×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Postimet banale kundër Talat Xhaferit – Qoku i Kurtit del me sqarim

    Insajderi
    30 January 2024 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Këshilltari i Albin Kurtit gjatë tërë ditës së premte është marrë me kryeministrin e parë shqiptar të zgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, duke e sulmuar atë, duke i cekur kriteret që sipas tij Xhaferi mund të quhej “shqiptar”.

    Pas këtyre postimeve banale, Bekim Qoku, i emëruar nga Zyra e Kryeministrit si këshilltar për marrëdhënie me Maqedoninë e Veriut ka dalë me një sqarim, shkruan Insajderi.

    “Një sqarim i nevojshëm për çështjen e angazhimit tim politik, qëndrimeve dhe deklarimeve të mia: ua të theksoj që unë së pari jam shqiptar i Maqedonisë së Veriut dhe qytetar i këtij vendi. Kam vetëm shtetësinë e MV. Pra, angazhimi im politik në këtë vend nuk është i një të huaji, por i dikujt që ka lindur, rritur dhe jeton këtu bashkë me familjen”, shkroi ai.

    “Së dyti, bindjet e mia e politike përkojnë me ato të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ku jam edhe aktivist edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në këtë subjekt politik mbi 10 vjet”, vijon tutje.

    “Së treti, si aktivist politik unë kam të drejtën për të pasur qëndrim për zhvillimet politike dhe për ta shprehur atë, si deklarativisht ashtu edhe përmes angazhimit konkret. Ato që i konsideroj si nevojë të kohës i shndërroj edhe në angazhim konkret në terren. Kam marrë pjesë si një qytetar i shqetësuar në shumë protesta në MV të organizuara nga shoqëria civile e këtushme“, tha ai në Facebook.

    Qoku, mes tjerash tha se nuk ka reguar nën petkun e këshilltarit të Kurtit, por si qytetar i shtetit respektiv.

    “Së katërti, unë në asnjë rrethanë për çështje të angazhimit politik në Maqedoninë e Veriut nuk kam reaguar si zyrtar shtetëror i Republikës së Kosovës, por si qytetar dhe aktivist politik në Maqedoninë e Veriut”.

    Përveç sulmit ndaj kryeministrit, Talat Xhaferi, Qokut, i ka penguar prezenca e katër gazetarëve shqiptarë në Kuvend teksa Xhaferi po votohej si kryeministër teknik i RMV-së.

    Ai përzgjodhi fjalët më të këqija për gazetarët Baton Haxhiu, Blendi Fevziu, Berat Buzhala dhe Adriatik Kelmendi. Ai iu ka referuar gazetarëve “mercenarë” dhe ka aluduar se iu janë ndarë tenderë të njëjtëve.

    Theksojmë se afro 1 vit më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emëroi Bekim Qokun si këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar z.Bekim Qokun, Këshilltar të Jashtëm Politik të Kryeministrit për marrëdhëniet me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti i uroi z.Qoku suksese në detyrën dhe përgjegjësitë e reja, në funksion të zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut”, thuhej në njoftimin e qeverisë.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark