×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Përplasja mes të birit të “Currit” dhe Mentor Beqirit, policia e ndalon këtë të fundit

    Insajderi
    16 April 2024 - 20:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përgjatë pasditës së të martës pati disa të shtëna me armë të zjarrit në Graçanicë. Insajderi raportoi ekskluzivisht se në konflikt ishin të përfshirë Amir Osmani, i biri i Ismet Osmanit të njohur si “Curri” dhe biznesmenit kontroverz Mentor Beqiri.

    Beqiri është njëri nga dy të ndaluarit në stacionin policor, merr vesh Insajderi.

    Burimet policore i thanë më herët Insajderit se i përfshirë në këtë ndjekje me vetura dhe gjuajte me armë është edhe i biri i Ismet Osmanit, Amir Osmani. Ky i fundit ka qenë në ndjekje nga biznesmeni kontroverz Mentor Beqiri.

    Krejt kjo përplasje ka nisur për një borxh prej 10 mijë eurove, për të cilën Mentor Beqiri pretendon se ia ka Amir Osmani. Kjo ka qenë arsyeja pse e ka ndjekur atë.

    Të dyja veturat në vendin e ngjarjes, sipas burimeve të Insajderit janë në pronësi të grupit të Mentor Beqirit.

    Lidhur me këtë rast, Insajderi kontaktoi me avokatin e biznesmenit Beqiri, Musa Damati, i cili ka thënë se s’është në dijeni për një gjë të tillë. Ai ka ripotencuar faktin se Beqiri posedon armë me leje për shkak të natyrës së bizneseve.

    “Në cilësinë e avokatit, unë dje kam pasur takim me klientin tim dhe nuk kam njohuri se i njëjti është i përfshirë në ndonjë incident me armë. Përveçse konfirmoj se klienti im si afarist me përmasa ndërkombëtare gëzon edhe armëmbajtje me leje dhe atë armëmbajtje 24-orëshe, do të thotë me të drejtë të lëvizjes me armë për shkak të nivelit të tij si biznesmen me përmasa ndërkombëtare dhe për shkak të kërcënimeve që ndërlidhen me natyrën e punës së tij”, deklaroi Damati për Insajderin.

    Policia e Kosovës bëri të ditur se lidhur me rastin janë shoqëruar dy persona në stacion policor.

    “Rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Llapnasellë -Graqanicë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet fillestare nuk raportohet për persona të lënduar. Deri tani në stacion policor janë shoqëruar në stacion dy persona të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit”, tha Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark