatur të poezisë arbëreshe.

    Aktivitet u realizua në vijim të misionit që ka Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët për ruajtjen dhe promovimin e kulturës arbëreshe. Ky është viti i dytë që kjo Qendër organizon veprimtari edukativo-kulturore që afrojnë botën arbëreshe më pranë të rinjve shqiptarë. Pas bashkëpunimit me Liceun artistik “Jordan Misja”, ku nxënësit e artit pamor të kësaj shkolle sollën krijimet e tyre në pikturë dhe grafikë mbi baladat arbëreshe, erdhi ky bashkëpunim me dy shkolla të tjera të kryeqytetit, që shpalos një tjetër faqe të ndritur të kulturës arbëreshe, pikërisht vijimin e traditës poetike edhe pas gjashtë shekujsh.

    Pas shfaqjes artistike, të pranishmit janë përshëndetur nga stafi realizues i kësaj veprimtarie. Fillimisht, fjalën e mori studiuesja e QSPA, Jolanda Lila, e cila në cilësinë e koordinatores së këtij projekti, përgëzoi të rinjtë për përkushtimin dhe pasionin e treguar në interpretimin e poezisë arbëreshe dhe falënderoi për bashkëpunimin dy mësueset e letërsisë, Irma Hamatajn nga shkolla e mesme “Ismail Qemali” në Tiranë dhe Alma Piren nga shkolla e mesme “Qemal Stafa” po në këtë qytet. Të dy mësueset e letërsisë, gjatë fjalës së tyre, e kanë konsideruar si një përvojë mjaft të veçantë këtë bashkëpunim dhe kanë theksuar rëndësinë e edukimit përmes artit, si një nga format më tërheqëse për të rinjtë.

    Në fund të takimit, fjalën e mori drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, prof. Diana Kastrati, e cila pasi bëri një sintetizim të të gjitha etapave të punës për realizimin e këtij projekti, theksoi se QSPA do ta shtrijë këtë projekt edhe në shkolla të tjera shqiptare.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark