×
  • Lajme
  • Insajderi

    Përplasja për grevën, Selmani i Shoqatës së Mjekëve i kundërpërgjigjet Tevide Imerit: Dinë me kriju këso ‘gjurulldish’

    Insajderi
    26 August 2022 - 14:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Me fillimin e grevës së përgjithshme nga shërbyesit civilë janë shpërfaqur edhe pakënaqësi tjera. Një përplasje në distancë ka filluar mes Federatës së Mjekëve të Kosovës (FSSHK), që kryesohet nga Tevide Imeri dhe Shoqatës Sindikale të QKUK-së në krye me Xhemajl Selmanin. Përderisa Imeri ka dalë kundër grevës së nisur nga BSPK-së, Selmani po e përkrahë atë.

    Kryesindikalistja, Tevide Imeri sot për Insajderin tha se nënkryetari i Shoqatës Sindikale të QKUK-së, Agron Kryeziu, iu kishte konfirmuar përmes telefonit se janë në një linjë me ta. Por këtë po e mohon kryetari i Shoqatës, Xhemajl Selmani.

    Selmani i tha Gazetës Insajderi se Kryeziu ndodhet në pushim vjetor, por që përfaqëson interesat e Shoqatës, rrjedhimisht nuk është në të njëjtin qëndrimin me FSSHK-në.

    Ndërkohë akuzoi Tevide Imerin për situatën e krijuar duke thënë “dinë me shkaktu këso gjurulldish”.

    “Zotëri nënkryetar është në pushim vjetor në Sarandë dhe me sa e di unë është në linjë me shoqatën tonë të cilën e përfaqëson, zonja Imeri dinë me shkaktu këso gjurulldish dhe me kalu në çështje personale”, tha Selmani për Insajderin.

    Selmani më tej tha se në reagimin e tij nuk ka përmendur Imerin por gjithë federatën e quan të paligjshme.

    “…Sepse unë asnjëherë në reagimin tim nuk e kam përmendur zonjën Imeri. Unë emra nuk kam përmend, komplet ajo kryesi që e ka brenda është e paligjshme”, deklaroi ai.

    Ndërkaq, Kryetarja e FSSH-së i tha Insajderit se kryetari i Shoqatës së QKUK-së, Xhemajl Selami ka inate personale me të.

    “Dje kemi kontaktuar me Shoqatën Sindikale të QKUK-së dhe ata kanë thënë se nuk dojmë me marrë pjesë se jemi në proces gjyqësor. Në mbledhjen e kryesisë kanë qenë të gjithë përfaqësuesit regjional, e dyta nënkryetari i këtij, Agron Kryeziu i doktor Xhemajl Selmanit të parit të Shoqatës në SHSKUK ka thënë që qëndrimi juaj është edhe i joni, këtë e ka bërë të ditur përmes një telefonate”, deklaroi Imeri për Insajderin.

    Imeri përmendi edhe faktin që Selmani ndodhet në një proces gjyqësor, gjë që sipas Selmanit ndodhet për shkak se iu mohua e drejta për kandidaturë.

    “Është e vërtetë që jam proces gjyqësor,  kemi ngritë padi ndaj disa individëve të cilët na kanë mohuar kanidaturën mua dhe Blerim Sylës. Jemi proces gjyqësor edhe ne edhe federata dhe po presim”, u shpreh kreu i Shoqatës Sindikale të QKUK-së.

    Kryetarja e Sindikatës së Mjekëve në Kosovë e ka akuzuar Selmanin për keqpërdorim të shoqatës teksa është shprehur e bindur se do të punojë sipas saj për t’ia përmirësuar imazhin Sindikatës.

    “Shoqata Sindikale e QKUK-së në kohë të pandemisë ka dërguar 600 punëtorët shëndetësorë ndërsa i ka 1600- 700 anëtarë shoqata, dhe bën tendere 80 mijë euro, i dërgon 12 autobusë e lenë shërbimin keq, i ngarkon kolegët e vet të cilët shkojnë, në vend se me punu tre infermierë punon një që kam pasur ankesa të vazhdueshme”, ka akuzuar Imeri, Selmanin.

    “Ata sindikatën janë duke e parë më shumë si tallava dhe për ekskursione, unë e kam fituar votën dhe në asnjë  mënyrë nuk ka me shku kështu. Të hyrat do t’i shfrytëzojmë veç për aktivitet sindikal e jo për tallava e ekskursion, kemi me u marrë ekskluzivisht me drejtën e punëtorit, thjeshtë jam duke dashtë me ia ndryshu imazhin federatës jo me shku qysh ka shkuar në të kaluarën”, ka thënë ajo.

    Një ditë pas grevës, Shoqata Sindikale e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka dalë në mbështetje të grevës së përgjithshme të punëtorëve.

    Shoqata përmes një njoftimit për media të premten, ka thënë se kërkesat e tyre për rritjen e mirëqenies së punonjësve shëndetësor, janë injoruar nga qeveria aktuale.

    “Duke pasur parasysh parimin bazë të sindikalizmit – solidaritetin, ne anëtarët e shoqatës sindikale të QKUK, i përkrahim kërkesat e SBASHK-ut dhe administrates publike. Kërkesat tona për rritjen e mirëqenies së punonjësve shëndetësor dhe ngritjen e cilësisë së shërbimit, në vazhdimësi janë injoruar por kapakun ia ka vu kjo qeveri e cila me paturpësinë më të madhe deklarohet me orientime – Socialdemokrate, ndërsa veprimet e ndërmarrura e rangojnë në qeveri autokratike dhe ekstremisht djathtiste, këtë e dëshmon veprimi ndëshkues i ndërmarrur dje, karshi punonjësve grevist, në vend që të ulet në dialog social për të zgjedhur hallet dhe problemet e shumta të të klasës punëtore, halle këto të cilat janë rritur shumë nga inflacioni gallopant”, thuhet në njoftim.

    “Sa i përket deklarimit të djeshëm të FSSHK e cila është prononcuar kundër solidarizimit me grevën e kolegëve të SBASHK-ut dhe administratës publike, kjo udhëheqje e kundërligjshme, e dalur nga procesi i manipuluar zgjedhor, e ndihmuar nga këta pushtetarë dhe segmente të caktuara të partisë më të madhe opozitare – janë në borxhe politike, andaj nuk mund ta ngrisin kokën dhe ti mbrojnë interesat e klasës punëtore të RKS e besa as të punonjësve shëndetësor”, vijon reagimi.

    Sindikata po ashtu ka fajësuar politikbërjen për gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia.

    Kujtojmë se dje zëvendëssekretari i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu kërkoi dje nga BSPK listën e shërbyeseve civilë që kanë shkuar në grevë, në mënyrë që të ju ndalohet paga. Ky veprim i qeverisë ka nxitur reagime të shumta në favor të sindikatave.

    Në anën tjetër kryeministri i vendit, Albin Kurti ende nuk ka thënë asnjë fjalë për krejt këto zhvillime.

    Pavarësisht këtyre, greva po vazhdon edhe sot. BSPK po kërkon nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik deri në miratimin e Ligjit për Paga.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark