×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Profil i shkurtër i shkrimtarit Teodor Laço

    Insajderi
    02 November 2023 - 17:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Si rrallëkush në fushën e letrave, Teodor Laço (1936 – 2016) krijoi një trashëgimi letrare shumë-përmasore. Janë rreth 55 vepra të botuara, qoftë në letërsi apo dhe në publicistikë. Kësisoj, me korpusin e tij letrar me shumëllojshmëri tituj romanësh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, Laço zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe.

    Ka filluar të botojë që prej viteve ’60. Është autor i disa skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri.

    Janë të njohur për lexuesin romanet e Laços: “Tokë e ashpër” (1971), “Përballimi” (1975), “Lëndina e lotëve” (1980), “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” (1985), “Pushimet e kolonelit” (1990), “Një vit i hidhur” (1995), “Mjegull” (2009), “Vrasja e buzëqeshjes” (2013), “Gropas 67” (2014) etj. Po ashtu proza e tij e shkurtër, si: “Rruga e bardhë”, “Një natë shiu”, “Ajri i ftohtë i mesnatës”, “Portat e dashurisë”, “Pylli në vjeshtë”, “Vdekja e nëpunësit X” etj., që mbeten modele krahasuese e referuese në tregimin e shkurtër shqiptar.

    Pjesë integrale e krijimtarisë letrare të tij janë dramat dhe komeditë e shumta dhe po aq të suksesshme. si: “Shtëpia në rrugicë”, “Një nuse për Stasin”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Qyteti i akuzuar”, “Shi në plazh” etj., që kanë lënë gjurmët e tyre në repertorin klasik të spektakleve dramaturgjike shqiptare.

    Në lëmin e kinematografisë, Teodor Laço cilësohet si një prurës autoritar i disa prej skenarëve artistikë, mbi të cilët u realizuan një sërë filmash me prirje të reja regjisoriale e artistike. Dorën e tij mbajnë filmat “Përballimi”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time”, “Vitet e pritjes”, ku mund të konstatosh se suksesi i tyre në publik u garantua së pari nga skenarët e tyre me vlera potenciale. Nuk mund ta konsiderosh të ezauruar veprimtarinë krijuese të T.Laços pa përmendur edhe publicistikën e tij kulturore, politike e sociale.

    Përveç dhjetëra e dhjetëra artikujve të këtyre gjinive, Laço ka shkruar dhe botuar dy librat “Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar” dhe “Bashkëjetesë me kohën”, libra këto, voluminozë me publicistikë reflektive social-politike e diplomatike që cilësojnë atë si një vëzhgues, përjetues dhe analizues të mprehtë të realiteteve historike kombëtare e ndërkombëtare.

    Po ashtu libri “Një dritare në Kremlin” është pa dyshim pasqyrë e angazhimit të tij krijues. Ky libër është një shartim i historisë me fiksionin, një kuturisje karakteristike prej shkrimtari, që vjen në ndihmë për të hapur një dritare në kështjellën që rusët e quajnë Kremlin, me një brendësi plot mistere. Kësisoj, Ai ishte dhe mbetet si model i shkrimtarit të prozës së shkurtër, romanit, dramës e komedisë, skenarit të filmit e publicistikës. /Hejza/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark