×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Prokuroria nis hetimet për vdekjen e 4 vjeçares nga Gjakova

    Insajderi
    21 February 2024 - 14:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një vajzë e moshës katër vjeçare ka ndërruar jetë të hënën. Ajo po trajtohej në QKUK. Ndërsa dyshohet se ishte rrahur nga disa të mitur familjarë.

    Lidhur me rastin nga Prokuroria Themelore në Gjakovë kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi se tashmë kanë nisur hetimet.

    “Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policin janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen.

    Dritë mbi rastin që është cilësuar si “hetim i vdekjes”,

    Reagimi i Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë

    Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë përmes një reagimi të mërkurën ka thënë se për vdekjen e 4-vjeçares pati mbikëqyrje profesionale mjekësore.

    Familjarët e viktimës janë ankuar për neglizhencë nga Spitali i Gjakovës, ku fillimisht u trajtua 4-vjeçarja.

    Organizata të shoqërisë civile kanë thënë se rasti ka ngritur shqetësime serioze lidhur me standardet e praktikës mjekësore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

    Por Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë ka thënë se mjekimi i saj u krye me shumë profesionalitet.

    Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar. Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook

    KOMF kërkon veprime dhe vëmendje institucionale

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka kërkuar veprime të menjëhershme për trajtimin e rastit të vdekjes së katërvjeçares në Gjakovë.

    Ata kanë kërkuar vëmendjen e menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore, dhe pasojave të saj fatale, teksa kanë kërkuar edhe hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, si dhe zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi.

    “Kërkojmë vëmendjen e menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore dhe pasojave të saj fatale. Kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë nga institucionet lokale. Kërkojmë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”, thuhet në reagim.

    Si kishte ndodhur rasti?

    Ditë më parë, nëna e katër vjeçares Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllaut të saj, me ç’rast të bijën, e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë. Por të njëjtën, më pas e kishte gjetur të shtrirë në tokë.

    Sipas nënës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.

    “E morra qikën, filloi me kajt. I thash çka ki, më tha ma ka hi jakupi me dërras qitu dhe djali i Sabijes mka rreh krejt. As ajo s’mkallxoj bash mirë. Tu ardh nuk mujke me ec, ‘oj mam zemra po m’dhemb’, e morra në shpi e tash si me fjalë mo e morra ajo veç kajke”, ka thënë Hajra.

    Gjersa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, e njëjta kishte pasur mavijosje në fundshpinë e ënjtje në gjoks. Pasi e kishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët, familjes i ishte thënë se e njëjta, kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks.

    Pas përkeqësimit të gjendjes, katër-vjeçarja ishte dërguar për trajtim në QKUK. Por nëna e saj pretendon e asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj.

    N’gjysë nate m’ka thirr doktorica me hy n’sallë, ku ka qenë çika. Kom hy kom nejt me çik dhe erdh doktorica po ma bën, oj zojë nuk e ka prej t’rrehnit, ka infeksion të madh. I ka shpërthy gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.

    Shkakun e vdekjes nga një infeksion, e përmend edhe Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4 vjeçarja, kishte shenja të dhunës në trup.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark