×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Pse e kërcënojnë Poloninë Putini e Lukashenko?

    Insajderi
    27 July 2023 - 12:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për çfarë biseduan Putini dhe Lukashenko?

    Presidenti bjellorus Lukashenko tha më 23 korrik në Shën Petersburg se mercenarët e grupit Wagner të vendosur në vendin e tij po bënin presion dhe donin të shkonin në perëndim.”Le të bëjmë një udhëtim në Varshavë dhe Rzeszow,” tha Lukashenko duke cituar mercenarët.

    “Tema e Polonisë” ishte prekur tashmë nga Putini më 21 korrik. Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit Rus, ai prezantoi vizionin e tij për historinë polake. Sipas tij, liderët polakë duan të ndërhyjnë drejtpërdrejt në konfliktin në Ukrainë “nën kujdesin e NATO-s” dhe të kapin rajonet perëndimore të vendit fqinj. Sipas Putinit, Polonia ka “ëndrra” të ngjashme për Bjellorusinë.

    Gjatë takimit të tij me Putinin, Lukashenko ilustroi në një hartë “lëvizjen e trupave polake në kufirin e shtetit të bashkimit ruso-bjellorus”. “Një nga brigadat është 40 kilometra larg Brestit. E dyta do të vendoset pak më shumë se 100 kilometra nga Grodno. Një aerodrom do të aktivizohet në Rzeszow, ku amerikanët dhe të tjerët do të dorëzojnë pajisje, të cilat më pas do të transferohen në territorin polak”, i tha Putinit Lukashenkoja në kamera.

    Çfarë do të thotë e gjitha kjo?

    Eksperti politik bjellorus Valery Karbaleviç beson se Putini dhe Lukashenkoja kanë biseduar kryesisht për vendosjen e mercenarëve Wagner në territorin bjellorus. Kërcënimet kundër Polonisë janë të inskenuara. Kështu, Lukashenko deshi ta bënte të qartë se mercenarët e Wagner-it donin të nxitonin në Poloni, por ai po i ndalonte ata. “Kjo ishte skena më e rëndësishme që duhej t’i prezantohej publikut”, sipas Karbaleviç-ut.

    Ryhor Nizhnikau, Hulumtues i Lartë në Institutin Finlandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, mendoi se gjatë takimit “gjithçka eci si një skenar”. Duke qenë se Lukashenko ndoshta kishte “folur shumë” dy ditë pas kryengritjes së liderit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, ai ka të ngjarë të ketë marrë qortime nga Moska dhe më pas ka folur “brenda një kuadri” të vendosur nga Kremlini, sipas Nizhnikaut.

    Pse ky sulm verbal ndaj Polonisë?

    Ekspertët janë të sigurtë se Polonia është bërë një tjetër “armik kolektiv i Rusisë” për shkak të mbështetjes së saj për Ukrainën: jo vetëm që pajisjet ushtarake dërgohen nëpërmjet Polonisë, por ajo po këmbëngul gjithashtu për sanksione të reja kundër Rusisë dhe është gjithashtu një mbështetës i fortë i Ukrainës.

    “Polonia ka kufij me Bjellorusinë dhe Ukrainën. Nëse flasim për një rrezik që lidhet me mercenarët e Wagnerit, do të ishte e çuditshme që ai rrezik të lidhej me SHBA, Gjermaninë ose Francën. Ato janë shumë larg. Sa për Lituaninë dhe Letoninë, ato janë vende të vogla, por Polonia është një kundërshtar serioz”, shpjegon Karbaleviç.

    Përveç kësaj, Putini përpiqet në këtë mënyrë t’i tregojë publikut rus se “sa me mjeshtëri ka dalë edhe një herë më i zoti se të gjithë”, shton eksperti.

    “Kryengritja e Prigoshinit e traumatizoi rëndë Putinin. Ai u konsiderua i dobët para opinionit publik, i detyruar të negocionte një armëpushim me një peshë të rëndë. Pas kësaj, ishte e rëndësishme që ai të përdorte të njëjtat mjete kundër kundërshtarëve të tij. Grupi Wagner, i cili shkaktoi problemet për Rusinë, u zhvendos në Bjellorusi për të kërcënuar Poloninë. Putini e hoqi me elegancë problemin e tij dhe në të njëjtën kohë e përdori atë kundër armikut të tij”, tha Karbaleviç.

    Por mbi të gjitha, duke kërcënuar Poloninë, Rusia po përpiqet të zvogëlojë mbështetjen e saj për Ukrainën, thonë ekspertët. “Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në Poloni në vjeshtë. Si Putini ashtu edhe Lukashenko po përpiqen të ndikojnë në to, duke përfshirë edhe kërcënimet, në mënyrë që votuesit të lëvizin në drejtimin “e duhur”, d.m.th. drejt forcave që thonë në fushatën zgjedhore se

    roli i Polonisë në luftë është i gabuar dhe se duhet të largohemi prej tij për të shmangur një luftë të tretë botërore”, shpjegon eksperti finlandez Nizhnikau.

    Vetëm një aksion i marrëdhënieve me publikun?

    Karbaleviç sheh në takimin e Lukashenkos dhe Putinit një veprim publicitar. “Ky është më shumë një sulm informacioni dhe shantazhi sesa një rrezik real, sepse mercenarët e Wagnerit janë ende larg kufirit polak. Sipas inteligjencës perëndimore, vetëm rreth 3500 prej tyre janë në Bjellorusi. Megjithatë, ka plane për të transferuar deri në 10.000 atje. Ende nuk do të ishte një numër i rrezikshëm.”

    Për më tepër, Karbaleviçi dyshon se Prigoshini dhe mercenarët e tij sot ndjekin ndonjë urdhër nga Putini. Sipas tij, ngjarjet e qershorit treguan se ishte një strukturë e pavarur “e cila përfshihet në çdo aventurë vetëm nëse është në dobi të saj”.

    Nizhnikau besonte se kërcënimi i mercenarëve të Wagnerit për të sulmuar Poloninë do të funksiononte vetëm nëse nuk do të zbatohej në realitet. “Nëse mercenarët e Wagner-it do të sulmonin papritur Poloninë sot, me siguri nuk do të kishte mbetur asgjë prej tyre”, tha eksperti.

    Por nëse kërcënimi do të realizohej, pasojat do të ishin të paparashikueshme, sepse do të ishte një sulm kundër një vendi të NATO-s. Në historinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, neni 5 i traktatit, sipas të cilit sulmi ndaj një anëtari të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve, është zbatuar vetëm një herë, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

    “Po të isha Lukashenko, do të isha i kujdesshëm dhe nuk do të dërgoja mercenarë vagnerianë në Poloni, sepse Kremlini do t’i mohonte menjëherë. Bjellorusia do ta merrte përgjigjen. Mund të ketë një ndërhyrje ushtarake në Bjellorusi. Nuk mendoj se se Lukashenko, duke lexuar nga një fletë letre dhe duke përmbajtur një buzëqeshje dinake ndaj Putinit, mendon seriozisht se kjo mund të ndodhë. Por nëse do të ndodhte, Lukashenko do të ishte viktima e parë e kësaj aventure,” tha Nizhnikau.

    Mesazh i fshehur Putinit

    Ndërkohë, Polonia thirri ambasadorin rus në Ministrinë e Jashtme dhe akuzoi autoritetet ruse për përfshirje në propagandë armiqësore. “Polonia nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën apo Bjellorusinë në asnjë mënyrë,” thotë Kamil Klysinski i Qendrës për Studime Orientale në Varshavë. Sipas tij, Varshava po përgatitet vetëm për të mbrojtur veten. Është e sigurt se mercenarët e Wagnerit nuk do të sulmonin postblloqet në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë, sepse nuk kanë armë dhe pajisje të rënda për këtë.

    Prania e mercenarëve në Bjellorusi megjithatë sjell disa rreziqe për Poloninë, beson Klysinski, i cili shton: “Por këto janë para së gjithash rreziqe për Lukashenkon dhe ai e di këtë”. Pas “daljes” së mercenarëve të Wagnerit në Poloni, të cilën Lukashenko e kërcënoi, fshihet një kërkesë ndaj Putinit për të bërë diçka me këtë grup në Bjellorusi. “Unë nuk mendoj se Lukashenko është i kënaqur me praninë e tyre në Bjellorusi. Lukashenko dëshiron të kontrollojë gjithçka, veçanërisht në fushën e sigurisë. Dhe mercenarët me përvojë janë të vështirë për t’u kontrolluar”, thotë Klysinski.

    Këtë e dinë edhe Lukashenkoja edhe Putini. Eksperti mendon se pikërisht kjo ishte tema kryesore e bisedës: “Është shumë e vështirë të mbash mercenarët e Wagnerit në vend me aftësitë e tyre, me mënyrën e tyre të jetesës, për të mos folur më konkretisht. Sfida më e madhe është tjetra: si mundet t’i heqë qafe Bjellorusia mercenarët e Wagnerit?”/dw

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark