×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Thesari i Shtetit nuk tregon çka ndodhi me gjysmë milionëshin e grumbulluar nga artistët për vërshimet

    Insajderi
    21 February 2023 - 16:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në muajin janar të këtij viti katër komuna të Kosovës pësuan dëme të mëdha nga vërshimet e shkaktuara. Ndër më të prekurat ishin komuna e Skenderajt, Mitrovicës, Istogut e ajo e Klinës. Për t’i ndihmuar u aktivizuan edhe artistë, këngëtar e figura të tjera të njohura në vend. U organizua një mbrëmje humanitare “Bashkë ia dalim”. Nga ky fondacion u tha se u mblodhën afro 500 mijë euro. Por ende, zyrtarisht nuk ka një shifër të saktë të fondeve. Gazeta Insajderi ju sjell detajet e këtij eventi.

    Shifrën prej 500 mijë euro të donacioneve e dha prezantuesi i mbrëmjes humanitare, Fatmir Spahiu, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë. Ky gjysmë milioni, u dedikohej familjeve që pësuan rëndë nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të shumta atmosferike.

    Që nga 1 shkurti, Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Thesari i Shtetit, për të kuptuar saktë se sa para janë mbledhur gjithsej nga kjo mbrëmje humanitare. Deri tani nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

    Përveç, Thesarit të Shtetit që hynë në kuadër të Ministrisë së Financave, Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga komunat e prekura nga vërshimet.

    Zyrtarë të Komunës së Istogut e Skenderajt kanë kthyer përgjigje, ndërsa ajo e Mitrovicës e Klinës nuk kanë dhënë ende asnjë sqarim.

    Ardon Arifaj, zyrtari për informim në komunën e Istogut  bëri me dije që deri në xhirollogarinë e komunës janë deponuar mbi 15 mijë euro.

    Sa i përket fondeve të mbledhura nga eventi “Bashkë ia dalim” e deri me sot, janë mbledhur gjithsej 15 mijë e 200 euro (pesëmbëdhjetë mijë e dyqind). Deri në mbylljen e këtij donacioni nga ministria, llogaria jonë bankare mbetet e hapur”, ka deklaruar Arifaj për Insajderin.

    Ndërkohë, Jeton Rushiti, zyrtari për informim në Komunën e Skenderajt tha se ende nuk kanë një shifër të saktë se sa para janë dedikuar për komunën nga ky fondacion.

    Aktualisht nuk mund të dihet sa është shuma që është deklaruar (e dedikuar) për Skenderaj, sepse është në proces e sipër grumbullimi i mjeteve, pasi në mbrëmjen e mbajtur, ka pas disa defekte teknike, përkatësisht linjat e telefonit nuk kanë funksionuar, gjë që e ka penguar realizimin e qëllimit. Megjithëkëtë, sipas informacioneve që kemi, stafi organizativ i mbrëmjes, ka marrë për sipër t’i telefonojë një nga një (telefonatat e dështuara), që të sigurohen deklarimet e donatorëve”, u shpreh Rushiti për Insajderin.

    Pra, deri në këto çaste, nuk kemi shifra të sakta të grumbullimit të mjeteve financiare, dhe këtë do e bëjmë pasi të deklarohet i përfunduar ky proces, dhe pasi të marrim nga Thesari informatën zyrtare për mjetet e grumbulluara”, potencoi ai.

    Rreth 35 artistë u mblodhën për ndihmuar komunat e prekura nga vërshimet

    Për Insajderi ka folur edhe njëri prej organizatorëve të eventit “Bashkë ia dalim”, Lumbardh Kuka.

    Kuka tregoi se për sa kohë u bë organizimi, për problemet teknike që kanë hasur rrugës e numrin e aktorëve që ishin pjesë e eventit.

    Ai refuzoi të flas për shumën e mbledhur duke thënë se nuk ishte kompetencë e tyre. “Ne thjeshte kemi marketing”, u shpreh Kuka mes tjerash.

    “Unë jam organizator i eventit por s’jam marrë me pjesën e mbledhjes së parave. Çka mundem me thënë është që para se me realizu ne eventi secila komunë e ka hap xhirollogarinë në Thesar të Shtetit për donacione për ndihma. Ne duke e pa, që kanë hapë llogari, e kemi ditur që nuk do të merremi me para, nuk do t’i menaxhojmë ato por thjeshtë bëjmë thirrje tek qytetarët për me i dërgu parat në xhirollogari të shteti, ku dihet që ka kontroll. Thejshtë kemi bërë PR (marketing/fushatë/thirrje) . E kemi organizuar për dy ditë, Ipko na ka dështuar linjën telefonike kemi pasur problem me telefonata gjysmë të eventit. Emeraldi na ka lëshu sallën, secila kompani ka kontribu…Kanë qenë diku 35 artistë”, tha Kuka për Insajderin.

    “Ne jemi bërë një grup i njerëzve, vullnetmirë, unë jam marrë me pjesën organizative i kam ftu mediat, Bufi disa artistë. Nuk ka taman organizatorë të eventit” , shtoi ai.  

    “Njerëzit kanë thirrë në telefon edhe ka thënë unë jam filan fisteku nga Gjermania dhe jam i gatshëm me i jep 10 mijë euro. Një rast e kemi pas që ka thënë jam i gatshëm me i dhënë 50 mijë euro. Ai njeri a i jep apo jo, ne skemi mekanizëm me kontrollu më, e kontrollon shteti, Thesari i Shtetit”, tha Kuka.

    Prezantues, aktorë, këngëtarë dhe figura tjera publike për tri orë me 26 janar në një transmetim direkt në televizione, dhe në rrjete sociale kanë marrë telefonata dhe mesazhe nga qytetarë brenda dhe jashtë Kosovës të cilët kanë ofruar shuma të ndryshme parash për komunën e Skenderajt, Mitrovicës, Istogut, Klinës dhe fshatrave përreth.

    Mbetet të shihet nëse Thesari i Shtetit do të bëjë të ditur shifrën zyrtare, të mjeteve financiare të mbledhur nga mbrëmja humanitare “Bashkë ia dalim”.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark