×
  • Lajme
  • Insajderi

    Përfundon seanca për të dyshuarit në rastin e Bon Vivantit, flet avokati i “Italianit” për Insajderin

    Insajderi
    06 August 2023 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka përmbyllur seancën për të dyshuarit në rastin e Bon Vivantit, ku si pasojë e shkëmbimit me armë zjarri mbetën të lënduar 17 persona dhe një i vdekur.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar Fanol Krasniqin, avokatin e Andi Pajazitit, të njohur si “Italiani” i cili ka njoftuar se gjykata ende s’ka nxjerrë vendim për klientin e tij. Gjykata pritet të nxjerrë vendim përbrenda 48-orëve.

    “Nuk është marrë kurrfarë vendimi, përpara 20 minutave përfundoi. Gjykata e ka afatin ligjor përbrenda 48 orëve me marrë vendim. Ta shohim a do të merret vendimi sot apo nesër”, ka thënë ai.

    Krasniqi ka thënë se gjendja shëndetësore e klientit të tij është stabile, mirëpo i njëjti do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni në kraharorin e majtë.

    “Gjendjen, në këtë moment e ka stabile, por ditëve në vijim prapë ka me ju nënshtru një operimi në kraharorin e majtë, pritet që pas nënshtrimit të atij operimi se cila do të jetë procedura e ardhshme”.

    Ftesa për t’u afruar në tavolinë dhe sulmi me një shishe birre e nisi konfliktin që çoi deri në vrasje në lokalin “Bon Vivant” të Prishtinës.

    Gazeta Insajderi raportoi me burime se Hysi Geci (pjesëtar i FSK’së) mbrëmjen e së premtes ishte nën shoqërinë e Dukagjin Nikollajt i njohur me nofken “Duka”. Së bashku me ta ishte edhe Kastriot Ramadani i cili më vonë do të vritej.

    Të njëjtit e kishin ftuar Andi Pajazitin i njohur me nofkën “Italiani” në tavolinën e tyre. Për shkak të një konlfikti të mëhershëm ata e sulmuan “Italianin” me një shishe të birrës. Pas kësaj grupet nxorën armët dhe gjuajtën në drejtim të njëri-tjetrit.

    Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur katër persona. 39 vjeçari Kastriot Ramadani nuk iu shpëtoi plagëve të marra dhe humbi jetën në QKUK.

    Të lënduar nga përleshja mbetën 17 persona. Tre djem dhe 14 vajza.

    Hysi Geci, Gëzim Zakuti dhe Andi Pajaziti, deri më tani, ndodhen në masën e ndalimit policor.

    Në arrati ndodhet Dukagjin Nikollaj. Ai është një ndër personat më të kërkuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai dyshohet për trafik droge Kanada-Nju Jork. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark