×
Insajderi / Insajderi

Plagosja në veri – çfarë tha Policia në mëngjes, dhe çka pasdite?

Insajderi
11 April 2023 - 15:55
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Një person ka mbetur i plagosur nga përfshirja me armë zjarri mbrëmë rreth orës 23:48 në veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës tha në mëngjes se ky institucion nuk është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri.

“Andaj, bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendrën spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë”, njoftoi Policia, shkruan Gazeta Insajderi.  

Por, vetëm pak orë më pas – Policia konfirmoi se një zyrtar i saj është përfshirë në gjuajtjen me armë, duke suspenduar të njëjtin.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”, zbulon njoftimi i Policisë.

“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, shkruan tutje në njoftim, shkruan Gazeta Insajderi.

Millan Jovanoviq, i cili mbrëmë vonë u transportua në QKS në Mitrovicën e Veriut, pasi u plagos në afërsi të urës së Bistricës afër Zveçanit, ka thënë se gjithçka ka ndodhur kur ai po kthehej në shtëpi nga Leposaviqi dhe se nuk është i sigurt se kush e ka plagosur.

“Mbrëmë, pasi u ktheva nga Leposaviqi poshtë në Bistricë, pasi kalova nëpër postbllok, dëgjova një të shtënë dhe një dhimbje në shpatull. Nuk mund të jem 100% i sigurt se kush qëlloi, por “nuk besoj se ka pasur njeri tjetër atje përveç ushtrisë dhe policisë së tyre”. Dëgjova plasaritjen e xhamit prapa dhe përpara dhe sinqerisht u tremba, vazhdova, u nisa për në shtëpi. Arrita në deri në vendin e quajtur “Guri i larmë” dhe çfarë ndodhi më pas, ku është vetura, kush më solli, nuk e di”, ka thënë Jovanoviq.

Pas pranimit në QKS në Mitrovicën e Veriut, Jovanoviq është operuar në repartin e kirurgjisë dhe sipas kirurgut kujdestar, ai është jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij ende po monitorohet, shkruan Gazeta Insajderi.

Ndryshe, Lista Serbe ka fajësuar forcat speciale të Kosovës për plagosjen e serbit Milan Jovanoviq mbrëmë në urën e Bistricës në Leposaviq.

Në një njoftim për media, Lista Serbe ka kërkuar tërheqjen e të gjitha njësive speciale në veri dhe të publikojnë kamerat e sigurisë në urën ku ndodhi mbrëmë plagosja.

“Forcat speciale të Kurtit të cilët janë prezent ilegalisht në veri të Kosovës edhe një herë kanë derdhur gjak serb dhe kanë tentuar ta vrasin bashkëqytetarin tonë Milan Jovanoviq nga Zveçani në urën e Bistricës”, ka shkruar Lista.

“Kjo pikë famëkeqe, ilegale e forcave speciale shqiptare është bërë simbol i represionit të regjimit të Albin Kurtit mbi serbët, me ç’rast u tentua vrasja e një serbi për herë të dytë. Zemërimi shtesë i qytetarëve provokon konstatimin se përgjegjësit për sulmet ndaj serbëve po fshihen nga autoritetet më të larta në Prishtinë dhe ministri përgjegjës Xhelal Sveçla, i cili padyshim mbështet veprimet e paligjshme të këtyre njësive”, thanë nga kjo parti, shkruan Gazeta Insajderi.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark