×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Një muaj pas vërshimeve- Qeveria i la në “baltë” komunat, ende asnjë ndihmë

    Insajderi
    21 February 2023 - 16:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Vërshimet e mëdha që goditën para një muaji disa komuna të Kosovës kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Komuna e Skenderajt, Mitrovicës, Istogut dhe Klinës ishin ndër me të prekurat. Edhe pas një muaji Qeveria nuk ka ndarë asnjë “cent” për t’i ndihmuar zonat e prekura, shkruan Insajderi.

    Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se do t’i dilte në ndihmë komunave të prekura nga vërshimet.

    Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku ka pasur vërshime, duke i ndihmuar e mbështetur“, kishte thënë Kurti.

    Por, edhe pse kanë kaluar mbi një muaj deri me tani nuk është dhënë ndonjë ndihmë financiare.

    Ndërkohë kryetarët e këtyre komunave kanë deklaruar se nuk kanë mundësi që t’i dalin ballë dëmeve pa ndihmën e Qeverisë.

    Komunat në pritje të Qeverisë

    Një ndër komunat me të prekura është ajo e Skenderajt. Atje janë shkaktuar mbi 12 milionë dëme materiale.

    Këto vërshime ishin konsideruar si më të vështirat pas përjetimeve të pasluftës që ka pasur kjo komunë.

    Kryetari i Komunës se Skenderajt, Fadil Nura ka treguar për Insajderin se janë në pritje të ndihmave nga Qeveria.

    Jo nuk kemi pasur deri tash ndihmë nga Qeveria, dje kemi dorëzuar raportin përfundimtar. Nuk kemi pasur thirrje dhe veprime konkrete nga Qeveri. Jemi ende në pritje”, tha Nura për Insajderin.

    Kryetari Nura ka bërë të ditur se 372 familje janë prekur nga përmbytjet e 19 janar.

    Mbi 10 milionë euro po vlerësohet të jetë dëmi i shkaktuar pas vërshimeve në Mitrovicë të Jugut. Kryetari i kësaj komune, Bedri Hamza i tha Insajderit se po ashtu nuk kanë marrur ndihmë nga Qeveria.

    Deri në këto momente nuk kemi pranuar ndonjë njoftim për ndarjen e fondeve nga Qeveria. Nuk kemi pranuar asnjë ndihmë finanicare nga Qeveria”, pohoi Hamza.

    Vërshimet e janarit gjunjëzuan edhe Klinën. Por, para kësaj kjo komunë, me 8 dhjetor kishte pësuar dëme po ashtu nga vërshimet në vlerë mbi 600 mije euro. Qeveria nuk i doli në ndihmë në asnjërin rast.

    Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj tha se raportin për dëme e kanë dërguar tashmë dhe janë duke pritur për përgjigje.

    Nuk kemi pasur ende, e kemi hartuar raportin. Ne nuk jemi kompenzu as për dëmet e 6 dhjetorit ku që kanë qenë rreth 300 mijë euro. Ndërsa tash nga vërshimet e janarit janë dëmet mbi 4 milionë euro dhe jemi në pritje të ndihmës nga Qeveria”, tha Elezaj për Insajderin.

    Çfarë kishin premtuar Kurti e Osmani?

    Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin kishin vizituar Skënderajn pas vërshimeve.

    Kurti edhe në mbledhjen e Qeverisë kishte deklaruar se do t’i dilte në ndihmë komunave të prekura.

    Komunave, familjeve, bizneseve dhe qytetarëve nga zonat e prekura do t’ju qëndrojmë pranë përherë. Ndihma nga Qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skënderaj, Mitrovica, Klina e Podujeva bashkë do të ngrihen”, tha kryeministri Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kishte thënë Kurti.

    Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte vizituar zonat e prekura.

    E para e shtetit në të tri komunat kishte ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje që një muaj në Qeverinë e Kosovës për t’i pyetur se cili është plani që kanë për t’i dalur në ndihmë komunave, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark