Shqipëria kundër Moldavisë do të ketë edhe mbështetjen masive të tifozëve në shkallët e “Arenës Kombëtare”.
Thirrjet e vazhdueshme të lojtarëve kuqezi në konferencat e shtypit, por edhe fakti që Kombëtarja ka nisur një rrugë të gjatë në fazën eleminatore dhe ndeshja me Moldavinë mbetet shumë e rëndësishme për objektivin final, kanë ngjallur një interes të madh tek tifozët të cilët do të jenë një shtysë e madhe për sfidën e parë të shtëpisë në grupin eleminator të Euro 2024.
Deri në mesditën e së enjtes janë shitur më shumë se 13 mijë bileta dhe llogaritur kapacitetin e stadiumit që shkon deri në 21.500 vende, gjatë orëve të fundit stadiumi mund të plotësohet në pjesën dërrmuese për të kompletuar një tablo të rëndësishme për sfidën e së shtunës.
Shitja e biletave online e ka bërë më praktik procesin, ndërsa FSHF ka pritshmëri të larta për sfidën e parë të shtëpisë.
Në stadium do të jenë të pranishëm edhe disa fraksione të vecanta të tifogrupeve vendase dhe Tifozët kuqezi që si përherë do të jenë pjesa më e zhurmshme e tifozerisë që kërkon fitoren e parë në një grup të komplikuar ku mundësitë janë të mëdha për të siguruar biletën e Euro 2024.