Insajderi
Op-Ed

Raportet e afërta me shtetin kroat – si dështoi zyra që udhëhiqet nga Martin Berishaj i GEN-it në Beograd në rastin e kosovarit të arrestuar me urdhër të Serbisë

Insajderi
19 August 2026 - 15:41
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Raportet e afërta me shtetin kroat – si dështoi zyra që udhëhiqet nga Martin Berishaj i GEN-it në Beograd në rastin e kosovarit të arrestuar me urdhër të Serbisë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një shtetas i Kosovës, nga rajoni i Ferizajt, është arrestuar në Kroaci në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, nën dyshimin për krime lufte gjatë luftës në Kosovë. Për rreth dy javë pas arrestimit, rasti nuk ishte bërë publik nga institucionet kosovare. Ndërkohë, Gjykata e Qarkut në Dubrovnik ka caktuar paraburgim ndaj shtetasit kosovar, ndërsa tashmë kanë nisur procedurat që mund të çojnë drejt ekstradimit të tij në Serbi.

Gazeta Insajderi

Gazeta Insajderi ka mësuar se personi i arrestuar është Bajram Bajrami, 49-vjeçar, nga Nerodimja e Poshtme.

Bajrami është arrestuar në pikën kufitare Karasovici, gjatë hyrjes në Kroaci. Autoritetet kroate kanë konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL Beograd, më 29 prill 2024.

Sipas autoriteteve kroate, Serbia e kërkon Bajramin nën dyshimin se gjatë luftës në Kosovë, në fund të viteve ’90, ka kryer krim lufte ndaj popullsisë civile.

Bajrami po udhëtonte me një veturë Audi A6 me targa gjermane kur u ndalua në kufi. Pas verifikimit të të dhënave, ai u arrestua dhe u dërgua para gjyqtarit në Gjykatën e Qarkut në Dubrovnik.

Gjykata ka vendosur që ai të mbahet në paraburgim për qëllim të procedurës së mundshme të ekstradimit.

Megjithatë, ekstradimi ende nuk është vendosur. Serbia ka afat 40 ditë për t’ia dorëzuar gjykatës kroate dokumentacionin me të cilin mbështetet kërkesa për ekstradim.

Sipas burimeve të medias kroate, Bajrami i ka mohuar akuzat e ngritura nga Serbia dhe ka dhënë versionin e tij për rastin.

“Raportet e mira” me Kroacinë

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka deklaruar më herët se Kosova ka raporte të mira me institucionet kroate.

“Komunikimet e rregullta që ka Ambasada jonë në Zagreb me Zyrën e Presidentit kroat, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë si dhe Parlamentin kroat… janë dëshmi se Kosova e ka Kroacinë dhe popullin kroat mik të dëshmuar”, pati deklaruar Berishaj.

Por, në rastin e Bajramit, mbetet e paqartë se çfarë veprimesh konkrete ka ndërmarrë Ambasada e Kosovës në Zagreb pas arrestimit të tij dhe nëse ka ofruar asistencë konsullore.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zyrës së ambasadorit Martin Berishaj, lidhur me arrestimin e Bajramit, veprimet e ndërmarra nga institucionet kosovare dhe asistencën që i është ofruar të arrestuarit.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, MPJD-ja dhe Ambasada e Kosovës në Kroaci nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, procedura gjyqësore në Kroaci pritet të vazhdojë pas dorëzimit të dokumentacionit nga autoritetet serbe, mbi bazën e të cilit do të shqyrtohet edhe kërkesa për ekstradimin e Bajramit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark