Eksperti i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka dorëzuar më 27 mars 2025 formularin e deklarimit të pasurisë pas mbarimit ose shkarkimit nga funksioni, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Në këtë dokument, Gërxhaliu ka pasqyruar në detaje të gjitha pasuritë e paluajtshme, të luajtshme, të ardhurat, aktivitetet e tjera, si dhe funksionet që ka ushtruar gjatë kohës së angazhimit të tij publik, shkruan Insajderi.
Dy funksione brenda dhe jashtë institucionit publik
Në formularin e dorëzuar, Gërxhaliu rezulton se ka ushtruar detyrën e Ekspertit të Mjekësisë Ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me datë emërimi 28 shtator 2021.
Në të njëjtin dokument, ai figuron se ka ushtruar edhe një funksion tjetër paralel – si biznesmen privat në fushën e ekspertizës ligjore.
Në seksionin “Funksionet ose aktivitetet e tjera që i kryen zyrtari i lartë publik”, ai ka deklaruar se është pronar i “Arsim Gërxhaliu BI”, biznes personal me seli në Prishtinë, me veprimtari të regjistruar si “Biznes Personal – Ekspert Mjeko Ligjor”.
Ky fakt ngre pyetje nëse mund të ketë konflikt interesi ndërmjet detyrës publike dhe aktivitetit privat në të njëjtën fushë profesionale.
Pasuria e paluajtshme
Gërxhaliu ka raportuar disa prona të konsiderueshme të paluajtshme.
Ai ka në pronësi një banesë prej 120 metrash katrorë, e përfituar nga familja, në pronësi të prindërve të tij, me vlerë të deklaruar 120 mijë euro. Po ashtu ka një truall prej 20 arësh, të blerë më vonë, me vlerë 20 mijë euro.
Një tjetër pronë e deklaruar është një vilë prej 150 metrash katrorë, e përfituar përmes kredie, me vlerë 30 mijë euro. Përveç këtyre, Gërxhaliu ka deklaruar edhe një truall tjetër me sipërfaqe 6.42 arë, të blerë dhe të vlerësuar në 28,750 euro.
Në total, vlera e pasurive të paluajtshme të deklaruara tejkalon shifrën e rreth 200 mijë eurove.

Pasuria e luajtshme
Sa i përket pasurisë së luajtshme, Gërxhaliu ka raportuar disa mjete me vlerë mbi tre mijë euro. Ai ka deklaruar një veturë të markës Hyundai, të blerë përmes kredie në vitin 2011, me vlerë 7 mijë euro.
Po ashtu zotëron një veturë tjetër Toyota, e marrë përmes ndërrimit me një veturë paraprake, me vlerë 5 mijë euro.
Në dokument përmendet edhe një varkë, e blerë më parë, me vlerë të deklaruar 6 mijë euro.
Vlera totale e pasurisë së luajtshme të deklaruar arrin mbi 18 mijë euro.
Paratë e gatshme dhe llogaritë bankare
Në seksionin për mjetet financiare, Gërxhaliu ka raportuar se posedon 1,685 euro para të gatshme në dorë, të cilat i përshkruan si të ardhura nga biznesi. Ai ka gjithashtu 100 euro në një llogari në Bankën Ekonomike të Kosovës, të cilat i ka përfituar nga paga mujore.
Në deklarim nuk figurojnë kredi të reja, borxhe apo detyrime financiare ndaj personave juridikë apo fizikë.

Të ardhurat vjetore
Në pjesën e të ardhurave vjetore, Gërxhaliu ka raportuar disa burime të ndryshme të fitimit.
Nga biznesi personal “Arsim Gërxhaliu BI”, ai ka deklaruar të ardhura në vlerë 13,583 euro. Nga angazhimi në kolegjin privat UBT, ai ka marrë 13,416 euro gjatë vitit.
Nga paga si ekspert në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ai ka raportuar 19,664 euro të ardhura vjetore.
Bashkëshortja e tij, e punësuar në Eulex, ka deklaruar të ardhura në vlerë 2,387 euro, ndërsa në dokument është shënuar se paga e saj arrin rreth 2,100 euro.

Gërxhaliu ka njoftuar se nuk zotëron aksione në shoqëri tregtare, nuk posedon letra me vlerë dhe nuk ka as kriptovaluta. Po ashtu, në rubrikat për donacione politike apo shpenzime të tjera, ai ka shënuar se nuk ka dhënë apo marrë donacione të tilla./Insajderi
Lexo edhe: