Policia e Kosovës, ka nis hetimet në lidhje me tubimin e PDK-së në Vajnik të Skenderajt, ku dëgjohen të shtëna armësh në një tendë ku të pranishëm ishin kandidatë për deputet të kësaj partie në krye me Sami Lushtakun, për të cilin rast raportoi Gazeta Insajderi, të hënën.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Ne ende s’kemi ankues por Policia është duke e trajtu në atë aspektin hetimor, me lokalizu vendin… Diçka konkrete nuk ka. Policia po e trajton çështjen në drejtim të gjetjes së gjurmëve, por tash për tash diçka konkrete nuk ka, ndonjë arrestim ose diçka e tillë”, ka thënë Zahiti.
Përveç shtënies me armë, në këtë tubim nuk janë respektuar aspak masat antiCovid. Në lidhje me këtë nga PK-ja, thonë se përderisa nuk i kanë hasë në vend të ngjarjes, nuk mund të marin veprime pa urdhër të prokurorisë.
“Ne nuk i kemi hasë ata aty, tubimet po mbahen pa paralajmërime, dhe për të marr masa duhet prokuroria të urdhërojë”, është shprehur Zahiti.
Gazeta Insajderi, po ashtu ka kontaktuar me drejtorin e Inspektoratit në Komunën e Skenderajt, Arton Veliu, në lidhje me masat që kjo drejtori ka marr për këtë tubim, por i njëjti ndonëse ka thënë se do të përgjigjet në lidhje me pyetjet, ende nuk ka thënë asnjë fjalë.
“Tfala Parisit pluma Beogradit jem ushtarët e Sami Lushtakut”, është njëra ndër frazat e kënduara nga shahirët që janë në mes të tendës. E si të përmendet emri i Sami Lushtakut, dëgjohen edhe disa të shtëna me arëm zjarri. Duratrokitjet padyshim që nuk mungojnë.
Kjo nuk është hera e parë që Sami Lushtaku në Drenicë shkelë masat antiCovid.
Kësaj radhë pas vetës kishte edhe figurat tjera të PDK-së, që kishin hyrë në këtë ‘valle’.
Bedri Hamza, Ganimete Musliu, Mërgim Lushtaku, ishin disa nga figurat e PDK-së të pranishëm në këtë tubim në Vajnik, e të gjithë kandidatë për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Këto tubime, pavarësisht pandemisë, po vazhdojnë të mbahen nga partitë në Kosovë. Deri më tani vetëm Komuna e Prishtinës, ka dënuar partitë politike për tubimet në kundërshtim me masat antiCovid. Komunat tjera ende nuk kanë ndërmarr veprime të tillë, derisa numri i të prekurve me COVID-19 në Kosovë, dita e ditës po rritet. / Insajderi.org