×
Hulumtime/Analiza / Analiza

“Nuk mësojnë aq shumë në shtëpi” Kurti që fuqizoi biznesmenin e pushtetit të Thaçit fyen aktivistët e Vetëvendosjes

Insajderi
21 September 2022 - 11:55

Albin Kurti kritikoi ashpër aktivistët e partisë së tij, të marten. U tha se nuk po mësojnë e shkrujnë në shtëpi, ndërkohë që shef të kabinetit në qeveri ka biznesmenin që asnjë ditë nuk ka qenë në aktivitetet, protestat e organizimet e partisë. Madje Luan Dalipi, jo vetëm që nuk ishte pjesë e rrugëtimit me Vetëvendosjen ndër vite, sikurse aktivistët që përgjakeshin në protestat e partisë, por ai fitonte edhe tendere nga pushteti i Hashim Thaçit, njeriut më të kritikuar nga Kurti

Kryeministri Albin Kurti, gjatë tubimit të partisë së tij, të marten ku edhe e shpalosi platformën edhe për një mandate si kryetar i partisë, është përkujdesur që gjatë fjalimit të godas aktivistët duke i kritikuar se nuk po mësojnë e shkruajnë sa duhet në shtëpi, shkruan Gazeta Insajderi.

“Ne e dimë se jo pak aktivistë tonë janë si nxënësit a studentët që dëgjojnë në klasë por nuk mësojnë aq shumë në shtëpi dhe përgjithësisht shkruajnë pak. Shkrimi e mundëson thellimin, strukturimin dhe sistematizimin e të menduarit. Nuk ka organizim politik pa mendim, ide, botëkuptim dhe ligjërim të organizuar, pra pa tekst”, tha Kurti para zyrtarëve të lartë e aktivistëve të partisë që ishin mbledhur të marten .

Kurti madje pati një porosi direkte për aktivistët duke bërë thirrje që fyrmë e përgjithshme e shkollës politike të VV-së të jetë Rilindja Kombëtare e shekullit XIX.

“Përveç social-demokracisë, fryma e përgjithshme e shkollës sonë politike duhet të jetë edhe kombëtariste. VETËVENDOSJE! duhet ta afirmojë Rilindjen Kombëtare, të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Ta riaktualizojë si frymë të përgjithshme dhe si shumësi tekstesh të rilindasve tanë, le të themi nga Sami Frashëri te Fan Noli”, tha Kurti.

Por, njerëzit që e dëgjonin Kurtin gjatë këtyre kritikave e porosive, janë zyrtarë të lartë të partisë e aktivistë që gjatë viteve ishin pjesë e rrugëtimit të partisë në aktivizëm, organizime e protesta në rrugë, shkruan Gazeta Insajderi.

Nuk dihet nëse Kurti të njëjtën kritikë e kërkesë e kishte edhe naj Luan Dalipit. Por, me pak pushtet sapo hypi në karriken e kryeministrit Kurti, e favorizoi e i dha pushtet Dalipit – njeriut që asnjë ditë nuk është parë në aktivitetet e partisë.

Biznsmenin Luan Dalipi, Kurti e shpërbleu me pozitën e shefit të stafit të tij.

Ky biznesmen që zuri njërën nga pozitat më të rëndësishme në zyrën e kryeministrit Kurti, në të kaluarën merrte tender nga pushteti, që atëkohë drejtohej nga Hashim Thaçi, njeriu më i kritikuar nga Kurti ndër vite.

Kompania “Managment&Develoopment Associates”L.L.C”, ku Luan Dalipi ka qenë aksionar, në vitin 2012 kishte fituar një kontratë tre vjeçare në vlerë prej 375 mijë €.

Ai ishte shpërblyer me këtë tender të majmë nga Ministria e Integrimeve Evropiane, në kohën kur kryeministër i vendit ishte Hashim Thaçi, një pjesë të së cilave mjete e kishte shpenzuar edhe për reklamime në disa mediume kosovare.

Kjo nuk ishte e gjitha, përveç shumës prej 375 mijë €, që fitoi fillimisht, kompania “MDA”, sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Integrimeve Evropiane, e kishte tejkaluar atë për hiç më pak se mbi 190 mijë euro.

Përveç kësaj, shefi i stafit të Kurtit, nihet si biznesmen milioner.  

Kujtojmë se Kurti dikur thoshte se Kosova dhe Shqipëria do të gjejnë qetësinë vetëm kur politikanët e tyre përfaqësues të dalin nga shtresa e mesme, ndërkohë që vet kishte vepruar njësoj me politikanët që kritikonte.

“E vetmja zgjidhje për mirëmbajtjen e demokracisë është politikani që vjen nga klasa e mesme.”, pati thënë Kurti në shkurt të 2019-ës.

Thoshte madje se politika nuk është biznes por përfaqësim e shërbim.

“Politikanët ndërshqiptarë janë bërë njerëzit më të pasur. Politika nuk është biznes, është përfaqësim dhe shërbim. Edhe në Shqipëri dhe në Kosovë, politikanët t’i kemi nga klasa e mesme. Politika është shërbim, jo sundim dhe jo pasurim”.

Por shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, ka deklaruar goxha pasuri, shkruan Gazeta Insajderi.

Ai si pasurisë së paluajtshme, në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka deklaruar një shtëpi në vlerë 650 mijë euro, një banesë 107.420 mijë euroshe, një bodrum në vlerë 6 mijë euro dhe një garazhdë 3 mijë e 200 sosh. Të trija këto i ka kategorizuar si trashëgimi familjare.

Luan Dalipi posedon dy vetura. Një “Mercedes E 220”, vlera e të cilës arrin në 50 mijë euro dhe një tjetër “Renault Capture”, 11 mijë sosh.

Sa i përket parave të gatshme të mbajtura në institucione financiare, Luan Dalipi, nuk ka asnjë kredi bankare. Ka 10 mijë e 675 euro para “kesh”, ndërsa në llogari të bashkëshortes ka 18 mijë e 915 euro. Fëmijët e çiftit Dalipi kanë edhe një xhirollogari bankare, ku janë tubuar 384 euro.

Në të hyrat vjetore, Luan Dalipi ka të deklaruar dy lloje të të hyrave, të hyrat vjetore si konsulent pikërisht në kompaninë MDA në shumë prej 27 mijë eurove dhe të hyrat vjetore si shef i stafit të kryeministrit në të hyra vjetore prej 4 mijë e 410 euro. /Gazeta Insajderi

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark