×
  • Lajme
  • Insajderi

    PDK në prag të koalicionit në Vushtrri: Po presim përgjigje nga partitë

    Insajderi
    21 October 2021 - 13:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zgjedhjet e 17 tetorit e dërguan Komunën e Vushtrrisë në balotazh. Gara do të zhvillohet mes kryetarit aktual nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri dhe kandidatit të PDK-së, Ferit Idrizi.

    Idrizi në bisedë për Gazetën Insajderi ka folur për koalicionet e mundshme për zgjedhjet e 17 nëntorit.

    Kandidati i PDK-së është shprehur i hapur për të gjitha partitë të cilat janë të interesuara të bashkëpunojnë. Tregoi se edhe ka kontaktuar me to dhe se është duke pritur përgjigje.

    “Ne shohim bashkëpunimin me secilën parti që nuk është në garë tani përjashto LDK-në me të cilën jemi në balotazh. Me të gjitha partitë e tjera as nuk kemi pasur në të kaluarën, as nuk tash nuk kemi vija të kuqe sepse demokracia ndërtohet duke bashkëpunu sidomos kur është fuqia e votës e shpërndame”, tha ai për Insajderin.

    Ferit Idrizi, kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë

    “Kemi pasur kontakte me disa parti deri tani, dhe kemi thënë që secila parti që shprehë interesimin për me qenë në koalicion ne jemi të hapur. Deri tani nuk kemi asnjë informatë kthyese prej partive. Jemi duke pritur”, tha kandidati për kryetar.

    Idrizi ka deklaruar se është i interesuar për një qeverisje stabile, andaj është i domosdoshëm koalicioni me ndonjë parti, pasi vet deri tani kanë vetëm 11 asambleistë.

    “Ne i kemi për momentin 11 asambleistë të 12-in po e presim me marrë, kështu që për shumicën e thjeshtë nevojiten 18 këshilltarë të Kuvendit kështu që duhet domosdo për ta pasur një qeverisje funksionale, stabile – unë jam shumë i interesuar me pas bashkëpunim edhe me partitë e tjera”, ka thënë i pari i PDK-së në Vushtri.

    Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka marrë 10 mijë e 57 vota apo 34.89 përqind kurse kryetari aktual i komunës Xhafer Tahiri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 9 mijë e 735 vota apo 33.77 përqind.

    Edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017 komuna e Vushtrrisë ishte në koalicion.

    E përballje mes PDK-së dhe LDK-së pati edhe në Vushtrri. Gara ishte sërish mes Ferit Idrizit dhe Xhafer Tahirit, qytetarët para katër vjetësh zgjodhën Tahirin e LDK-së. /Insajderi.org

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark