×
  • Lajme
  • Insajderi

    Planet serbe kundër shqiptarëve në Luginë, “Ballkani i Hapur” e veprimet e Qeverisë kosovare për atë pjesë, Kamberi flet për Insajderin

    Insajderi
    07 August 2022 - 10:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Politikani nga Lugina e Preshevës, njëherësh zëri i paktë, që në trajtë institucionale përfaqëson e mbron interesat popullsisë shqiptare në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi në një intervistë dhënë për gazetën Online, Insajderi, ka ngritur alarmin për dhunën sistematike të shtetit serb karshi shqiptarëve të Kosovës lindore.

    Duke denoncuar politikat që aparati shtetëror serb po aplikon karshi shqiptarëve të Luginës, deputeti shqiptar i Kuvendit të Serbisë, tha se kjo e fundit po rrezikon ekzistencën e shqiptarëve. Kamberi po ashtu evokoi planet fashiste ndaj shqiptareve nga eksponenti Millosheviqit, Ivica Daçiq, aktualisht kryekuvendar i Serbisë. 

    Së këndejmi, reprezentuesi shqiptar në institucionin serb, ka folur edhe për dy projektet politike, të cilat janë inauguruar relativisht rishtazi: Shkëmbimin e territoreve dhe idenë e “Ballkanit të Hapur”.

    Më poshtë mund ta gjeni intervistën e plotë:

    Gazeta Insajderi: Prej dekadash kemi zbrazje e shpërngulje të banorëve nga ana e Malësisë së Bujanocit për në Perëndim ose gjetkë. Si është gjendja aktuale.

    Shaip Kamberi: Diskriminimi shtetërorë i imponuar nga shteti serb, e që po prekë secilën pore të jetës, vazhdon të ndikojë në rritjen e migrimit, sidomos të të rinjve. Metodat e diskriminimit që po ngushtojnë hapësirën e jetesës dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve, janë prezente në njëzet vitet e fundit. Ato nuk u eliminuan as pas tre marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë, që kishin për qëllim avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

    Refuzimi i integrimit të barabartë në institucionet shtetërore e publike, mungesa e perspektivës ekonomike, mosnjohja diplomave, tensionimet e vazhdueshme të situatës së përgjithshme dhe prezenca e forcave ushtarake me disa mini – bazave në kufi me Kosovën, janë disa nga shkaqet e gjendjes së rëndë që po ndikon në migrimin gjithnjë në rritje.

    Gazeta Insajderi: Në kohën e ish- ministrit ‘famëkeq’ të Brendshëm, Ivica Daçiq, nxiteshin serbët lokal për të kërkuar ndarjen etnike të Bujanocit, duke ndarë qytetin dhe duke krijuar komuna të reja. A po përpiqen ta bëjnë ende një gjë të tillë?

    Shaip Kamberi: Ideja e ndarjes së Bujanocit në dy komuna sipas vijës etnike ishte një ide e lansuar nga qarqet serbë që më 2002. Pas përfundimit të luftës së UÇPMB-së, dhe organizimit të zgjedhjeve lokale sipas sistemit proporcional, që bëri të qartë se serbët pakicë në Bujanoc do të humbnin dominimin e kësaj komune, për herë të parë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ishte Bashkësia ndërkombëtar edhe trysnia e saj mbi autoritetet në Beograd ajo që nuk lejoi zhvillimin e kësaj ideje. Edhe sot ka qarqe të caktuara që mundohen ta ringjallin, por për momentin asgjë serioze.

    Gazeta Insajderi: A mendoni se aktualizimi i opsionit të shkëmbimit territorial – që vite më parë u bë temë në opinion – do të ishte zgjidhje për këtë pjesë të Luginës?

    Shaip Kamberi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës që më 1992 kanë bërë deklarimin e vet politik në Referendumin e 1 dhe 2 marsit për Autonomi  politiko – territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Serbia si një shtet centralist, edhe sot, nuk po dëshmon se ka kapacitete demokratike për të zgjidhur problemet e shumta të pakicave, prandaj, Autonomia shihej si mekanizëm i veçantë përmes të cilës duhet realizuar ato të drejta. Bazuar në deklarimin në Referendum, ideja e bashkimit me Kosovën, në Luginë të Preshevës  u duk atraktive. Por, çështja ishte sa ishte e realizueshme ajo ide pa lejuar copëtimin e Luginës së Preshevës të cilën e ndanë mes për mes Korridori 10 dhe hekurudha Beograd-Selanik?

    Një ide e këtillë jo që nuk pati mbështetjen në Bashkësinë ndërkombëtare, por, ajo nuk  gjeti mbështetje as në Kosovë.

    Prandaj, për ne sot, si imperative, shtrohet që problematika e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe realizimi i të drejtave të tyre të munguara, të trajtohen në dialogun e Brukselit, përmes aplikimit të parimit të reciprocitetit me të drejtat e serbëve në Kosovë.

    Gazeta Insajderi: Tash e sa kohë në arealin ballkanik po mbizotëron ideja  – projekti ekonomiko – politik, “Ballkani i Hapur”. Ky projekt, siç e dimë, për ideatore dhe promotore kryesore e ka Serbinë, rrjedhimisht ushtrimi i hegjemonisë do t’i takojë Serbisë, mandej kjo e fundit bashkë me participuesit e tjerë të projektit në fjalë, po na e prezantojnë atë (Open Ballkanin) si alternativë karshi BE-së? Në këtë kontekst, cili është qëndrimi juaj në raport me këtë projekt i cili po i kontribuon edhe më tutje thellimit të antagonizmave në Ballkan, përfshirë edhe atyre ndërshqiptarë, përkatësisht Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

    Shaip Kamberi: Për më tepër se një shekull, raportet mes popujve të Ballkanit karakterizohen me antagonizma të thella e disa herë ato janë përshkuar edhe me luftërat e ndërsjella (Luftërat Ballkanike, Lufta e Madhe dhe Luftërat e viteve, 90-ta, kjo për shkak të pretendimeve imperialiste territoriale të disave ndaj të tjerëve.

    Duke parë të kaluarën, duket se ideja e bashkëpunimit mes kombeve të Ballkanit, sidomos meqë së paku formalisht, gjithë kanë aspirate për t’u bërë anëtarë të BE-së, duhet të jetë e ardhmja e popujve të Ballkanit. Megjithatë, një iniciativë e cila ka për qëllim për të ndërtuar raporte të reja mes këtyre popujve nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e gjithë popujve dhe shteteve që përbëjnë Ballkanin Perëndimor, edhe atë sot të barabartë. Pra, si iniciativë, Open Ballkan, nuk mund të jetë i plotë derisa pjesë e tij, me status të barabartë, të mos bëhen gjithë shtetet.

    Për mua është problematik një koncept tjetër politik i lansuar në Beograd, ai i “Botës serbe”, që në esencë nënkupton vazhdimin e tendencave të Serbisë për të ndikuar në të gjitha shtetet e rajonit ku jetojnë serbët. Si koncept i kontrollit nga shteti serb i të gjithë serbëve që jetojnë në rajon, po dëshmohet destabilizues, sikurse në BiH, Mal të Zi e veçanërisht në Veriun e Kosovës, prandaj, vështirë të jetë e sukseshme një ide bashkëpunimi e cila në të njëjtën kohë minohet nga konceptet hegjemoniste.

    Për mua problem kryesor i Ballkanit, pa të cilin nuk mund të jetë e suksesshme asnjë ide apo iniciativë bashkëpunimi, janë raportet Kosovë-Serbi, respektivisht, refuzimi i Serbisë që me Kosovën të normalizojë raportet, në suaza të një marrëveshje gjithë përfshirëse me njohje reciproke.

    Gazeta Insajderi: Duke qenë se estabilishmenti ekzistues në Serbisë është një atavizëm, përkatësisht trashëgimtar i regjimit fashist, që inicioi përgjakjen e Ballkanit; si përfaqësues i vetëm i shqiptarëve në institucionet qendrore serbe, sa po keni hapësirë t’i artikuloni kërkesat, interesat dhe preokupimet e popullsisë shqiptare, përballë politikave fashiste të Serbisë?

    Shaip Kamberi: Në legjislacionin e shkuar, jam munduar që në mënyrë aktive, të prezantojë problematikat jetike të shqiptarëve. Si shef i të vetmit grup parlamentar opozitar në mesin e 250 deputetëve, unë kam prezantuar jo vetëm kërkesat e shqiptarëve, por, edhe nevojën e domosdoshme të demokratizimit të shoqërisë në Serbi, duke kërkuar ndërprerjen e politikës së diskriminimit, mohimit të krimeve të luftës dhe ndërprerjen e glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës. Në asnjë moment, shumica parlamentare nuk ka shprehur gatishmëri, për të biseduar në mënyrë serioze këto tema. Në fakt ajo ka vazhduar me politikën e vet të mohimit të diskriminimit, mohimit të krimeve të luftës dhe glorifikimit të kriminelëve të dënuar.

    Ndaj qeverisë së re, në emër të Koalicionit të shqiptarëve të Luginës, presidentit serb, i kam dorëzuar me shkrim, kërkesat për ndërmarrjen e masave  të cilat ne i konsiderojmë të domosdoshme për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve. Presim dhe shohim si do të zhvillohen gjërat. Rrethanat e reja gjeopolitike, agresioni rus mbi Ukrainën e kanë sjellë Serbinë në një situatë në të cilën ajo përfundimisht, pas krijimit të qeverisë së re, do të duhet të pushojë me politikën e balancimit mes Lindjes dhe Perëndimit. Në këtë kontekst, duke besuar se kërkesat e tona janë të drejta dhe legjitime, ky shtet do të detyrohet të ballafaqohet me kërkesat tona.

    6. Javën që shkoi, pjesa veriore e Republikës së Kosovës e rikonfirmoi statusin e një vatre konfliktuoze, kjo pasi strukturat eksponente të pushtetit në Serbi provokuan ringjalljen e tensioneve ndëretnike. Së këndejmi, më 1 shtator, Qeveria e RKS do të kthejë masën e reciprocitetit karshi Serbisë, në këtë kontekst, a ndjeni që eskalimi i situatës në Kosovë për epilog mund ta ketë ekspozimin, apo larg qoftë nënshtrimin e shqiptarëve të Luginës ndaj ndonjë skenari hakmarrjes ne trajtë të dhunës a terrori?

    Shaip Kamberi: Reciprociteti si masë ndaj Serbisë, që buron nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel është e drejtë legjitime e Kosovës. Situata  e javës së shkuar vetëm rikonfirmoi edhe një herë instrumentalizimin e serbëve të veriut, nga ana e Serbisë. Poashtu ajo dëshmoi sa e brishtë është situata, prandaj edhe sa e nevojshme është që marrëveshja finale të arrihet.

    Ne shumë herë e kemi deklaruar që Lugina e Preshevës është peng i raporteve jonormale  që Serbia ushqen ndaj Kosovës. Në shumë raste eskalimi i situatës në Kosovë, ka ndikuar negativisht edhe në Luginë të Preshevës, prandaj edhe nuk do të ishte e papritur që edhe kjo situatë e fundit të ndikojë negativisht në Luginë të Preshevës. Megjithatë, besoj që është Bashkësia ndërkombëtare ajo, që nuk do të lejojë Serbinë, sidomos antishqiptarin në fytyrën e  ministrit të policisë serbe, që të shfryjë inatet në Luginë të Preshevës. / Gazeta Insajderi/ Vanesa Zhugolli

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark