×
Insajderi / Insajderi

“Plani ‘franko-gjerman’ nuk e adreson njohjen në rrafshin formal”

Insajderi
17 November 2022 - 23:49
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka dhënë detaje sa i përket planit që tashmë e ka marrë termin ‘franko-gjerman’. Ai ka thënë se ky plan nuk përbën epilog pasi nuk e adreson në mënyrë të plotë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që kemi ndarë edhe në të kaluarën kemi thënë se ky plan nuk përbën epilog sepse nuk i trajton të gjitha çështjet e mbetura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk e adreson në mënyrë të plotë brengën tonë kryesore që është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk kërkon nga palët që ta njohin njëra – tjetrën në rrafshin formal. De-facto është diçka tjetër, por de-jure nuk e kërkon. Kjo mund të futet në pakon le të themi e pranon si realitet, por nuk e njeh formalisht”, ka theksuar Bislimi në “RTK Prime”.

Ai ka shtuar se pala kosovare ka kërkuar që njohja të jetë në qendër.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë e ka marrë emrin normalizim i plotë, a mendoni se diçka mund të quhet normalizim i plotë nëse nuk e ka edhe njohjen brenda?. Prandaj, po them se nuk është epilog sepse nënkupton se duhet edhe një fazë tjetër që pastaj e merr epilogun procesi”, ka shtuar Bislimi.

Në pyetjen se a ka brenda këtij plani Asociacion të Komunave me shumicë serbe ai ka thënë se nuk ka Asociacion, por se “plani i ka pikat e veta, ku natyrisht si pikë janë edhe të drejtat e minoriteteve”.

Sa i përket transparencës së dialogut ai deklaroi se “është një proces shumë i rëndësishëm dhe në procese të tilla më e rëndësishmja është rezultati final. A është Kurti e Bislimi transparent, është më pak e rëndësishme sesa a do të arrihet një rezultat optimal  në fund të këtij procesi”.

Sa i përket termit ‘plani franko-gjerman’, Bislimi u shpreh se nuk ka ardhur një emërtim i tillë nga pala kosovare.

“Për herë të parë është thënë në Beograd nga Vuçiqi, që ka thënë se ka një plan franko-gjerman me mbështetjen e SHBA-së dhe Turqisë. BE nuk e ka kundërshtuar dhe rrjedhimisht kjo është futur në zhargon, ku pastaj secili ka folur për planin franko-gjerman apo gjermano-francez. Por javën e kaluar Borelli ka thënë se “plani është i imi, por që e gëzon mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe SHBA-së”, ka shtuar Bislimi.

OP-ED
Nga Rubrika
Insajderi
01 September 2023

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark