×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Oligarkët e Ramës të përmendur për kokainë, mashtrim e pastrim parash përfitojnë afro 8 milionë euro nga Qeveria Kurti

    Insajderi
    04 April 2024 - 14:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Parim Olluri

    Bashkim Ulaj e Paqsor Buzi janë dy njerëzit që i janë gëzuar tejmase një vendimi të Qeverisë Kurti. Ky vendim ka vlerë e një shumë prej afro 8 milionë eurosh. Kanë fituar një pjesë të tenderit të madh për ndërtimin e autostradës Prizren-Tetovë.

    Kjo autostradë është një projekt i promovuar me tone patriotike nga kryeministri Kurti. Në fushatë zgjedhore e pas marrjës së pushtetit. Por, prapaskena e këtij projekti shpërfaq përfshirjën e botës së errët të biznesit të dyshuar për veprime të ndryshme kriminale.

    Përderisa qytetarët e Shqipërisë po i përcjellin me duartrokitje aktivitet e SPAK’ut që ka për synim konfiskimin e pasurisë e përjashtimin nga tenderët të profileve si Bashkim Ulaj e Paqsor Buzi, gllaburesit e milionave të Edi Ramës tashmë kanë gjetur një strehë tjetër. Kuletën e shtetit të Kosovës të kontrolluar nga Qeveria Kurti.

    Si e fituan tenderin dyshja e dyshimtë?

    Ministria e Infrastrukturës dje shpalli fituesit e tenderit të madh. Afro 30 milionë euro është vlera e tij, është i ndarë në tri llote apo pjesë. Njërin prej tyre e fituan oligarkët e Edi Ramës.

    Ata janë pjesë e konzorciumit të njejtë. Ky konzorcium përbehet nga firma 4 A-M Sh.P.K e Bashkim Ulajt, nga GPG Company e Paqsor Buzit si dhe nga një kompani nga Prishtina me emrin Premium Beton. Oferta e tyre peshon fiks 7 milion e 999 mijë e 999 euro.

    Por, kush është 4 A-M Sh.P.K?

    Kjo është një firmë e oligarkut nga Tropoja, Bashkim Ulajt. Ai e hapi këtë kompani pasiqë firma tjetër e tij Gener 2 tashmë ishte stërpermendur për afera të rënda korruptive.

    Por, veprimtaria nuk ndryshoi aspak. Edhe me firmën e re vazhdoi përfshirja në afera të mëdha korruptive.

    Institucionet e pavarura në Shqipëri janë munduar që ta përjashtojnë nga tenderët publik për shkak të mashtrimeve. Por, është rikthyer sërish përmes instancave tjera.

    Më datën 4 gusht të vitit 2020, Agjencia e Prokurimit Publik kishte marrë vendim që kjo firmë e oligarkut Ulaj të përjashtohej nga prokurimi publik në afat prej dy viteve.

    Vendimi kishte ardhur pas një hetimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH kishte konstatuar se kjo firmë kishte dorëzuar dokumente të rrejshme me qëllim të përfitimit të një tenderi për shtrimin e rrugës në Porto Romano.

    Por, brenda të njejtës ditë me vendimin e APP’së ishte marrë vendimi tjetër nga Gjykata Administrative në Shqipëri. Kishte shfuqizuar vendimin për përjashtim nga tenderët publik. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë në Shqipëri për asnjë biznes privat.

    Përmendja e Ulajt për kokainë e pastrim parashë në parlamentin e Malit të Zi

    Në dhjetor të vitit 2018 emri i oligarkut Bashkim Ulaj ishte përmendur edhe jashtë Shqipërisë. Në Mal të Zi. Në parlament.

    Diskutohej atë ditë për resortin turistik të Kolashinit. Ulaj kishte nisur aty një investim të madh multimilionësh. Investimi përfshinte hotele, resorte turistike, pista skijimi, apartamente, vila dhe elementë të tjerë të turizmit malor.

    Deputeti i atëhershëm malazias Nebojsha Medojeviq kishte ngritur një çështje të rëndësishme atë ditë. Kishte alarmuar qeverinë malaziase për rrezikun nga Ulaj. Iu kishte thënë se ai këtë resort multimilionësh po e ndërtonte bashkërisht me Zoran Beçiroviç, një prej mafiozëve më të rrëzikshëm të Ballkanit. Beçiroviç është një mafioz i famshëm ballkanik që përfshinë edhe kontrollin e trafikut e kokainës. Grupet rivale mafioze ia kishin vrarë vëllain në vitin 2011. Në Budva. Ajo ngjarje kishte tronditur tërë Malin e Zi.

    “Bashkim Ulaj është një ndër personat e mafies shqiptare tropojane që është marrë me pastrimin e parave dhe me shkëmbimin e lëndëve narkotike. Ja ky që është investitori juaj. Pra juve nuk u intereson se nga u vijnë paratë. mjafton që tu vinë dhe nuk u intereson se çfare parash janë ato, nga janë marrë”, kishte pohuar në parlament deputeti Medojeviq.

    “Pra, të dashur qytetar, ky është një problem që po e shohim shpesh herë në jug dhe veri të vendit. Që investitorët janë kriminelë dhe drogaxhinjë”, kishte vazhduar deputeti.

     Më vonë kishte bërë një përshkrim të profilit të Bashkim Ulajt dhe kishte treguar se pse ai nuk është i përshtatshëm për investime në resorte turistike dimërore.

    “P.sh ky investitori në Kolashin (Bashkim Ulaj) mund të merret vetëm me investimin e të bardhës (kokainës) por jo të borës së bardhë, pra edhe nje herë ju bëj vërtejtje që ti shikoni investitorët që investojnë dhe ti deklaroni investimet e tyre në parlament”, kishte deklaruar Medojeviq.

    Kush është fituesi tjetër, Paqsor Buzi?

    Edhe anëtari tjetër i konzorciumit fitues nuk është më i hajrit se sa Bashkim Ulaj. Ai përmendet tërë kohën si oligark i Ramës dhe zhvatës i tenderëve në Shqipëri.

    Ndonëse emrin Paqsor, veprime e tij nuk kanë qenë ndonjëherë paqësore me zbatimin e ligjit. Ai madje kishte qenë edhe në burg për shkak të kryerjës së veprave kriminale.

    Në vitin 2019 ishin arrestuar 15 biznesmenë nga Policia e Tiranës. Në mesin e tyre ishte edhe Paqsor Buzi, hisedar i gjysmës së kompanisë GPG që fitoi tenderin milionësh nga Qeveria Kurti.

    Dëmi që ia kishin shkaktuar shtetit këta 15 veta vlerësohet se kapte shifrën e 30 milionë eurove.

    Biznesmenët akuzoheshin se kryenin shitje e blerje me fatura fiktive dhe më pas rimbursoheshin nga shtetit. Ata kishin krijuar një skemë mashtimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

    Ata akuzoheshin për kryerjën e veprave penale “Krijim i skemave mashtruese me TVSH”, “Falsifikim” dhe “Fshehje e të Ardhurave.

    Buzi ishte liruar më pas në arrest shtëpie pasi kishte paguar një kaucion prej 60 mijë eurosh.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark