Sot (e mërkurë) u mbajt Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Ademi fitoi zgjedhjet edhe për një mandat tjetër katërvjeçar. 42 delegatë votuan pro, një abstenoi dhe asnjë kundër. Ademi ishte kandidati i vetëm për president të FFK-së.
Më datën 2 mars të vitit 2022 Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi zyrtar pati njoftuar se ka shpallur zgjedhjet për Kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, kishin bërë të ditur se data 6 prill 2022, ditë e mërkurë do të mbaheshin zgjedhjet.
Kandidatura e Remzi Ejupit – Para se të shpalleshin zgjedhjet, disa kandidatë veçse e kishin paraqitur kandidaturën për kryetar të FFK-së. Njëri ndër ta ishte edhe ish-presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi.
Ai kishte deklaruar me 21 shkurt se do e shpall kandidaturën për kryetar të FFK-së.
Ejupi ishte tërhequr nga gara pas 12 ditëve kur FFK-ja i kishte shpallur zgjedhjet, pasi që sipas tij këto zgjedhje ishin jo legjitim. Në momentin kur e bëri të ditur që nuk do merr pjesë në Kuvendin Zgjedhor, ai kishte thënë se as klubi i Prishtinës që përfaqësohet nga dy delegate nuk do të marrin pjesë në këtë kuvend.
Kandidatura e Arianit Ahmetit– Arianit Ahmeti ishte kandidati i tretë i cili i ishte futur rrugës për të marrë kreun e FFK-së.
Ish-zëvendës sekretari i FFK-së e kishte konfirmuar këtë lajm nëpërmjet një postimi në profilin e tij me 21 shkurt të vitit 2022. Ai kishte thënë se nënshkrimet duhet të mblidheshin në qershor për arsye se vetëm atëherë mund të shpalleshin zgjedhjet.
E kësisoj nuk kishte ndodhur, pasi që FFK-ja zgjedhjet i kishte shpallur me 6 prill, kurse Arianit Ahmeti ishte kundërshtuesi më i madhi i këtyre zgjedhjeve duke thënë se vendimi ka qenë skandaloz nga personi që ka uzurpuar pozitën e kryetarit të FFK-së dhe se vendimi është në kundërshtim me statutin e FFK-së ku në nenin 39, pika 3 thuhet se propozuesi duhet të protokollojë propozimin në Sekretariatin Gjeneral të FFK-së, në formë të shkruar dhe duke i deponuar së paku 15, nënshkrime të delegatëve legjitim të Kuvendit të FFK-së, me të dhënat e nevojshme, së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor. Vendimi për hapjen e garës dhe shpalljen e zgjedhjeve do të duhet të mbahej më 6 korrik, dy muaj më herët kandidatët e mundshëm do të kishin mundësi të dërgojnë propozimet me nënshkrime që i bie data 06/05/2022. Ky kuvend qysh në thirrje të tij ka shkelje serioze të procedurës juridike si e tillë dhe nuk mund të mbahet me 06/04.2022.
Kanditatura e Gramoz Vokrrit – I fundit që kishte shpallur kandidaturën për të parin e futbollit në Kosovë, ishte Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Vokrri lajmin e kishte bërë të ditur me 15 mars i cili kishte thënë se pas mbështetjes që ia ka ofruar një numër i konsiderueshëm i klubeve kosovare, ai do t’i futej garës për të parin e FFK-së.
Menjëherë pasi që Vokrri kishte kishte shpallur kandidaturën, Arian Ahmeti ishte tërhequr nga gara duke thënë se do jetë ushtari i parë i Gramoz Vokrrit në këtë garë.
Një ditë më vonë, Vokrri, kishte deponuar edhe zyrtarisht nënshkrimet e nevojshme për të shpallur kandidaturën e tij për kryetar të FFK-së.
Sipas mediave, Gramozi pati mbledhur 16 nënshkrime nga 15 të nevojshme për t’ju futur garës.
Pas një javë, më saktësisht me 23 mars, FFK-ja kishte njoftuar se Gramoz Vokrrit i është refuzuar aplikimi për kandidim, pasi ka gjetur parregullsi te nënshkrimet e delegatëve që i ka mbledhur ai, me theks të veçantë te nënshkrimet e FC Prishtinës dhe KF Ulpianës nga Lipjani. Dhe kështu që i vetmi kandidat në zgjedhjet e 6 prillit do të ishte presidenti aktual, Agim Ademi.
Presidenti aktual, Agim Ademi, me 26 mars e kishte shpalosur programin “Bashkë për Futbollin”.
Sipas tij, programi ishte përgatitur nga ekipi profesional i FFK-së në bazë të vizionit dhe kërkesave të presidentit Ademi në koordinim të plotë me UEFA-n dhe FIFA-n.
Më 28 mars, Gramoz Vokrri, e kishte paditur në gjykatë FFK-në duke akuzuar se e ka shkelur statutin e vet dhe ligjin për sport me shpallet e zgjedhjeve për president për datën 6 prill, si dhe për rrëzimin e kandidaturës së tij, duke kërkuar që zgjedhjet të pezullohen.
Më datën 4 prill të vitit 2022, Gjykata Themelore në Prishtina e ka hedhur poshtë akuzën e Gramoz Vokrrit duke thënë se zgjedhjet e 6 prillit në FFK janë proces i rregullt.
Të martën (dje) FFK-ja ka njoftuar se Kuvendi Zgjedhor për të parin e FFK-së do të mbahet nga ora 11:00 në selinë e FFK-së.
Sipas këtij njoftimi vetëm një transmetues do të lejohet në atë hapësire, por asnjë gazetar.
Për këtë kanë reaguar edhe mediat, por gjithashtu edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke thënë se arsyetimi i hapësirës është i paqëndrueshëm, pasi që ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuar.
Në Kuvend ishin të pranishëm edhe përfaqësues të FIFA-s dhe të UEFA-s.
Të drejt vote për kryetar të FFK-së kishin 59 delegatë që vijnë nga klubet e Superligës, Ligës së Parë, Lidhjeve Rajonale, Shoqata e Gjyqtarëve, trajnerëve, futsallit dhe futbollit të femrave.
Problemet me ligjin dhe rrahjet e Agim Ademit
Kryetari i Federatës Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është i akuzuar edhe në gjykim për zhvatje dhe korrupsion.
Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, për qëllim të përfitimit material, e kishin detyruar dhe kërcënuar të dëmtuarin Kadolli, lidhur me pagesën e një veture të tipit “BMË X5”, në vlerë prej 30 mijë euro, e cila më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamitit.
Kadolli përmendi raste konkrete se si sipas tij njerëz të afërt me Ademin kërcënuan e shantazhuan familjen e tij. Gruan e djalin.
“Agim Ademi qysh e njoh unë goxha i fshehët me veprime e tija, ai direkt jo por nëpërmes njerëzve të tjerë. Më kanë thënë shko ndërroje deklaratën se janë në burg, ti se dinë me kë ke punë, kemi pasur telashe që janë të papërshkrueshme edhe dukën film me ti kallxu krejt, sidomos prej njerëzve të tij që i ka nëpër Prishtinë. P.sh e kanë përcjell gruan me kerr, i kanë bërë shantazhe mua qashtu, fëmijët EULEX nja dy muaj është dashtë me i përcjell në shkollë qeshtu dhe ka pasur shantazhe prej më të ndryshme edhe më kanë dëmtu personalitetin dhe në biznes shumë me lidhjet e tyre që i kanë pasur”, ka deklaruar për InDoks të Gazetës Insajderi biznesmeni, Dritëro Kadolli.
“Agimi më ka kërcënu përmes mesazheve edhe më fëmijë bile më ka kërcënu, më ka qu mesazh në zyre që është vërtetu prej EULEX-it që thuaj atij të trashit le ta ruan Gurin, le ti paguan paret se Guri ka me pas problem (djali im) i vogël që atëherë ka qenë 5-6 vjet se kemi iu hakmarrë qeshtu diçka qesi kërcënime”, është shprehur ai për InDoks të Gazetës Insajderi.
Agim Ademi ishte zbuluar nga EULEX se ka kërcënuar familjen e Dritëro Kadollit, ky i fundit madje vet e kishte pranuar se ka dërguar vet mesazhin.
Numri një i FFK-së po ashtu ka pasur probleme dhe rrahje edhe me zyrtarë të FFK-së.
Ditë më parë pati një problem me Artan Govorin në selinë e FFK-së, dhe më pas përfundoi në burg për disa orë.
Para problemit me Govorin, ai ka rrahur edhe ish-mjekun e Përfaqësueses së Kosovës Mehmet Maxhuni.
Tensione dhe mos-marrëvehsje ka pasur edhe me ish-sekretarin gjeneral të FFK-së, Eroll Salihut. /Insporti.com/