×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Po tentojnë të më eliminojnë nga gara”, Maqastena frikësohet se po përgatitet plan kundër tij nga Bulliqi

    Insajderi
    08 September 2022 - 14:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Garë e ashpër është duke u zhvilluar për të parin e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë. Një plan eliminimi ka ‘luhatur’ kandidaturën e Bedri Maqastenës, kundër kryetarit aktual Shpejtim Bulliqi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Se fitues nga kjo garë mund të dal Maqastena duket se ka ‘frikësuar’ kundërkandidatin Bulliqin. Procesi i brendshëm zgjedhor në këtë degë mund të bëhet më i lehtë për kryetarin aktual, pasi ekziston mundësia e eliminimit të Maqastenës.

    Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Gazetën Insajderi, Bedri Maqastena, i cili tha se zyrtarisht ende nuk ka marrë ndonjë njoftim për ndërprerjen e kandidaturës së tij, por se disa zëra po qarkullojnë.

    Një ndër arsyet që mund të dërgojë në eliminimin e tij, Maqastena thotë se mund të jetë premtimi i kësaj pozite për dikë tjetër.

    “Asgjë nuk kam zyrtare, disa zëra po qarkullojnë për një vendim për pezullimin e kandidaturës time, mirëpo zyrtare nuk kam asgjë. Unë po e vërejë që eliminimi mund të vij për shkak se ia kanë premtuar dikujt tjetër këtë pozitë dhe nuk po dëshirojnë me pas garë demokratike në proces”, tha Maqastena për Insajderin.

    Sipas Maqastenës, nuk është vetëm emri i tij i cili po lakohet për eliminim, janë edhe disa anëtarë të tjerë.

    Ky ‘brumë’ që po zihet është në duart e një grup njerëzish, që sipas Maqastenës nuk din çfarë kanë para vetes dhe nga kush po marrin miratim.

    “Nuk besoj që është një person, po një grup njerëzish që nuk e din çfarë kanë para vetes mirëpo janë një grup njerëz që e vlerësojnë këtë punë. Nuk e di a e kanë marrë miratimin e dikujt për eliminimin të kandidatëve sepse nuk po flitet vetëm për emrin tim por edhe për eliminime tjera siç po e shoh unë”, tha Maqastena.

    ‘Nëse nuk e marrë unë qendrën në dorë mund të largohem prej pozitës’, është një nga kërcënimet që kryetari Bulliqi po e ushtron brenda anëtarëve të partisë, thotë Maqastena.

    Ai shtoi, se ky lloj shantazhi mund t’i ketë shtyrë që shumica e anëtarëve të bien pre e tij.

    “Në Podujevë jemi vetëm dy kandidatë, kryetari aktual i komunës dhe unë. Unë mendoj se nëse këta më kanë eliminuar mua më shohim si kandidatë potenciale që mundem me fitu garën. Kryetari aktual sipas informacioneve jo zyrtare i ka kërcënuar delegatët nëse nuk e marrë unë qendrën në dorë mund të largohem prej pozitës, njëfarë shantazhi ju ka bërë dhe ka gjasa që kanë rënë pre e shantazhit të tij”, shtoi ai për Insajderin.

    Tutje, Maqastena shtoi se nuk kanë asnjë bazë për eliminim e tij, pasi ka mbi 10 vite aktivizëm dhe nuk ka bërë asnjë shkelë statusore brenda partisë.

    “Nuk kanë asnjë bazë për të më eliminuar mua, pasi ka përmbi 10 vite që jam aktivist dhe asnjëherë nuk kam bërë shkelje statusore brenda subjektit politik dhe nuk bie ndesh me asnjë pikë statusore të Lëvizjes”, tha më tej Maqastena për Insajderin.

    Në rast se ky vendim zyrtarizohet, Maqastena tha se së pari do ta shoh çfarë shkruan në vendim pasi nuk e di se si e kanë arsyetuar këta, nëse vërtet ka një vendim për eliminim

    Krahun e Maçastenës në këtë garë të brendshme pritet ta mbajnë edhe drejtorët e shkarkuar ditëve të fundit nga kryetari Shpejtim Bulliqi dhe shefi i asamblistëve të VV-së.

    Kush është Bedri Maqastena?

    Bedri Maqastena nuk është emër i panjohur në Llap. Si djali i ri i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftën kundër okupatorit serb. Atëherë në moshën 17 vjeçare veshi uniformën e kapi armën në dorë,

    Maqastena është aktivisitë i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai në vitin 2021 kur Vetëvensosje e mori qeverisjen në Llap, u emërua drejtor i Inspeksionit. Njëra nga drejtoritë më të rëndësishme nëpër komuna.

    Emërimi i Maqastenës, u bë pasi drejtori i atëherëshëm Ajet Potera, që ishte edhe ai pjesë e UCK-së u ishte larguar nga kjo detyrë.

    Nuk i shkoi gjatë në këtë detyrë pasi që u shkarkua nga Shpejtim Bulliqi, siç thoshte ai për shkak se kishte luftuar “veprimet e pandershme dhe të paligjshme”.

    Edhe Potera në vazhdimësi ka qenë i zëshëm ndaj qeverisjes së Bulliqit. Pritet që Maqastena ta ketë mbështetjen e tij, sikurse në luftë tash edhe në garën për të parin e degës së VV-së.

    Pak ditë para se zyrtarisht ta shpallte kanidaturën Maqastena deklaroi se kryetari Bulliqi bashkë me drejtorët e tij, duhet t’i kthehen bazës së VV-së, sepse ashtu kanë premtuar në fushatë.

    Madje ai ka shtuar se ish-shefi i tij Bulliqi, ka qeverisur për një kohë të gjatë me një tjetër metodë gjatë kohës sa ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, andaj po e ka të vështirë të bëhet VV.

    Në njoftimin për shpalljen e kandidaturës tha se synon ta sjell demokracinë e brendshme në VV.

    Bashkë më qindra aktivist të Podujevës, do të mund të sjellim demokracinë e brendshme, duke shpërfaqur tutje edhe jashtë. Bashkë më shumë aktivist, do të ndërtojmë ura të pathyeshme të ecurive të mbara të punës dhe do t’i thyejmë muret e barrierave ndarëse”.

    Bashkarisht do të bëjmë punë të mëdha, gjithnjë duke mos harruar prej nga vijmë e duke ditur qartë se ku do të mbërrijmë. Me njëri tjetrin do t’i japim Lëvizjes në Podujevë dëshminë e një aktivizimi të sinqertë dhe plotë dinjitet”, tha Maqastena.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark