×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Nga dështimi i madh në Amerikë deri tek ‘rrezitja’ në Greqi – për një vit e gjysmë në pushtet, Kurti qëndroi për rreth 60 ditë jashtë vendit

    Insajderi
    16 July 2022 - 13:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Për një vit e gjysmë në pushtet, Albin Kurti, ka qëndruar për rreth tetë javë jashtë vendit. Ai do të mbahet mend për vizitën e tij 3 javëshë në SHBA, ditë në të cilat nuk e takoi asnjë zyrtar të rëndësishëm amerikan, dhe për ditët e tij në Greqi, për të cilat opozita tha se “i kaloi duke u rrezitur”.

    Gazeta Insajderi

    “Me fjalë të tjera, ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë”, tha kryeministri Albin Kurti një ditë pas u kthy nga Greqia, në seancën ku u votua në lexim të parë Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Nuk dihet me siguri nëse i pari i ekzekutivit është rrezitur në ishillin Symi, por ajo çfarë dihet është se së paku mbrojtja e tij e afërt e ka shijuar ujin dhe luksin – gjatë qëndrimit mbi 10 ditë në bregdetin grek, shkruan Gazeta Insajderi.

    Shefi i qeverisë bashkë me stafin e tij udhëtuan për në Greqi më 5 korrik, për të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë.

    Kjo tryezë, e 26-ta me radhë, është organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.

    Kryeministri atje e takoi edhe kryediplomatin grek Nikos Dendias, me të cilin biseduan për perspektivën evropiane të Kosovës, dhe nevojën për liberalizim të vizave, si proces “tashmë i vonuar”.

    Për çështjen e vizave Kurti në Greqi foli edhe me ministrin e Jashtëm të Qipros, Ioannis Kasoulides, i cili konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për liberalizimin e vizave për kosovarët.

    Përpos vizave, në Greqi u diskutua edhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi. Gjatë punimeve në Symi Symposium kryeministri i Republikës takoi përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    “Për këtë, kemi edhe Rezolutën e Parlamentit Evropian, të miratuar pak ditë më parë, ku bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje bazuar në njohje reciproke”, tha kryeministri, shkruan Gazeta Insajderi.

    Shpenzimet e akomodimit janë mbuluar nga organizatori këtë rast nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, sipas Përparim Kryeziut, zëdhënësit të Qeverisë.

    “Sivjet është viti i pestë me radhë që kryeministri Kurti merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku të pranishëm janë politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota. Sikur herave të kaluara edhe këtë vit shpenzimet e akomodimit mbulohen nga organizatori”.

    Vizita e Kurtit në Britani të Madhe

    Më 6 qershor, kryeministri i vendit kishte marrë rrugë për në Britani të Madhe, ku e kishte mbajtur një fjalë rasti në Oksford Union.

    Një ditë më pas ai ishte ftuar sot si mysafir në serinë e diskutimeve të organizuara në Universitetin Cambridge.

    “Unë besoj që Kosova është histori e dyfishtë suksesi: së pari, histori suksesi e ndërhyrjes së NATO-s, qëndresës dhe luftës çlirimtare të popullit, dhe së dyti, jemi duke lulëzuar ekonomikisht, tha kryeministri, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.

    Më pas, në kuadër të vizitës zyrtare në Britani të Madhe, Kurti e takoi Sekretaren britanike për Punë të Jashtme, Liz Truss.

    Ajo tha se Qeveria Britanike e konsideron Republikën e Kosovës si aleate shumë të rëndësishme në rajon.

    Kryeministri më tej u prit edhe nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.

    Kryeministri ju falënderua ministrit Heappey për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat: të çlirimit, të rindërtimit, të pavarësimit, të zhvillimit e të demokratizimit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ditët e para të qershorit e gjetën Kurtin në Sllovaki

    Në fillim të qershorit kryeminsitri Kurti mori pjesë në Forumin e Bratisllavës GLOBSEC 2022.

    Ai atje takoi ministren e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen

    Duke e uruar për aplikimin e Finlandës në NATO, kryeministri i ka shprehur ministres Tuppurainen mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen që po ia jep Kosovës për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më 3 qershor shefi i qeverisë kosovare e takoi kryediplomatin e Sllovakisë, Ivan Korçok, të cilin e njoftoi për progresin në vitin e parë të qeverisjes, siç tha ai për përmirësimin e indikatorëve ekonomikë dhe të atyre demokratikë, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

    Ja ku do të qëndroi Kurti nga 22 deri më 26 maj

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në “World Economic Forum”, i cili është mbajtur në Zvicër.

    Ai atje e ka takuar zëvendëspresidentin e Zvicrës, Alain Berset, i cili tha se “Republika e Kosovës është shtet prioritar për Konfederatën Zvicerane”.

    Gjatë qëndrimit katër ditor në vendin e çokollatave, Kurti takoi edhe një prodhues të tyre, dhe disa ndërmarrës të tjerë, shkruan Gazeta Insajderi.

    3 javë nëpër Amerikë, pse KRYEMINISTRI shkoi atje?

    Për herë të parë një kryeministër i Kosovës, nuk u prit në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, kjo i ndodhi kryeministrit aktual Albin Kurti, ani pse në Amerikë qëndroi gati një muaj. Jo që nuk u prit nga Joe Biden, e Kamala Harris por ai nuk arriti të shënoj ndonjë takim të rëndësishëm as me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit.

    Rrugëtimet kot së koti, poshtë e lartë i kanë dhënë shkas popullit të Kosovës, që ta thurrë një anekdotë lidhur me vizitën e dështuar të kryeministit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Është andektoda për Adem Pejën.

    “Shko e eja si Adem Peja”, zakonishte përdoret si thënie popullore për të përshkruar rrugëtimet e dështuara.

    Kjo thënie popullore është me adekuatja për ta përshkruar vizitën e Kurtit në SHBA. Ai nuk arriti dot as të futet në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nuk arriti të këtë takim me presidentin Joe Biden. Kurti nuk arriti të ketë takim as me zevendes presidenten Kamala Harris, madje nuk arriti ta takoj as sekretarin Antony Blinken.

    Takimin më të rëndësishëm i pari i Qeverisë arriti ta realizoj me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan.

    Megjithë këtë, shefi i ekzekutivit është vënë në qendër të kritikave pasi që përveç që nuk arriti të futet në Shtëpinë e Bardhë as pas një viti në krye të qeverisë, ai nuk arriti as të takoj zyrtarë të lartë të shtetit më të fuqishëm në botë.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë parteneri kryesor i Kosovës, në të gjitha proceset shtetndërtuese. Vizitat zyrtare të liderëve e politikanëve kosovarë në ShBA janë ndër më kryesoret. 

    Për herë të parë një kryeministrit i Kosovës, qëndroi më shumë se tri javë në Amerikë, duke shënuar takime të rëndësishme thuajse vetëm me diasporën shqiptare atje.

    Kurti udhëtimin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishte nisur më 6 maj.

    Vetë ai, kur kishte njoftuar për rrugën drejt kontinentit amerikan, kishte treguar se do të qëndronte më gjatë se sa në Europë.

    “Sa i përket vizitës në SHBA, besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike, sepse nuk mund të shkojë për tri ditë atje. Dua të shkoj për 10 ditë ose dy javë, sepse është edhe një shtet më i madh. Jo vetëm që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Pra, do të shkoj e do të qëndroj më gjatë se sa në vendet e Bashkimit Evropian”, kishte thënë kryeministri, më 9 mars, transmeton Gazeta Insajderi.

    Çfarë bëri Kurti saktësisht gjatë tri javëve në SHBA?

    6 maj 2022, Uashington: Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me të mbërritur në San Francisco, e ka vizituar kompaninë e njohur LinkedIn. Kurti e ka njoftuar bordin drejtues të kësaj platforme online, se Kosova është vend i mirë për të investuar kompanitë amerikane.

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takimet i vazhdoi me drejtues të kompanisë së mirënjohur Uber, kompani kjo me të hyra vjetore prej 5.8 miliardë dollarë, operon në mbi 70 shtete dhe mbi 10 mijë qytete anembanë botës.

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me përfaqësues të kompanisë Airbnb, kompani e cila është formuar në vitin 2007 dhe tashmë numëron mbi 14 mijë punëtorë. Vitin e kaluar, të hyrat e saj vjetore ishin 5.9 miliardë dollarë.

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka përmbyllur vizitën në qendrën botërore të teknologjisë së informacionit, Silicon Valley, me një vizitë në kampusin e gjigandit të teknologjisë së informacionit, Microsoft. Gjatë vizitës ai është pritur nga ekspertët e teknologjisë në Microsoft, Murali Sitaram dhe Shawn Villaron, të cilët e kanë njoftuar kryeministrin për historikun e zhvillimit dhe funksionimin e korporatës multinacionale që merret me prodhimin e softuerëve të kompjuterëve, laptopëve, pajisjeve të tjera elektronike dhe ofron shërbime që lidhen me to. Të ardhurat e kësaj kompanie në vitin 2021 arritën vlerën prej 168 miliardë dollarësh.

    Ajo çka do të mbahet mend nga Kurti në Amerikë do të jenë takimet me diasporën shqiptare, dhe disa takime me senatorë, përpos vizitatve nëpër disa kompani amerikane.

    Vizita e kryeministrit Kurti është cilësuar si më e dështuara që i ka ndodhur ndonjëherë Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vizita e Kurtit në SHBA i kushtoi Kosovës afro 37 mijë euro

    Gati 37 mijë euro kanë qenë shpenzimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kabinetin e tij prej pesë zyrtarësh tjerë, kanë bërë në vizitën zyrtare prej 16 ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në maj.

    Së bashku me pesë anëtarë të stafit të tij, Kurti ka shpenzuar 36 mijë e 722 euro e 47 centë për vizitën nga 6 deri më 22 maj.

    Veç kreu i Qeverisë, gjithsej ka shpenzuar 9 mijë e 304 euro e 80 centë, prej tyre 4 mijë e 853 euro e 68 centë për akomodim, 4 mijë e 279 euro për bileta e 172 euro e 12 centë shpenzime të tjera, detaje për të cilat nuk janë dhënë.

    Më shumë se Kurti, shkaku i mëditjes së marrë, janë regjistruar shpenzime në emrin e shefit të stafit, Luan Dalipi. 9 mijë e 480 euro e 94 centë është gjithsej shuma e shpenzuar nga ai. Sipas të dhënave të siguruara përmes qasjes në dokumente zyrtare, Dalipi ka shpenzuar 4 mijë e 770 euro e 97 centë për akomodim, 2 mijë e 984 euro e 75 centë për biletë e 1 mijë e 617 euro për mëditje e 108 euro e 22 centë shpenzime të tjetra.

    Por mëditje me shumë se sa shefi i stafit, ka marrë fotografi Patrik Domi. Totali i shpenzimeve të Domit kalon shumën prej 9 mijë e 413 euro. Prej tyre 4 mijë e 324 euro e 67 centë për akomodim, 3 mijë e 47 euro e 95 centë për biletë e 1 mijë e 963 euro e 50 centë për mëditje.

    8 mijë e 523 euro e 34 centë të tjera janë shpenzuar nga tre këshilltarët e tjerë të Kurtit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vizita e kryeministrit në Gjermani

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 4 maj, kishte udhëtuar për në Berlin, Gjermani. Atje kishte takuar kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.

    Nga Kancelari kërkoi që Gjermania të shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai theksoi se Pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, duke përfshirë edhe 5 vendet nga Bashkimi Evropian.

    Kryeministri pati thënë tha se Qeveria e mbështetë Procesin e Berlinit dhe e mirëpret përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re.

    Kancelari Scholz kishte deklaruar se Gjermania ka vendosur të ringjallë Procesin e Berlinit. Ai pati bër të ditur se në pjesën e dytë të vitit do të organizojnë një konferencë për, siç u shpreh ai, që të lëvizim, të ecim tutje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurti atje takoi edhe ministren e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

    Ministrja atë ditë vlerësoi mbështetjen e Kosovës dhe pozicionimin me Bashkimin Evropian, duke vendosur sanksione kundër Rusisë dhe gatishmërinë për strehim të refugjatëve nga Ukraina.

    Pas takimit me Kancelarin Scholz dhe kryediplomaten Baerbock, Kurti, pati marrë pjesë në darkën e organizuar nga Kancelaria gjermane, në Pallatin Borsig.

    Aty ishte edhe i dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Gjatë takimit, Kryeministri Kurti pati ritheksuar qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke.
    Ndërsa, pas përfundimit të takimit, kryeministri Kurti deklaroi se qëndrimet e presidentit të fqinjit verior të Republikës së Kosovës janë të vjetra dhe se nuk ka distancim nga Millosheviqi dhe nga Putini.

    Nga 7 deri më 9 prill, Kurti mori pjesë në Forumin e Delfit

    Më 7 prill, kryministri kishte udhëtuar për në Greqi për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Delphi.

    Gjatë qëndrimit të tij atje, Kurti kishte zhvilluar takime zyrtare me përfaqësues të ndryshëm, në mesin e të cilëve ishin: Kryetari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, Kryeshefi Ekzekutiv i Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë (IFSWF), Duncan Bonfield, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

    Po ashtu takoi Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kryeministrin e Greqisë, Bullgarisë, dhe të tjerë.

    Ndërkohë, përgjatë vitit 2021, prej kur Kryeministri e mori postin në mars, ai ka zhvilluar edhe disa vizita zyrtare, një ose dy ditore si në: Shqipëri me rastin e 28 nëntorit, në Austri ku qëndroi për dy ditë, në Farancë, vend ky ku mori pjesë në Forimin e Paqes, në Maqedoni, Slloveni, Kroaci etj./Gazeta Insajderi/

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark