×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Nis protesta e serbëve në Mitrovicën Veriore

    Insajderi
    23 November 2022 - 15:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lista Serbe ka nisur tubimin në pjesën veriore të Mitrovicës.

    Shumë njerëz janë mbledhur në shesh sidomos gra, pas thirrjes që u ka bërë Lista Serbe, pas takimit që kishte këtë mëngjes me Aleksandar Vuçiq.

    Suspendimi i drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, regjistrimi i automjeteve me targa RKS, si dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë vetëm disa nga shqetësimet që u përmendën gjatë kësaj proteste.

    Protestueset përveç flamujve të Serbisë, në duar mbanin pankarta të ndryshme ndërkohë që dominonte ajo me mbishkrimin “Nënat e Kosovës kundër getos së Kurtit”.

    Gordana Saviq, ish-këshilltare e Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, tha se janë mbledhur sot këtu për t’i thënë “mjaft më terrorit të Kurtit”. Ajo theksoi se nuk është e drejtë që mjekët të arrestohen vetëm se kanë dashur t’i ndihmojnë qytetarët me vaksina.

    Ndryshe, kryetari i Listës serbe Goran Rakiq, gjatë një konference të jashtëzakonshme të kësaj partie të mbajtur dje në veri të Mitrovicës, ka paralajmëruar për ditët në vijim protesta të serbëve në të gjitha institucionet, si në shkolla, spitale, miniera etj.

    Para nisjes së protestës kryesore, serbë në pjesë të tjera të Kosovës si në Shtërpcë dhe Graçanicës kanë protestuar në mbështetje të bashkëkombësve të tyre në veri.

    Pas paralajmërimit për protestë nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se po angazhohen për ruajtjen e sigurisë. Sipas tyre tashmë janë bërë planifikimet operacionale.

    “Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës”, njoftoj policia.

    Bazuar në informacionet dhe paralajmërimet për mbajtjen e protestave/tubimeve për sot, në disa komuna me komunitet serb, Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale.

    Plani operacional i PK-së parasheh ndërmarrjen e masave operative policore, për t’u siguruar se mbarëvajtja e protestave/tubimeve të kalojë e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark