Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti është duke marrë “shkollë” nga pushtete e kaluara duke praktikuar metodën “Pronto”.
Gazeta Insajderi ka raportuar për shkeljet e radhës që kjo Qeveri ka bërë në punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës- KEK-un.
Përpos punësimeve familjarë në disa skandale që Insajderi raporti ditë më parë, siç ishte ajo në Komunën e Gjilanit e në disa ministri të qeverisë Kurti, tani fokusi i punësimeve të militantëve të partisë iu është kthyer korporatave.
Korporata Energjetike e Kosovës ka punësuar 128 kandidatë. Ndër ta ka emra të shumtë që janë të përfshirë në Lëvizjen Vetëvendosje.
Listës së rezultateve për pozitën Zjarrfikës i prin Fitim Musliu. Insajderi mëson se ai ishte anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2019.
“Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Besim Muzaqi, mirëpriti në Qendrën tonë, antarësimin e Fitim Musliut nga fshati Dumnicë i Komunës së Vushtrrisë”, shkruan Lëvizja në vitin 2019.
Po ashtu Fitim Musliu është edhe djali i Tahir Musliut, simpatizantit të Vetëvendosjes, i cili punon aktualisht në KEK.
Në mesin e të pranuarve është edhe Nol Vrapçani, djali i Drejtorit të Auditimit të Brendshëm, i zgjedhur nga Bordi i emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismet Vrapçani.
Emri i tij figuron në listë si i pranuar.
Në konkursin ku ka garuar Nol Vrapçani është kërkuar që të ketë të kryer shkollën e mesme të xehtarisë, ndërsa i njëjti ka përfunduar gjimnazin.
Punësimi i Albinot Bërbativci dhe akuzat e Patriot Brahimit
I dyti në listë është Albinot Bërbatovci, ndaj të cilit publikisht kishte akuza së është punësuar në krahë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Patiot Brahimi, nga Skenderaj i cili nuk u pranua në pozitën e zjarrfikësit në Korporatën Energjetike të Kosovës ka rrëfyer për Insajderin padrejtësitë që iu janë bërë në këtë konkurs.
Ai pretendon se në vend të tij është pranuar Albinot Bërbatovci i cili është i afërt me partinë e Albin Kurtit.
Brahimi ka treguar se Bërbatovci ka edhe tre familjarë të punësuar në KEK. Babai i tij, Idriz Bërbatovci, punon në Burime Njerëzore, vëllai i tij Gëzim Bërbatovci punon në zyrën ligjore, ndërsa nëna e Albinotit, që tash është punësuar si zjarrfikës, punon në KEK/TCSA.
Vëllai i Albinot Bërbatovcit, Gëzim Bërbatovci del të jetë mik me Milot Podvoricën, i cili ushtron detyrën e drejtorit të zyrës ligjore në KEK. Podvorica rezulton të jetë edhe aktivist dhe përkrahës i LVV-së, çka e dëshmon aktiviteti i tij në rrjetin social facebook, në përkrahje të Albin Kurtit.
Punësimi i Bamir Shalër, vëllaut të fansit të Albin Kurtit
Përmes një analize të Gazetës, një tjetër lidhje familjare është gjetur edhe te emri i Bamir Shalës, i cili është pranuar përmes këtij konkursi në KEK.
Bamir Shala është vëllau i Ylli Shalës, kryetar i komisionit për teknik të makinerisë dhe përkrahës i LVV-së, i cili ka edhe fotografi me kryeministrin Albin Kurti.
Bamir Shala është punësuar tani në KEK dhe në komision ka qenë shoku i Ylli Shalës, Tahir Musliu.
Po ashtu ai shihet edhe nëpër tubime të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës së zgjedhjeve në Obiliq duke përkrahur Halil Thaçin.
Shkarkimet dhe emërimet partiake në KEK
Kujtomjë se kryeministri Kurti, me të emëruar anëtarët e rinj në bordin e Korporatës Energjetike të Kosovës, të “deleguarit” e qeverisë, kanë angazhuar si konsulent anëtarin e shtyrë në moshë të Vetëvendosjes Gazmend Begolli. Begolli, që ka moshën mbi 75 vjeçare, del të jetë edhe i afërt i familjes së anëtarit të bordit të KEK-ut, Arbnor Pula.
Me të ardhur në pushtet për herë të dytë, Albin Kurti në korrik të vitit 2021 përmes bordit të emëruar nga vetë ai e kishte shkarkuar Fadil Sejdiun, drejtor i Burimeve Njerëzore në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Shkarkimi i tij, siç u tha përmes një raporti të auditorit gjeneral, erdhi për shkak të punësimeve që janë bërë në KEK, pa e respektuar Ligjin e Punës./Gazeta Insajderi/