×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Personaliteti i njeriut nuk është i skalitur në gur

    Insajderi
    22 February 2023 - 20:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    A keni dëshiruar ndonjëherë të jeni një njeri më i organizuar apo më i shoqërueshëm me të tjerët? Apo të jeni më kreativ dhe origjinal? Apo ndoshta jeni një njeri që stresoheni vazhdimisht edhe për gjërat më të vogla, ndaj do të preferonit të ishit paksa më i shkujdesur?

    Nëse jeni duke menduar ndonjë nga këto gjëra, nuk jeni aspak i vetmi. Një numër sondazhesh tregojnë se të paktën 2/3 e njerëzve do të donin të ndryshonin disa elementë të personalitetit të tyre. Në të kaluarën, dëshira të tilla dukeshin të kota. Mendohej se personalitetet tona formoheshin në fëmijëri dhe të qëndronin të tilla gjatë gjithë jetës.

    Ashtu si përralla me leopardin që nuk mund të ndryshonte asnjëherë njollat ​​e tij të zeza në trup, besohej se edhe virtytet dhe të metat tona, ishin të endura në “pëlhurën” e psikikës sonë. Megjithatë, kërkimet e fundit shkencore e kanë ndryshuar pritshmërinë mbi qëndrueshmërinë e personalitetit.

    Me strategjitë e duhura psikologjike dhe me përpjekje të mjaftueshme, shumë njerëz mund të modifikojnë me sukses tiparet e tyre thelbësore të personalitetit të tyre. Ekzistojnë shumë mënyra për të matur personalitetin e një njeriu, por shumica e studimeve janë përqendruar tek 5 tipare specifike që mendohet se përfshijnë karakteristikat tona më themelore.

    Ato janë:ekstraversioni, pra sa dashamirës dhe i shoqërueshëm jeni; ndërgjegjshmëria, sa i organizuar dhe i disiplinuar jeni; pajtueshmëria, sa i shqetësuar jeni për harmoninë sociale; neurotizmi – sa nervoz dhe i ndjeshëm jeni; dhe të qenit të hapur ndaj përvojave, sa imagjinues dhe kureshtarë jeni.

    Në mijëra studime, psikologët kanë treguar se rezultatet e njerëzve në këto 5 tipare, mund të parashikojnë rezultate të rëndësishme në një sërë fushash. Për shembull, njerëzit që kanë rezultate të larta për ndërgjegjshmërinë, marrin nota më të mira në shkollë dhe fitojnë më shumë.

    Ndërkohë, ata që renditen më lart për neuroticizëm janë më të predispozuar ndaj stresit, gjë që ka efekte negative për shëndetin e tyre. Gjenet tona luajnë sigurisht rolin e tyre, dhe kjo është arsyeja pse personalitetet e njerëzve pasqyrojnë shpesh tiparet e prindërve të tyre biologjikë, dhe përse binjakët identikë janë më të ngjashëm midis tyre sesa vëllezërit e motrat jo identikë.

    Dikur mendohej se ndikimi i mjedisit tonë shoqëror përfundonte në fillim të moshës madhore, pasi truri e arrinte pjekurinë. Nëse kjo gjë do të ishte e vërtetë, nuk do të prisnit që personalitetet e të rriturve të ndryshonin natyrshëm me kalimin e kohës, dhe as do të ishte i mundur që personaliteti të formësohej sipas dëshirës.

    Por profesori i psikologjisë Natan Hadson ka treguar të kundërtën. Në një test 15-javor me afro 400 persona, pjesëmarrësit pranuan mesatarisht 2 sfida çdo javë. Me kushtin që ata t’i kryenin këto detyra, tiparet e tyre zhvendoseshin në drejtimin e dëshiruar, sipas një pyetësori standard mbi 5 tiparet kryesore.

    Rezultate të ngjashme u panë tek një eksperiment i mëvonshëm, që përdori një aplikacion smarfon për të trajnuar pjesëmarrësit mbi 5 tiparet e tyre të mëdha më të dëshiruara. Më e rëndësishmja, ky studim përfshiu një kampion shumë më të madh me 1500 njerëz.

    Dhe përveç pyetësorëve tipikë të vetë-raportimit, studimi u kërkoi miqve dhe familjes së pjesëmarrësve të vlerësonin personalitetet e tyre para dhe pas ndërhyrjes. Dallimet ishin ende të dukshme tre muaj pas përfundimit të eksperimentit. Siç thoshte Aristoteli më shumë se 2300 vjet më parë, ne bëhemi ajo që bëjmë vazhdimisht.

    Ndryshueshmëria e papritur e mendjeve tona, duhet të jetë një lajm i mirë për cilindo që dëshiron të jetë pak më i shoqërueshëm, më i organizuar apo më i lumtur. Një përfitim tjetër i mundshëm, është se ndërgjegjësimi mbi këtë studim mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit mendor.

    Gjendje të tilla si depresioni dhe ankthi, karakterizohen shpesh nga ndjenja e pafuqisë: njerëzit besojnë se ndjenjat negative janë vetëm një pjesë e asaj që ata janë, dhe ka shumë pak gjëra që mund të bëhen për t’i ndryshuar ato. Kjo mund t’ua shtojë trishtimin dhe shqetësimin me të cilin përballen, dhe mund t’i bëjë ata më rezistentë ndaj trajtimit ose ndryshimit të stilit të jetesës që mund të shpejtojë shërimin e tyre.

    Po sikur edukimi i njerëzve me potencialin e tyre për ndryshimin e personalitetit, t’i vendosë ata në një trajektore më pozitive? Për të testuar këtë ide, Xhesika Shlaider, asistent/profesore psikologjisë klinike në Universitetin Stoni Bruk, Nju Jork, dhe Xhon Vaiz, profesor i psikologjisë në Universitetin e Harvardit, zgjodhën një grup prej rreth 100 adoleshentësh që kishin shfaqur më parë shenja ankthi ose depresioni.

    Këta të fundit ndoqën një kurs të shkurtër, që u shpjegoi shkencën e plasticitetit të trurit, krahas deklaratave të studentëve më të rritur në moshë, të cilët folën për mënyrat se si ishin rritur gjatë viteve të tyre të shkollës. Më pas atyre iu dhanë fletë pune për të konsoliduar njohuritë që kishin mësuar.

    Kur Shlaider dhe Vaiz kontrolluan shëndetin mendor të adoleshentëve 9 muaj më vonë, studentët raportuan një rënie të ndjeshme të ankthit dhe depresionit të tyre, krahasuar me ata që kishin marrë pjesë në një kurs për “shprehjen e emocioneve”.

    E njëjta strategji është testuar edhe në mjedise të tjera, me një numër më të madh pjesëmarrësish, dhe janë vërejtur rezultate po aq pozitive. Mësimi i njerëzve me rritjen e personalitetit të tyre nuk është një ilaç. Por këto rezultate, sugjerojnë se ai mund të jetë një mjet i dobishëm për të ndihmuar në ndërtimin e një qëndrueshmërie psikologjike më të madhe.

    Pavarësisht nëse po përballeni me probleme serioze apo doni thjesht të zbusni disa nga aspektet më të vrazhda të karakterit tuaj, është qetësuese ta dini se kjo gjë është në fund të fundit në duart tuaja. ADN-ja dhe edukimi ynë mund të na predispozojnë për disa tipare, por ne kemi gjithashtu fuqinë për të formësuar veten tonë të ardhshme.

    Shënim: David Robson, është autor i libri “Efekti i Pritshmërisë:Si mendimi juaj mund të transformojë vetë jetën tuaj”. / “The Guardian” – Bota.al

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark