×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Raporti zyrtar i Policisë: Dy tifozë janë në mbajtje, tre janë liruar

    Insajderi
    04 April 2022 - 11:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar pesë tifozë dhe janë duke u mbajtur sipas procedurave pas incidentit të së dielës në ndeshjen Gjilani – Ballkani, ndeshje e cila u desht të ndërpritet për shkak të sulmit që tifozët e skuadrës vendëse ia bënë portierit të Ballkanit, Stivi Frashërit, shkruan Insajderi.

    Në raportin e 24 orëve të fundit, Policia ka njoftuar se në mbajtje ishin dërguar pesë persona, tre prej tyre janë liruar dhe dy të tjerë po vazhdojnë të qëndrojnë në mbajtje.

    “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm. Stadiumi i Qytetit, Gjilan, 03.04.2022-15:20. Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën si më lartë, me ç‘rast njëri prej tyre dyshohet se e ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull shtetas i Shqipërisë. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti pas pranimit te tretmanit mjekësor në Emergjencë është liruar. Me vendim te prokurorit pas intervistimit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia e Kosovës.

    Insajderi mbrëmë ekskluzivisht raportoi për arrestimin e Fidan Robellit, i cili dyshohet se ka sulmuar portierin Frashëri.

    Fidan Robelli, është vëllai i drejtorit të SC Gjilanit, Sevdail Robellit.

    Portieri shqiptar i Ballkanit u godit me shqelm në kokë nga një tifoz-huligan, me ç’rast mbeti pa vetëdije dhe u dërgua në spital, ndërsa në orët e mbrëmjes është liruar në shtëpi.

    Tifozët e Gjilanit pushtuan fushën e gjelbër në momentin kur skuadra e tyre barazoi rezultatin në 1:1 pas golit të portierit Enea Koliçi.

    Ata, krahas festës, e shfrytëzuan rastin për ta sulmuar portierin Frashëri.

    Mbetet të shihet se si do të jetë vendimi i Komisionit të Garave të FFK-së në lidhje me këtë ndeshje e cila nuk përfundoi. /Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark