×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Qindra punëtorë rrezikojnë të largohen nga puna në Telekom

    Insajderi
    12 November 2022 - 23:03

    Qindra punëtorë të Telekomit të Kosovës rrezikojnë të largohen nga puna. Arsye për këtë është se menaxhmenti i Telekomit ka zbuluar se të njëjtit kanë deklaruar rrejshëm, pasi që njëkohësisht punojnë ose mbajnë aksione në kompani private, që sipas rregullores së Telekomit përbën shkelje.

    Kështu kanë bërë të ditur burime të “IndekOnline”, brenda Telekomit.

    Në anën tjetër një nga të punësuarit në Telekom, veprimet e menaxhmentit i quan të kundërligjshme. “Është e kundërligjshme që të deklarohemi se ku punojmë. Ne kemi të drejtë me ligj t’i mbajmë dy punë primare dhe sekondare”, ka thënë në kushte anonime një nga punëtorët e Telekomit.

    “IndeksOnline” ka siguruar edhe dokumentin, ku një punëtor i Telekomit kishte deklaruar se nuk mbanë asnjë pozitë tjetër, përveç asaj në Telekom. Ndërsa në realitet, sipas hulumtimeve nga menaxhmenti i Telekomit punëtori është dërguar në komision disiplinor për falsifikim të dokumentit.

    Ky fenomen është konfirmuar edhe nga Ushtruesi i Detyrës për Relacione me Publikun, Fadil Lepaja, i cili ka thënë për “IndeksOnline”, se punëtorët të cilët kanë bërë deklarata të rrejshme, janë ftuar të dalin para komisionit disiplinor.

     Ai ka thënë se konform autorizimeve, Autoriteti Përgjegjës gjatë periudhës 10.10.2022 deri më 20.10.2022 ka identifikuar të gjithë punonjësit, të cilët në deklaratat e tyre kanë fshehur informacione, përkatësisht kanë bërë deklarimit të rrejshëm. Ndërsa thekson se sipas rregullores, deklarimi i rrejshëm, përbën shkelje të rëndë disiplinore duke mos përjashtuar se deklarimi i rrejshëm paraqet edhe vepër penale.

    “Në bazë të raportit për procesin e deklaratave dhe interesave private të punonjësve të TK-së, ky autoritet deri më tani ka plotësuar mbi 50 raporte për paraqitje në komision disiplinor, për deklarim të rrejshëm. Të gjithë këta punonjës të cilët do të paraqiten në komision disiplinor, do të kenë rast të sjellin dëshmi shtesë, pasi që çdo informacion i grumbulluar deri më tani është grumbulluar vetëm përmes burimeve të qasshme publike”, ka thënë ai.

    Lepaja po ashtu thekson se janë identifikuar dhe punëtorë, të cilët nuk e kanë plotësuar fare deklaratën edhe pse kanë qenë të obliguar. Andaj dhe ata do të paraqiten, para komisionit disiplinor.

     “Autoriteti Përgjegjës, po ashtu ka identifikuar të gjithë punonjësit, që nuk e kanë plotësuar fare deklaratën edhe pse kanë qenë të obliguar. Për të gjithë punonjësit të cilët nuk e kanë plotësuar deklaratën, Autoriteti Përgjegjës ka plotësuar mbi 40 raporte për paraqitje në komision disiplinor”, thotë ai.

    Sipas tij bazuar në ligjet në fuqi, Telekomi i Kosovës ka formuar komision për hartim të draft rregullores për parandalim të konfliktit të interesit. ”Për këtë draft rregullore Telekomi i Kosovës është konsultuar edhe me Agjencinë Kundër Korrupsionit deri në aprovim të kësaj rregulloreje nga Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës”, tha ai.

    Lepaja për “Indeksonline”, ka pohuar se bazuar në këtë rregullore dhe ligjet në fuqi, Telekomi i Kosovës ka emëruar si detyrë shtesë Zyrtarin për Parandalimin dhe Zgjidhjen e Konfliktit të Interesit, përkatësisht Autoritetin Përgjegjës, i cili është i autorizuar që “të mbledh dhe merr informacion nga burime të ligjshme në lidhje me interesat private të një zyrtari, përfshirë të dhëna publike ose private, informacionin e dhënë nga mediat dhe ankesat e qytetarëve sipas ligjit përkatës për mbrojtjen e informatorëve dhe sipas të gjitha dispozitave të tjera ligjore në fuqi”.

    “Autoriteti Përgjegjës gjatë kryerjes së detyrave të tij të obligueshme, në bashkëpunim me departamentet tjera ka formuar grupe punuese në të gjitha regjionet. Këto grupe kanë pas për detyrë grumbullimin dhe regjistrimin e të deklaratave në format elektronik e të gjithë të punësuarve në Telekomit të Kosovës. Në të ardhmen e afërt, ky autoritet do të vazhdojë proceset më tutje për: – Identifikim të konfliktit të interesit në dukje, – Identifikim të konfliktit të interesit të drejtpërdrejtë, -Identifikim të papajtueshmërisë sipas rregullores dhe ligjeve në fuqi”, tha Lepaja. 

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    25 February 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark