×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Pedro Paramo: “Rrafshina në flakë”- fragment tregimi

    Insajderi
    10 November 2023 - 21:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përktheu nga origjinali: Bajram Karabolli

    Hosétë, të dy bijtë e Buçes, qenë të parët që ngritën kokën, pastaj edhe trupin. Së fundi, nisën të çapiteshin tutje-tëhu, duke pritur që Pedro Zamora t’u thoshte diçka. Dhe ai foli e u tha:

    – Edhe një përpjekje tjetër si kjo dhe do të na farosin.

    Pastaj, papritur, sikur të mos e kapërdinte dot inatin, u bërtiti Hoséve:

    – E shikoj që babai juaj nuk duket gjëkundi, por mbajeni veten, mos e lëshoni veten! Do të shkojmë ta gjejmë!

    Një e shtënë bëri të ngrihej me furi një tufë gargujsh në shpatin përballë. Tufa e zogjve shkoi e ra buzë rrëzomës. Në fillim, fërfëllima e tyre erdhi mbi kokat tona, por, me të na parë, u trembën, bënë një gjysmë rrotullim, duke bërë fap-fap kundrejt diellit dhe pastaj i mbushën me cicërima pemët përtej në rrëzomë.

    Vëllezërit Hose u kthyen te vendi i tyre i mëparshëm dhe, në heshtje, u ulën galiç.

    Mbetëm ashtu deri në mbrëmje. Kur mori të binte nata, erdhi Shkurtabiqi i shoqëruar nga një prej Katërshes. Na thanë se kishin qenë atje poshtë te Guri i Lëmuar, ama nuk dinin të na thoshin nëse ishin tërhequr apo jo federalët, domethënë, forcat qeveritare. Në të vërtetë, kudo kishte pllakosur qetësia. Herë pas here, dëgjohej vetëm ulërima e kojotave .

    – Ej, ti Këlysh! – m’u drejtua mua Pedro Zamora. – Do të shkosh bashkë me Hosetë deri te Guri i Lëmuar, për të parë se ç’i ka ndodhur Buçes. Nëse e kanë vrarë, varroseni. Po ashtu të bëni edhe me të vrarët e tjerë. Të plagosurit i vendosni mbi diçka që t’i shohin ushtarët dhe mos sillni asnjë.

    – Mirë, do ta bëjmë.

    Dhe u nisëm.

    Kojotat dëgjoheshin më afër kur u sosëm te gardhi, ku kishim mbyllur kopenë e kuajve.

    Po atje nuk kishte më kuaj, kishte mbetur vetëm një gomar kockë e lëkurë që rrinte aty me kohë, para se të vinim ne. Me siguri që kuajt i kishin marrë federalët.

    Çfarë kishte ngelur nga Katërshja, i gjetëm prapa disa shkurreve. Ishin tre bashkë, të hedhur kapicë njëri mbi tjetrin. U shkundëm mirë kokat për të parë nëse ndonjëri jepte akoma shenja jete; por jo, tashmë kishin shkuar me kohë në botën tjetër. Te lera ishte një tjetër nga tanët, me brinjët përjashta, sikur ta kishin rrjepur e grirë me satër. Dhe, duke bredhur poshtë e lart, anës murit, i gjetëm edhe të tjerët, një aty e një këtu, që të gjithë me fytyrë të bërë sterrë.

    – Këtu qenka bërë batërdia, çdo gjë është e kotë, – tha njëri nga Hosétë.

    U vumë në kërkim të Buçes; nuk do t’ia vinim veshin asnjë tjetri, pa gjetur Buçen e famshëm.

    Nuk po e gjenim dot.

    «Duhet ta kenë marrë me vete, – menduam. – E kanë marrë me vete për t’ia treguar qeverisë.» E megjithatë, vazhdonim ta kërkonim gjithandej, edhe nëpër një kallame misri. Kojotat vazhdonin të ulërinin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark