×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Projektet për Adem Demaçin në pritje të mbështetjes nga qeveria Kurti

    Insajderi
    20 November 2022 - 12:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Themelimi i Instituti për të burgosurit politik me emrin “Adem Demaçi”, botimi i kompletit me 40 vëllime për Demaçin dhe përfundimi i sheshit të lirisë që mban emrin e këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, po konsideron si projektet që më së miri e nderojnë dhe paraqesin veprimtarinë dhe personalitetin e Demaçit.

    Por, ndonëse asgjë nuk u bë nga qeveritë e kaluara për jetësimin e këtyre projekteve, tani shpresat janë te Qeveria aktuale, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, si një ish i burgosuri politik dhe bashkëpunëtor i Adem Demaçit.

    Mbledhjen e punën për botimin e 40 vëllimeve për Demaçin e kanë nisur tash e sa kohë në Shoqatën e të Burgosurve Politik, ndërsa Selatin Novosella kërkon mbështetje financiare për botimin e këtij kompleti për shkrimtarin shqiptar, Adem Demaçi.

    Ai tregon për KosovaPress, se fatkeqësisht deri më tani nuk kanë marrë ndonjë mbështetje konkrete përveç deklarimeve publike.

    Teksa shpalos përmbajtjen e këtyre librave, Novosella thotë se këto vëllime prezantojnë veprimtarin Demaçi si vizionar, mendimtar, e mbi të gjitha mendje historike, e cila iu ka prirë proceseve politike.

    “Aty parashihen 11 veprat letrare, 7 romane, 1 përmbledhje me tregime, 1 poemë në vargje, 1 dramë historike ‘Politika dhe Pushka’ për arsye 18 vepra publicistike të cilat nuk janë botuar, por janë grumbulluar nga librat, gazetat revistat, televizionet të shkapërderdhura tash e 15 vite dhe tash parashihen në këtë komplet të dalin 6 vëllime me analiza, 8 vëllime me intervista, 1 vëllim me intervista ndërkombëtare, 1 libër me debate, 1 libër me polemika, 1 libër me familje dhe 1 me kujtime. Dhe është paraparë që këtë komplet të përfshihen 10 apo 12 monografi për hir të Adem Demaçit…Për t’u bërë këto libra për botim duhet ende lektorim, duhet redaktim, materiali dhe mbi 90% është i gatshëm, ne vetëm presim mbështetje iu kemi drejtuar të gjitha qeverive, dhe që të gjitha parimisht janë pajtuar….Deri tash e them me keqardhje nuk kemi ndonjë lëvizje… Këto ditë do t’ia dërgoj edhe një shkresë Ministrisë së Kulturës edhe jam i sigurt jo vetëm unë se ne qeveria do të na mbështes mund të jemi ne si idealistë ish të burgosurit, por jemi të bindur që një botim i tillë i veçantë për një personaliteti unikat, jam i sigurt që Qeveria do ta mbështesë”, u shpreh Novosella.

    Novosella për KosovaPress thekson se 150 mijë euro vlerësohet të jetë kostoja për botimin e këtyre vëllimeve që paraqesin personalitetin e veprimtarit, Adem Demaçi.

    “Duhet së pari të bëhet një dizajn modern, duhet një lidhje modern, një letër ekologjike është dikur 150 mijë euro e për çfarë harxhohen milionat tek ne…Ky komplet do të jetë ndoshta kompleti më i kompletuar që mund të bëhet për një personalitet që është pjesë e historisë së Kosovës”, theksoi ai.

    Ai u shpreh se përkundër që Ligji për të drejtat e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë ka paraparë krijimin e Institutit për ish të dënuarit dhe të përndjekurit politik, asgjë nga viti 2010 nuk është bërë në këtë drejtim.

    Sipas Novosellës, shpresat që ky projekt i cili do mban emrin “Adem Demaçi”, të merrte përkrahje më të madhe i kishin tek qeveria aktuale, pasi që edhe vetë kreu i kësaj qeverie, Albin Kurti ka qenë i burgosur politik. Por, ai thekson se deri më sot nuk kanë parë ndonjë iniciativë në këtë drejtim.

    “Aty parashihet që Qeveria me një akt të veçantë normativ ta themeloj Institutin që do të thotë tash është në dorë të qeverisë, dhe këtë Institut jo rastësisht ne si shoqatë si propozues të këtij ligji…Ne kemi menduar që ky Instituti të bartë emrin e Adem Demaçit, deri tash me keqardhje e them në të gjitha qeveritë pa u zgjatur cilat deri sot parimisht të gjitha janë pajtuar, por deri tash nuk kemi ndonjë vendim të tillë….Deri tash një vendim të tillë si Qeveri nuk ka marr dhe jemi të sigurt po flas edhe personalisht në cilësi të ish kryetarit të Shoqatës se ne kemi pritur më tepër nga kjo qeveri aktuale, përveç të tjerash edhe vetë kryeministri ishte i burgosur politik. Ne presim dhe me të drejtë që të formohet Instituti ka shumë nevojë“ ,theksoi ai.

    Krahas kërkesës për Institutin, bashkëveprimi i Demaçi kërkon edhe përfundimin e projektit të sheshit të lirisë “Adem Demaçi”.

    E përkundër që në korrikun e vitit 2019, u vu gurthemeli i shtatores të Adem Demaçit, kjo iniciativë ende nuk është jetësuar.

    Ish i burgosurit politik, Selatin Novosella e konsideron të padrejtë që një projekt i tillë të braktiset.

    “Nuk do të thotë se mund të jetë shtatorja e Adem Demaçit, nuk do të thotë të jetë busti i Adem Demaçit, aty është më mirë të jetë infrastruktura, dritat rrethimi, karrige, rrethimi, uji, pemë dekorative, mbishkrimet ndonjë simbolik është menduar të jetë një A e stiluar që bëjnë artistët 30-40 metra me drita që ka pamje nga autostradat nga Prishtina nga Shkupi, të bëhet një shesh ku do të jetë sheshi i lirisë ‘Adem Demaçi’, deri tash me keqardhje i kemi katër fije armature të ndryshkura, gurthemelin e ka hedh kryeministri, Ramush Haradinaj, qeveria është njoftuar edhe me shkrim”, u shpreh Novosella.

    Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë. Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.

    Ai është quajtur “Nelson Mandela” i Evropës. Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi vdiq më 26 korrik të vitit 2018 në moshën 82-vjeçare.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark