×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Pushteti i “kapet” Von Cramonit, asnjë fjalë për paralajmërimet e rrezikshme nga vendet e QUINT’it

    Insajderi
    28 May 2023 - 23:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon sot vizitoi veriun e Kosovës pas tensioneve të shkaktuara për shkak të hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj.

    Nga atje, Cramon deklaroi se nëse hyrja e tyre në ndërtesat komunale do të bëhet vetëm me prezencën e forcave policore të armatosura rëndë, atëherë kanë “zero legjitimim politik”.

    Sipas zyrtares së lartë evropiane, duhet një zgjidhje që do të përfshinte edhe banorët lokalë, pas rritjes së tensioneve në veri. Por ky mesazh i saj nuk bëri bujë aq të madhe sa disa pyetje që ajo ua bëri policëve të Kosovës të cilët po qëndrojnë atje për të ruajtur rendin dhe ligjin.

    “Ku është kërcënimi? Pse… Çfarë dreqin ju solli këtu?”, e pyeti ajo njërin prej policëve.

    Ndaj pyetjeve të saj reaguan ashpër deputetë të pozitës, duke i cilësuar skandaloze. Të njëjtit nuk e thanë asnjë fjalë për tensionet dhe rrezikun që paralajmëroi Cramon.

    Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha e cilësoi sjelljen e zyrtares evropiane prej “kauboji”.

    “Nuk po muj me besu se ku e gjejnë guximin m’u sillë si kauboj në vend t’huj. Ky është një mentalitet imperialist dhe i turpshëm. Paramendone një deputet të BE-së duke ofendu policinë gjermane. Për besë ne mundemi me qenë t’varfër, por s’ndjehemi aspak inferior dhe kemi policinë me shumë dinjitet. Këso sjellje s’kanë vend n’Republikën e Albin Kurtit, sepse nuk lejohet askush me ofendu policinë në kryerje të detyrave”, shkroi Basha në Facebook.

    Në një replikë me Cramonin, Basha i tha se do e luante viktimën pasi po e cilëson reagimin e tij si sulm.

    Ndërkohë, deputeti i të njëjtës parti, Artan Abrashi ironizoi me Cramonin duke i sugjeruar asaj të vizitonte Prizrenin dhe t’i provonte qebapat.

    “Von Cramon, për vizitorët e huaj preferohet Prizreni. I kemi qebapat e mira”, tha Abrashi.

    Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila tha se Cramon po përdorë standarte të dyfishta.

    ”ViolavonCramon ne mund të biem dakord për temat që kanë të bëjnë me integrimin në BE, por deklarata juaj për policët tanë në veri është fyese dhe e papërshtatshme. A mund të shpjegoni se çfarë “dreqin” bëjnë policët. Jo standarde të dyfishta ju lutem”, shkroi Kusari-Lila në Twitter.

    Ndërkohë ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian kanë lëshuar një deklaratë në lidhje me vendimin e Kosovës për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në veri të vendit, duke shprehur keqardhje për këtë veprim dhe duke thirrur në përmbajtje.

    Në deklaratë, ambasadat dhe zyra e BE-së theksojnë se është e rëndësishme që autoritetet e Qeverisë së Kosovës të mos marrin masa të reja për të hyrje me forcë në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier i cili dy ditë më parë e cilësoi të dhunshëm veprimin e policisë së Kosovës në veri, ftoi në një takim për nesër kryetarët e komunave veriore.

    Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti pas takimit me eurodeputeten Viola Von Cramon tha se kryetarët e zgjedhur do t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve, pa treguar nëse do të tërhiqet nga insistimi për t’i vendosur ata në objektet komunale.

    Mbrëmjen e sontme presidenti serb, Aleksandar Vuçiq paralajmëroi destabilizim të situatës në veri nëse Kurti nuk tërhiqet. Ai tha se Kurti po dëshiron të futet në rolin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark