×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    OSHP nuk po mund të ia ‘lidhë kryet’ tenderit Prishtinë -Podujevë, të cilit Kurti ia preu shirtin

    Insajderi
    11 August 2023 - 16:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Tashmë punët për zgjerimin e rrugës Prishtinë –Podujevë kanë nisur para disa javësh. Kryeministri Albin Kurti ia ka prerë shiritin punëve të reja. Procedimi për lidhjen e kontratave me operatorët e angazhuar në projekt ka qenë i kundërligjshëm nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës,  kjo për disa arsye.

    Njëra nga to ka qenë se në Organin Shqyrtues të Prokurimit –OSHP ka qenë e deponuar një ankesë në kohën kur janë lidhur kontratat. Ligji nuk lejon që pa u shqyrtuar ankesat të nënshkruhen kontratat. Por, janë bërë rreth dy muaj dhe OSHP-ja nuk po mund të ia ‘lidhë kryet’ ankesës së deponuar. Tashmë edhe vetë OSHP-ja e ka shkelur afatin ligjor për të dhënë një mendim në ankesë, shkruan Periskopi.

    Ministria e Infrastrukturës i ka nënshkruar  pesë kontratat për projektin “Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë- Besi – Podujevë. Rrugët që ka zgjedhur për të lidhur kontrata për këtë projekt janë të jashtëligjshme.

    Prokurimi i Ministrisë e ka shkelur ligjin edhe njëherë në momentin që ka nënshkruar kontratat. Kjo për faktin se në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP ka qenë një ankesë e dorëzuar nga një kompani, dhe në momentin që bëhet një ankesë, procedurat e prokurimit duhet të pezullohen deri në trajtimin e saj final.

    Bazuar në ueb-faqen e OSHP-së, shihet që ankesa është deponuar më datë 15/06/2023, dhe menjëherë më pas sekretariati i OSHP-së e ka autorizuar një ekspert që të shoshiste provat, në mënyrë që më pas ato t’ia paraqes Panelit të organit që të marrë vendim.

    Por, që edhe pas rreth dy muajve, eksperti i OSHP-së akoma nuk ka mundur të hartojë një raport të ekspertizës lidhur më atë ankesë.

    Ligji i Prokurimit Publik, konkretisht neni 114 flet për “Përgjegjësitë e ekspertit shqyrtues dhe të autoritetit kontraktues”. Aty thuhet se “Eksperti shqyrtues, në afat prej dhjetë ditësh, menjëherë pas emërimit të tij do të: (i) shqyrtojë dokumentacionin e prokurimit të autoritetit kontraktues dhe shënimet përkatëse, (ii) intervistojë, nëse ai e sheh të arsyeshme ose të nevojshme, cilindo zyrtar, nëpunës ose këshilltar të autoritetit kontraktues ose palës ankuese, dhe (iii) pajisë panelin shqyrtues, ankuesin dhe kryesuesin e autoritetit kontraktues me një vlerësim me shkrim mbi aktivitetin e prokurimit dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të përfshira në ankesë”.

    Periskopi ka pyetur OSHP-në se pse as akoma nuk është hartuar një raport i ekspertizës që t’i ofrohet panelit për shqyrtim.

    OSHP-ja ka bërë të ditur për Periskopin se “Sipas nenit 105, të LPP, OSHP ka autoritet dhe përgjegjësi, ti shqyrtoj të gjitha ankesat e parashtruara nga palët e interesuara lidhur me shkeljet eventuale të LPP, andaj OSHP konform kompetencave ju njofton se lidhur me ketë aktivitet te prokurimit, OSHP, ka pranuar ankese për aktivitetin e prokurimit: Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë – Besi – Podujevë, Loti 0, 1, 2, 3 dhe strukturat Lot 5, te iniciuar nga Autoriteti Kontraktues- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Sa i përket pyetjes së pare, OSHP ju njofton, qe bazuar ne depozitat e nenin 113 të LPP-së, është autorizuar eksperti shqyrtues për shqyrtimin e pretendimeve ankimore te OE ankues nr. 397/2023, për aktivitetin me nr. të prokurimit: ” 205-23-21-5-1-1” iniciuar nga Autoriteti Kontraktues (AK) – Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”.

    Pra, ky institucion nuk ka pasur një përgjigje konkrete se pse akoma nuk është nxjerr raporti.

    Periskopi po ashtu, ka pyetur se kur do të jetë gati raporti dhe se kush është ekspert shqyrtues në këtë rast. Në OSHP nuk e kanë treguar emrin e ekspertit, megjithëse emri i tij do të publikohet me publikimin e raportit. Kanë thënë së ankesa e pranuar është në proces të shqyrtimit dhe pas shqyrtimit të saj menjëherë do të njoftohen palët dhe do të publikohet në ueb faqen [email protected].

    “OSHP, vazhdimisht i publikon ne ueb faqen [email protected] të gjitha aktet dhe veprimet e ndërmarra nga palët, në një aktivitet të prokurimit dhe gjithnjë angazhohet që publiciteti dhe transparenca ta karakterizojnë punën e këtij Organi puna e të cilit është mjaft sfiduese por me rëndësi për interesin publik. Prandaj OSHP vazhdimisht mbetet i hapur ndaj të gjitha mediumeve informative të cilat gjithnjë mbesin aleati kryesor për informimin e drejtë dhe me kohë të opinionit publik”.

    Lidhur më shkeljen e Ligjit të Prokurimit Publike për tenderin “Ndërtimi i rrugës nacionale ”Prishtinë – Besi – Podujevë”, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur më këtë rast. Tashme ka filluar edhe intervistimi i dëshmitarëve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark