15:54 - 20 Mars 2023

Pak ditë më parë një person ia vuri flakën garazhës së shtëpisë së gazetarit të Radio Televizionit të Kosovës, Alban Selimi. Personit të dyshuar për kërcënim ndaj gazetarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gazeta Insajderi ka siguruar një fotografi ku shihet i dyshuari Arsim Limani nën pranga.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarit A.L (42-vjeçar), nën dyshimin se ia dogji garazhin redaktorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi.

Ndryshe, rasti ndaj gazetarit Selimi kishte ndodhur të enjten në mbrëmje, të cilin e kishte bërë të ditur vetë Selimi përmes një postimi në Facebook.

Insajderi kishte raportuar se i dyshuari për kërcënimet ndaj gazetarit Selimi është Arsim Limani.