×
Insajderi / Insajderi

Parashikohet sërish barrikadimi i veriut nga Lista Serbe, çfarë po kërkojnë?

Insajderi
29 March 2023 - 10:19
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Është shumë realiste të presim që pjesa veriore të barrikadohet sërish nëse Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje, beson Drejtori në Forumin për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, Dushan Janjiq, duke analizuar qëndrimin e subjektit politik më të votuar mes serbëve të Kosovës, subjekt ky kryekëput nën dirigjencën e Beogradit. Goran Rakiq nuk i shfrytëzoi sërish afatet e KQZ-së për regjistrim dhe certifikim të subjektit që udhëheq për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të cilat zhvillohen më 23 prill, shkruan Insajderi.

Rakiq, i cili udhëhoqi dorëheqjet masive të serbëve të veriut nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës në atë pjesë, qëndron në “dy kushte” të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhe: Themelimin e Asociacionit të Komunave [të banuara me shumicë] Serbe si dhe tërheqjen e “të gjitha” njësive speciale policore të Kosovës në ato zona.

Ndonëse për Asociacionin është dakordësuar në Ohër më 18 mars që brenda 30 ditësh të nisen hapat diskutimet për draftimin e Statutit të tij, thirrja për tërheqjen e forcave të rendit dhe ligjit të shtetit të Kosovës mbetet thirrje boshe pa gjasa t’i plotësohet Rakiqit.

Fundi i vitit të kaluar e kishte gjetur pjesën veriore krejtësisht të barrikaduar për mëse njëzet ditë, ku Rakiq kishte 3 kushte për heqjen e tyre: Lirimin e Dejan Pantiq, Asociacionin dhe tërheqjen e njësive speciale policore të Kosovës. Ndonëse ajo e para iu plotësua (pjesërisht, ngase Pantiq vazhdon të mbetet në arrest shtëpiak), dy të tjerat mbesin.

Në krizën e fundit situata ishte komplikuar aq shumë saqë u kërkua një përpjekje e madhe ShBA-BE-NATO për ta zhbërë atë cikël krize. ShBA dhe BE patën dalur me një deklaratë të përbashkët se kjo krizë, së paku në atë kohë, ishte tejkaluar dhe se po punohej për zgjidhje politike.

Kosova, thanë ata, kishte dhënë garanci që s’do të ketë lista arrestimesh e as përndjekjesh penale për protestuesit/barrikaduesit e pjesës veriore, “garancë” kjo të cilës iu ra si bori e fitores serbe nga autoritetet atje, shkruan Insajderi.

Megjithatë, çështja e zgjedhjeve në katër komunat veriore, mbetet sërish çështja. Mbajtja e tyre mbetet ende në pikëpyetje pikërisht për shkak të mospjesëmarrjes së Listës Serber, subjekt ky i cili, bazuar në rezultatet e mëparshme, ka afro 90 përqind të elektoratit.

Dushan Janjiq, duke folur për të përditshmen serbe “Danas” beson se po të dilte Lista Serbe në këto zgjedhje, subjekt ky i ndërlidhur me qeverinë e Beogradit, “do të ndodhte kolapsi i planit të brendshëm të Vuçiqit”.

Siç shton ai, faza e menaxhimit të konflikteve do të thotë se do të merren masa për parandalimin e konflikteve, heqjen e barrikadave dhe kthimin e komunitetit serb në institucione dhe pastaj kalimin në dialog. Ai beson se është bërë përparim më të shpejtë në kthimin në dialog sesa në menaxhimin e konflikteve, shkruan Insajderi.

Janjiq thotë se është “më i shqetësuar për papërgjegjshmërinë e Francës dhe Gjermanisë dhe lojën me sigurinë”.

“Duket sikur harruan pretendimet e tyre se qytetarë të armatosur dhe paraushtarakë, përfshirë Wagnerin dhe Patriotët, ishin të pranishëm në veri. Ku janë këto pretendime tani? Nëse nuk janë më, mjafton që në veri të ketë një numër të madh të forcave policore të Kosovës, të cilat normalisht duhej të shtoheshin me numrin e shqiptarëve sepse jemi serbë. Është një lojë e rrezikshme me sigurinë ku termat vetëm abuzohen”.

“Mendoj se sjellja e Francës dhe Gjermanisë është shumë e papërgjegjshme dhe se ata objektivisht dëshirojnë që kriza të zvarritet dhe të minojë dëshirën e administratës amerikane që deri në maj të ketë ndonjë sukses të dukshëm”, thotë Janjiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 mars në Ohër, ka thënë se zgjedhjet në veri mund të shtyhen për në qershor.

“Nuk do të flas në emër të Listës Serbe. Thjesht, duhet të flas me ata njerëz. Duhet të shoh nëse [zgjedhjet] duhet të mbahen tani apo në qershor, do të shohim”, ka thënë Vuçiq.

Dy ditë pas kësaj deklarate të presidentit serb, Lista Serbe ka përsëritur qëndrimin e saj të mëparshëm se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, derisa të plotësohen kërkesat e saj, që janë: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu./Insajderi/

OP-ED
Nga Rubrika
Insajderi
01 September 2023

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark