×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Pas hulumtimit të Gazetës Insajderi, nis verifikimi i mirënjohjeve për “policët problematik”

    Insajderi
    16 August 2021 - 17:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Policia e Kosovës i ka ndarë mirënjohje zyrtarit policor, Flamur Rexhaj, që ka treguar profesionalizëm dhe shërbim të devotshëm në punën e tij për një periudhë dhjetëvjeçare në polici.  Mirëpo, në bazë të një hulumtimi që ka bërë Gazeta Insajderi del që polici në fjalë ka rënë ndesh disa herë me ligjin.

    Në korrik të vitit 2020, Flamur Rexhaj ka qenë i arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale, “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosje”. Pas këtij rasti i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është suspenduar nga puna.  Po ashtu zyrtari policor,  në vitin 2008, ishte suspenduar edhe  nën dyshimin për involvim në veprën penale ‘fajde’.

    E këtë mirënjohje që ka marrë, polici ka publikuar edhe në rrjetin social “Facebook” duke u krenuar më të.

    Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës i tha Gazetës Insajderi se kanë bërë disa lëshime teknike dhe iu janë ndarë mirënjohje edhe policëve që kanë qenë të ndjekur penalisht.

    “Gjatë realizimit të aktiviteteve përmbyllese të këtij procesi (shperndarja e medaljeve dhe çertifikatave) që korrespondon edhe me kërkesën tuaj lidhur me rastin konkret,  ne kemi vërejtur se janë bërë disa lëshime teknike.”, thuhet në përgjigjen  e tyre.

    Insajderi është interesuar nëse ka edhe zyrtarë tjerë që kanë probleme me ligjin e që u janë ndarë mirënjohjet e njëjta, por Policia nuk ka dhënë një përgjigje konkrete. Pasi ka marr pyetjen nga Insadjeri  ka thënë se është thirrur komisioni përkates i cili do të verifikoj dhe kontrolloj të gjitha rastet dhe varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat dhe veprimet sipas procedurave të parapara.

    Këtë “lëshim teknik”, Policia e Kosovës e arsyeton me gjendjen e krijuar nga pandemia Covid-19 duke shtuar se ka pas grumbullim të gjeneratave.

    Ata thonë se vetëm në këtë proces, Komisioni ka trajtuar 2281 zyrtarë policorë.

    “Në procesin e fundit për të cilën është edhe kërkesa juaj ju informojmë së për shkak të situatës me Pandeminë COVID 19  ky proces për disa gjeneratat policore është shtyrë dhe për pasojë kemi pasur grumbullimin e gjeneratave policore dhe  numri i zyrtareve qe janë trajtuar nga Komisioni ka qene 2281 zyrtar për vetëm ketë proces”, thuhet në përgjigjen e policisë.

    Gazeta Insajderi është interesuar për këtë proces qysh javën e kaluar, ku i ka nisur pyetje  Policisë së Kosovës dhe Inspektoriatit Policorë por , institucionet në fjalë janë vonuar në përgjigjet e tyre.

    Inspektoriati Policor i Kosovës, në përgjigjen e tyre thonë se nuk njoftohen nga Policia e Kosovës se cilët zyrtarë policorë marrin mirënjohje.

    “Në baze të legjislacionit në fuqi,  IPK nuk njoftohet nga PK se cilët zyrtar policor marrin mirënjohje dhe procedura dhënies së shpërblimeve është procedurë e brendshme e Policisë së Kosovës, thuhet në përgjigjen e Inspektoriatit Policorë të Kosovës.

    Policia e Kosovës, bazuar në udhëzim administrativ Nr. 02/2016 për medaljet, lëvdatat, shpërblimet dhe mirënjohjet, i ndan medaljet mirenjohjet dhe lëvdatat për të gjithë punonjësit e saj.

    Medalja për shërbim të besnikërisë është shpërblim që i jepet zyrtarit aktiv të Policisë së Kosovës për shërbim të devotshëm për një periudhë dhjetëvjeçare apo më shumë dhe i cili ka treguar  profesionalizëm në punën e tij, ka vlerësim dhe performancës të mirë dhe që nuk është i ndëshkuar me masë të rëndë disiplinore

    Me këtë medalje, zyrtari policor mund të dekorohet tri herë gjatë shërbimit.(10 vit, 20 vite dhe 30 vite shërbim). Kjo medalje nuk ka ndonjë vlere monetare zyrtarit i ndahet medalje dhe çertifikatë./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark