×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria Speciale demanton gënjeshtrën e Tomë Gashit për Martin Berishajn

    Insajderi
    29 March 2024 - 19:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka demantuar publikisht avokatin Tomë Gashi rreth intervistimit të ambasadorit Martin Berishaj.

    Intervistimi i Berishajt nga Prokurori Special ka nisur qysh në orën 08:30 e mëngjesit.

    E për këtë diku rreth mesditës në një njoftim publik doli avokati i Berishajt, Tomë Gashi.

    Ai pranoi se klienti i tij është duke u intervistuar nën dyshimet për “shpërlarje të parave”, por tha se intervista po bëhet me kërkesë të vetë Berishajt.

    “Martin  Berishaj qysh me 27.01.2023 ka paraqit kerkese per te dhene deklarate sqaruese ne Prokurorine Speciale te Republikes se Kosoves lidhur me pretendimet qe kan dale ne media  Martini tashme ka dhene deklarate ne PSRK. Deklarata e tije eshte konfidenciale”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.

    Por, në një komunikatë zyrtare për media të lëshuar nga Prokuroria Speciale, bëhet e ditur se intervistimi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, është bërë me ftesë të Prokurorit Special.

    “Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’. Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambassador”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Intervistimi i Berishajt, i dyshuar për “shpërlarje të parave” ka zgjatur më shumë se 10 orë.

    Me të përfunduar intervistimi sërish ka dalur të flas publikisht Tomë Gashi, por kësaj radhe para gazetarëve.

    Ai nuk pranoi që të komentojë asgjë nga intervistimi, duke u arsyetuar se “është konfidencial”.

    /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark