×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Poezi nga Ibrahim Rugova, viti 1960

    Insajderi
    21 January 2021 - 09:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    (Shkruar në fillim të viteve 1960)

    Me varg në shpirt m`çeli pranvera.
    Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë.
    Më bëhet se do të vajtoj përhera,
    Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.

    Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur
    Vallë, Ty të mallkoi mëma -natyrë?
    Që bashk t`shkrihemi kështu t`nemitur,
    Mos jemi të mjer në krijatyrë?

    Po ëndrrove me këngë të rritesh,
    Dhe ajo jetës përpara ti flasë.
    E di. Me dëngë plot do t`goditësh.
    E ngado të endesh veç do të vrasë.

    Athua Zoti i madh diti të gjykojë
    Që njomaket të kalben shi në vrug.
    Apo secili barrën e vdekjes të peshojë
    N`zjarr të heshtjes i vetmuar si murg?

    I ngopur me të vërtetën në gji,
    Vëllau im dole n`mesin me erë.
    Mbi fytyrën e re t`ra nji vel i zi –
    T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.

    O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë,
    Kujt t`ia kërkoj hijen e njomsisë?
    Pa frikë. Prore do t`jetë djellamirë –
    Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.

    Dua të iki fushës e malit-
    Jetën e shof si grusht t`rendë.
    Jo, s`dua të iki. Dua si shpirt djalli
    Të ngjitem së bashku në vend.

    Bën që per vargjet e mia t`përvëlimit,
    Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë.
    Po heret i vranë sytë e shtrembërimit,
    Se e flas t`vërtetën e kam çiltërisht.

    Por nji ditë të dihet se zemra e poetit,
    N`dimër a n`verë s`di të ngurrë
    Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –
    Qan e qesh nuk qetësohet kurr.

    (Cerrcë 1960)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark