×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Presioni ndërkombëtar për Asociacionin, O’Brien me kërkesë të qartë për zbatimin e marrëveshjeve

    Insajderi
    30 January 2024 - 08:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës të hënën ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    O’Brien i ka bërë thirrje edhe Serbisë që të mbajë përgjegjës përgjegjës ata të cilët kishin gisht në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

    Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur – ku u vranë një polic dhe tre sulmues – e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

    Në një postim në rrjetin social X, O’Brien tha se nevojitet zbatim i plotë i marrëveshjeve të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).

    “E mirëpres vizitën e Mirosllav Lajçakut me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin. SHBA-ja e mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Nevojitet zbatim i plotë i marrëveshjeve”, tha ai.

    Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin e saj në fillim të vitit të kaluar, por kanë dështuar t’i zbatojnë ato, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare.

    Në fund të vitit të kaluar, Serbia, përmes një dokumenti tha se, nuk e ka ndër mend të zbatojë pjesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, duke e shqetësuar bllokun evropian, i cili tha se marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht të detyrueshëm për palët.

    Në tetorin e kaluar, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve një draft-statut për formimin e Asociacionit, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiq, e pranuan në parim.

    Por, pas deklaratës së të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti tha se atëherë edhe Kosova duhet të jetë autore e atij dokumenti.

    O’Brien i përsëriti thirrjet e SHBA-së që Banka Qendrore e Kosovës të mos e zbatojë një rregullore e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme.

    Ai kërkoi që të ketë bashkërendim për vendimin që valuta e vetme në Kosovë për pagesa me para të gatshme të jetë euroja.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    O’Brien i kërkoi Kosovës po ashtu t’i mbajë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark