×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Putin prezanton nëndetëset bërthamore, paralajmëron fuqizim të gatishmërisë luftarake

    Insajderi
    12 December 2023 - 12:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në një ceremoni të transmetuar në televizion, gjatë së cilës u ngrit edhe flamuri i Rusisë, presidenti Vladimir Putin i prezantoi botës dy nëndetëset e reja bërthamore, që siç tha janë pjesë e strategjisë për të projektuar fuqinë detare të Moskës.

    Putin udhëtoi në qytetin verior të Severodvinsk, për të parë nëndetëset “Krasnoyarsk” dhe “Perandori Aleksandri i 3-të”, në një vizitë që synonte të shfaqte fuqinë bërthamore të vendit mes luftimeve në Ukrainë.

    Putin tha se anijet bërthamore do të merrnin shpejt detyrën në Paqësor dhe ishin pjesë e dy serive të ndryshme nëndetësesh që Rusia po nxjerr në përdorim.

    “Nëndetëset me raketa bërthamore, ”Perandori Aleksandër i 3” dhe ‘Krasnoyarsk’ do të nisin detyrën në flotën e oqeanit Paqësor për të mbrojtur kufijtë e largët lindor të atdheut. Puna për të rritur fuqinë detare të Rusisë do të vijojë”, u shpreh presidenti.

    Putin paralajmëroi rritje të gatishmërisë luftarake të forcave detare ruse në Arktik, Lindjen e Largët, Detin e Zi, atë Baltik dhe Kaspik, që i cilësoi si zonat më strategjike të oqeaneve botërore. Perandori “Aleksandër i 3” është pjesë e një seri të re nëndetësesh, Borei, gjenerata e parë e prodhuar që prej Luftës së Ftohtë.

    Muajin e kaluar Ministria e Mbrojtjes tha se mjeti kishte testuar me sukses një raketë balistike ndërkontinentale, me kapacitet bërthamor.

    Sakaq, Krasnoyarsk i përket serisë së nëndetëseve shumëfunksionale Yasen, të pajisura me raketa me rreze të gjatë e precizion të lartë të cilat sipas Putin mund të godasin objektivë detare dhe tokësorë.

    Numri një i Kremlinit, i cili shpalli kandidaturën për një mandate të ri presidencial, ka folur vazhdimisht për potencialin e gjeneratës së re të armatimeve të Rusisë, veçanërisht sistemet bërthamore, dhe vlerën e tyre si masë mbrojtëse ndaj Perëndimit. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark