15:00 - 05 Korrik 2022

Enver Smakiqi, polici i lënduar të shtunën në Skenderaj është lëshuar nga Qendra Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Teksa Mërgim Geci është duke e vazhduar trajtimin në Klinikën e Ortopedisë.

Të dy dyshohet se u sulmuan derisa i shqiptuan një gjobë trafiku njërit prej familjarëve të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku.

Kështu ka konfirmuar për Insajderin zyra për Informim në SHSKUK.

“Zyra për informim e ShSKUK, ju informon se njeri është lëshuar në shtëpi pas tretmanit që ka marrë, kurse tjetri po vazhdon trajtimin në Klinikën e Ortopedisë”, ka thënë nga kjo zyrë për Insajderin.

Për vizitë tek Mërgim Geci e Enver Smakiqi gjatë ditës së djeshme ishte edhe Sindikata e Policisë. Pas vizitës dolën me një komunikatë për media.

Gjendja e tyre është stabile, ishin shprehur derisa dënuan aktin e sulmit.

Njoftimi i plotë:

Sindikata e Policisë së Kosovës pas vizitës që bëri tek dy zyrtarët policor ku për së afërmi kuptoj gjendjen e tyre shëndetësore, të cilët kishin lëndime të rënda trupore por për momentin gjendja e tyre shëndetësore ishte stabile.

Sindikata e Policisë ju ofroj policëve mbështetje dhe po ashtu i siguroj këta të fundit do të kenë përkrahjen e Sindikatës në çdo moment. Sindikata e Policisë së Kosovës dënon ashpër çdo sulm ndaj Zyrtarëve Policorë dhe çdo sulm ndaj Policisë e konsideron si sulm ndaj shtetit.

Ndërkohë, Enver Smakiqi, polici tjetër i lënduar gjatë orarit të punës nga familjarë të ish-nënkryetarit, Nuredin Lushtakut ka folur sot ekskluzivisht për Gazetën Insajderi.

Ndonëse nuk u lëshua shumë në komente, Smakiqi konfirmoi se gjendja e tij shëndetësorë është më e mirë.

Përkundër zërave se ai ka pasur telashe në të kaluarën me familjen Lushtaku, ky i fundit po e mohon se ka ose ka pasur ndonjë herë problem me Lushtakët.

“Më mirë jam. Unë as nuk kam pasur, as nuk kam kurgjo me familjen Lushtaku, kam qenë duke e kry punën zyrtare asgjë tjetër nuk kam pasur”, ka deklaruar ai për Insajderin.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Në mbrëmjen e 2 korrikut, rreth orës 23:55, dy policët Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci kanë mbetur të plagosur gjatë orarit të tyre të punës. Sulmi ndaj zyrtarëve policor dyshohet se ndodhi për shkak se Arbër Lushtakut, djalit të Nuredinit iu shqiptuar gjobë trafiku.

Për rastin në natën kritike kishin dhënë detaje edhe Policia e Kosovës, derisa kishin konfirmuar se njëri polic ishte plagosur me armë zjarri në këmbë e tjetrit ishte lënduar me mjet të fortë.

Ndërkohë, ish-komandanti i gardës ceremoniale të TMK-së, Nuredin Lushtaku, ka konfirmuar prezencën e tij në stacionin policor lidhur me dyshimin se ka sulmuar dy zyrtarë policorë mirëpo nuk ka dhënë detaje, të cilat thotë se do t’i japë pas përfundimit të hetimeve.

Për rastin ka reaguar edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

Ai të dielën e ka dënuar plagosjen e dy policëve në Skenderaj, ku i dyshuar është Nuredin Lushtaku, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se “policët duhet të jenë të paprekshëm dhe të papenguar”.

“Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e republikës”, ka shkruar ai.

Tanimë, ish-nënkryetarit të komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut, dhe të pandehurve të tjerë, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të pandehurit e tjerë, djali i Nuredin Lushtakut, Arbër Lushtaku dhe vëllain e tij, Faton Lushtaku ngarkohen me veprën “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lexo edhe: