Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Naim Haliti ushtron dy funksione publike – një në Universitetin e Prishtinës dhe tjetrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) – ndërkohë që posedon edhe biznese private, përfshirë një ndërmarrje individuale me veprimtari të ngjashme me atë të IML-së.
Haliti është Profesor i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “Hasan Prishtina” që nga 14 nëntori 2017, si dhe Ekspert i Mjekësisë Ligjore në IML që prej 27 shkurtit 2015.
Në deklarimin zyrtar, ai nuk ka raportuar ushtrim të funksioneve të tjera jashtë institucioneve publike, megjithëse zotëron biznes privat që vepron në fushën e shëndetësisë.

Në rubrikën për pjesëmarrje në biznese, profesori ka deklaruar dy subjekte tregtare:
Një biznes individual “N.I”, në pronësi të tij me 100% të aksioneve;
Një institucion parashkollor “Luna Sh.P.K.”, në pronësi të bashkëshortes së tij.
Në deklaratë nuk janë shënuar përfitime financiare apo dividentë nga këto biznese, por të ardhurat e familjes tregojnë burime të shumëfishta nga sektori publik dhe privat.
Pasuritë e paluajtshme
Haliti ka deklaruar 10 prona me vlerë rreth 600 mijë euro, përfshirë shtëpi, banesa, truall dhe livadhe.
Prona më e vlefshme është një shtëpi prej 257.42 m², me vlerë 300 mijë euro, e përfituar në vitin 2012. Ai zotëron gjithashtu dy banesa të reja nga viti 2024, si dhe disa truallë me sipërfaqe nga 248 deri në 550 m².
Pasuritë e luajtshme
Në kategorinë e mjeteve të transportit mbi 3,000 euro, Haliti ka raportuar tre automjete:
Audi (45,000 €), në pronësi të tij;
BMW (15,000 €) dhe Volkswagen (3,500 €), në pronësi të bashkëshortes.

Llogaritë bankare dhe kursimet
Profesori ka disa llogari bankare në BPB, TEB dhe Bankën Ekonomike, me rreth 20 mijë euro në emrin e tij, të siguruara nga paga si profesor, ekspert ligjor dhe nga qiratë.
Në emër të bashkëshortes figurojnë mbi 14 mijë euro, të ardhura nga institucioni parashkollor “Luna” dhe pagat e saj.
Detyrimet financiare
Haliti dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar nga 68 mijë euro kredi secili, për blerjen e një banese në Shëngjin, me afat shlyerjeje deri në fillim të vitit 2026.

Të ardhurat vjetore
Sipas deklarimit në APK, të ardhurat vjetore të familjes Haliti janë si vijon:
24 mijë 171 euro nga Universiteti i Prishtinës;
Mbi 13 mijë euro nga ekspertizat mjekoligjore.
12 mijë euro nga qirja
12 mijë nga institucioni parashkollor “Luna Sh.P.K.” në emër të bashkëshortes, si dhe fëmijët e tij kanë deklaruar nga 6 mijë e 720 euro nga “Luna Sh.P.K” dhe gjithashtu të ardhura nga puna sezonale në SHBA, që kapin shumën e 18,000 dollarëve.

Në deklaratën e pasurisë nuk janë raportuar kriptovaluta, letra me vlerë, donacione apo shpenzime të tjera.
/Insajderi