12:09 - 01 Mars 2023

Prokuroria Speciale në Hagë i ka publikuar emrat e mbi 70 viktimave të luftës në Kosovë. Të vrarë e të zhdukur.

Dhjetë emra përmenden veç në Komunën e Lipjanit, 3 prej tyre shqiptarë dhe 7 serbë.

Arben Avdyli, Ymer Xhafiqi, Sherafedin Ajeti si dhe Veljko Markovic, Nedosja Duricic,  Bojan Cvetkovic, Zarko Filipovic, Dragoljub Tanaskovic, Zivota Todorovic, Dragan Vucetic.

Theksojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

/GazetaInsajderi