×
  • Sport
  • Sport

    Pankartat shoviniste në ndeshjen Olympiakos – Aris, reagon FFK-ja

    Insajderi
    28 September 2023 - 16:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Federata e Futbollit të Kosovës e ka dënuar me ashpërsi incidentin dhe fyerjen e rëndë të natyrës shoviniste që ndodhi në stadiumin “Karaiskakis”, në ndeshjen e kampionatit grek mes Olympiakosit dhe Arisit, që u zhvillua të mërkurën në mbrëmje.

    “Shfaqja e pankartave kundër Kosovës dhe lavdërimi i grupit të terroristëve që pak ditë më parë kryen agresion ndaj shtetit të Kosovës, është një shkelje e rëndë e vlerave të futbollit dhe shprehje e gjuhës së urrejtjes mes popujve. Ky incident është i papranueshëm dhe nuk ka vend në botën e futbollit”, thuhet fillimisht në reagimin e FFK-së. Federata e Futbollit të Kosovës është shprehur e vetëdijshme për lidhjen e fuqishme të grupit të tifozëve të Olympiakosit me grupet radikale të tifozëve në Serbi, dhe për faktin se disa prej tyre janë serbë të infiltruar në këtë grup: “Megjithatë, jemi të indinjuar nga mungesa e reagimit të Federatës Greke të Futbollit për t’u përballur me këtë situatë. Lejimi i këtyre pankartave fashiste e raciste në tribunat prapa portës gjatë gjithë ndeshjes është një mospërgjegjësi që nuk mund të tolerohet”.

    Kosova e konsideron Greqinë si një shtet mik dhe vlerëson qasjen e saj pozitive karshi Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, por ka kërkuar nga autoritetet e futbollit në Greqi të jenë të kujdesshme ndaj rasteve të tilla: “të ndjekin me përgjegjësi protokollin e UEFA-s dhe të ndëshkojnë incidentet e tilla në mënyrë adekuate”.

    Federata e Futbollit e Kosovës është zotuar se do të vazhdojë të ndërtojë ura miqësie dhe bashkëpunimi në futboll dhe nuk do të lejojë që të ashtuquajturit tifozë ta keqpërdorin këtë sport me ngjyra raciste.

    “Ne kërkojmë nga UEFA që të angazhohet edhe më fuqishëm në luftën kundër diskriminimit në të gjitha stadiumet dhe të sigurojë që futbolli të mbetet një burim argëtimi dhe bashkëpunimi për të gjithë, duke ndihmuar kësisoj në mbrojtjen e vlerave ndërmjet popujve”, përfundon reagimi i FFK-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark