×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Pas raportimit të Insajderit suspendohet zyrtari i prokurorimit në Mitrovicë, i akuzuar për korrupsion

    Insajderi
    02 December 2023 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Haxhimet Ferati zyrtari i prokurimit publik në Mitrovicë, është suspenduar nga puna. Ndaj tij muajin e kaluar ishte ngritur aktakuzë nën dyshimet për korrupsion. Ferati dyshohet se në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit Publik në Komunën e Mitrovicës ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

    Gazeta Insajderi para pak kohë kishte raportuar se si Ferati edhe pse është në aktakuzë po vazhdonte ta mbante pozitë e e tij në Komunën e Mitrovicës.

    Por, burime të Gazetës Insajderi kanë bërë me dije se Haxhimet Ferati tashmë është suspenduar nga pozita e zyrtarit të prokurimit.

    Edhe nga Komuna e Mitrovicës kanë konfirmuar se janë marrë masat ligjore ndaj tij.

    Lidhur me pyetjen tuaj të parashtruar për ngritje të aktakuzës ndaj nënpunësit Haxhimet Ferati, Ju njoftojmë se Komuna e Mitrovicës është informuar nga organet kompetente të drejtësisë dhe i ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në pajtim me legjislacionin në fuqi“, thuhet në përgjigjen e Komunës dhënë për Insajderin.

    Ky suspendim i tij vjen pas raportimit të Insajderit se edhe pse kishin kaluar një muaj nga ngritja e aktakuzës, Ferati kishte mbetur i pa ndëshkuar nga Komuna e Mitrovicës.

    Ai vazhdonte të jepte ‘vulën’ e tij në tenderët e komunës.

    Për çka akuzohet Haxhimet Ferati

    Në aktakuzën e ngritur kundër tij më datën 2 tetor të këtij viti, Prokuroria kishte thënë se Ferati i ka krijuar përfitim një operatori NTP ‘Tropik’’ në vlerë prej 200 e 20 mijë euro.

    “Në kundërshtim me ligjin LPP nr. 04L-042, ka lidhur aneks- kontratë me Operatorin Ekonomik NTP “Tropik” me të cilin ka pasur kontratë kornize tri vjeçare që nga data 15 prill 2013 e vlefshme deri më 15 prill 2016, me kontratë bazë ka lidhur aneks- kontratën me datën 19 nëntor 2014 në vlerë prej 200 e 20 mijë euro në kundërshtim me nenin 38 të LPP i cili nenë nuk lejon lidhjen e aneks-kontratës në kontratat kornize”, kishte thënë prokuroria.

    Sipas aktakuzës Ferati akuzohet se me datën 19 nëntor 2014, në pozitën e menaxherit të prokurimit publik pranë Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Mitrovicës, ka shfrytëzuar pozitën e tij dhe ka tejkaluar autorizimet me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të një dobie pasurore për vete ose tjetrin.

    Aktakuza thotë se në kundërshtim me ligjin LPP nr. 04L-042, i akuzuari Ferati ka lidhur aneks- kontratë me Operatorin Ekonomik NTP “Tropik” me të cilin ka pasur kontratë kornize tri vjeçare që nga data 15 prill 2013 e vlefshme deri më 15 prill 2016, me kontratë bazë ka lidhur aneks- kontratën me datën 19 nëntor 2014 në vlerë prej 200 e 20 mijë euro në kundërshtim me nenin 38 të LPP i cili nenë nuk lejon lidhjen e aneks-kontratës në kontratat kornize, kishte raportuar Betimi për Drejtësi.

    Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Ferati ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.

    “Nuk e ndjej vetën fajtor”, kishte deklaruar Ferati, pasi ishte pyetur se a ndjehet fajtor lidhur me rastin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark