×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Recidivist i krimeve” – Krejt çka thuhet në dosjen e hetuesisë për biznesmenin Haziz Tafaj

    Insajderi
    05 December 2021 - 21:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Denoncimin e Policisë, Departamentit të Krimeve ekonomike për të cilin po flet Fantinell, e ka siguruar InDoks. Është një kallëzim penal që vetëm përshkrim përmban mbi 20 faqe, derisa i janë bashkangjitur dosjes edhe dhjetëra dokumente e deklarata- një dosje voluminoze.

    Në këtë dosje që është deponuar në Prokurori, Policia e Kosovës gjen që madje dhe paratë e subvencioneve për vreshta që janë marrë në emër të AgroKosovës, Qeveria ia kishte derdhur Haziz Tafajt në një xhirollogari që nuk ishte e kësaj kompanie të privatizuar, por një kompani tjetër e të njëjtit. Në këtë rast, në xhirollogarinë e firmës tjetër të tij, QMI-së, janë deponuar në emër të subvencioneve të shtetit e për nevojat e AgroKosovës.

    Në faqen 14 të dosjes së hetuesisë thuhet që në këtë xhirollogari nga subvencionet janë pranuar mbi 1.3 milionë euro.

    Në dosjen e hetuesisë, janë evidentuar së paku 6 situata që i përshkruhen Haziz Tafajt si keqpërdorime serioze, për çka edhe u kallëzua në Prokurori. Në një pjesë i referohen si recidivistë i krimeve.

    Pas asaj me subvencionet bujqësore, hetuesit rëndësi i kanë dhënë rimbursimit të parave nga ATK-ja. Hetuesia e Policisë thotë në këtë dokument që Haziz Tafaj, rrejshëm i ka mashtruar zyrtarët e ATK-së dhe në emër të AgroKosovës ka përfituar nga ky institucion afro 600 mijë euro rimbursim, e që i kanë kaluar në një xhirollogari që nuk ishte e këtij biznesi, por e QMI-së.

    InDoks e pa pyetur ATK-në se si kanë vepruar pas këtij rasti, por të njëjtit nuk kanë komentuar.

    Në anën tjetër ndryshe deklarohet GjonFranko Fantineli.

    “Haziz Tafaj, pas falsifikimit të Statutit të Kompanisë, ka njoftuar të gjitha institucionet, bankat, zyrat e TVSH-së, zyrat e ministrive dhe QMI-ja ka hapur një llogari rrjedhëse në Bankën TEB me emrin: QMI – Agrokosova. Të gjitha pagesat janë mbledhur nga QMI (p.sh., shpronësimi i tokës për ndërtimin e autostradës, kontributet bujqësore, arkëtimet e TVSH-së etj.)”, ka thënë Fantineli.

    InDoks për krejt akuzat që në intervistë ia bënë GjanFranko Fantinell Haziz Tafajt, e ka kontaktuar këtë të fundit për ti komentuar. Në vend të prononcimit, një avokat i tij ka dërguar një përgjigje me shkrim.

    “Pretendimet e ngritura në intervistën e z. Fantinel janë tani më pretendime të konsumuara, sepse të njëjtat ishin objekt shqyrtimi në gjykatat kompetente e për të cilat gjykatat e të gjitha instancave në Kosovë kanë vendosur në mënyrë meritore. Ngase gjykatat për çështjen kanë vendos meritorisht , Ligji për Avokatinë dhe Kodi i Etikës nuk lejon të komentohen Vendimet përfundimtare të gjykatave. Askush nuk e ka të drejtën të mbivendos në çështjet gjyqësore RES JUDICATA. Në kontekst të kësaj, askush nuk e ka të drejtën të krijon opinione ndryshe nga arsyetimet ligjore të cilat i kanë dhënë gjykatat e të gjitha instancave”, thuhet në përgjigjen e avokatit të Haziz Tafaj.

    Në dosjen e Policisë së Kosovës është evidentuar edhe diçka tjetër në rastin kur po e hetonte Haziz Tafajn. Ata tregojnë që ndaj tij është ushtruar kallëzim penal nga hetues në Prishtinë se në tri raste të ndryshme në xhirollogari në emër të shpronësimit të pronave ka pranuar mbi 600 mijë euro nga Qeveria e Kosovës.

    Edhe hetuesit e Policisë së Kosovës kishin hetuar pistën e ndryshimit të aksioneve në Agjencinë e Bizneseve. Se si u bë që Haziz Tafaj nga aksionar i vogël, të përfundoi në aksionarin e madhe të AgroKosovës.

    Në këtë dokument thuhet se Hetuesia dyshon se ai e ka falsifikuar nënshkrimin, e atëherë, aksionarit të madh, GjanFranko Fantinell, dhe nga aksionar me 30 %, përmes proceseve gjyqësore, ka arritur që të bëhet aksionar me mbi 80 % të aksioneve në AgroKosovë.

    InDoks e ka pyetur AKP-në për këtë situatë. Në AKP thonë që me miratim të tyre në vitin 2011 situata e aksioneve ka qenë që Fantinell është aksionar me 70 %, derisa firma e Haziz Tafajt, QMI-ja, me 30 % të aksioneve. Se cka ka ndodhur tutje nëpër gjykata, se si u bë që Tafaj të bëhet aksionari më i madh në firmë, ata thonë që nuk i komentojnë vendimet e Gjykatave.

    Në dosjen e Policisë së Kosovës që e posedon InDoks, e që janë evidentuar provat me të cilat hetuesit ngrenë dyshime për një seri krimesh të kryera nga Haziz Tafaj, një gjë vërehet shpesh. Ata evidentojnë që rastet penale ndaj këtij biznesmeni përfundojnë me pushim hetimesh. Pjesë e mirë e këtyre rasteve kanë qenë duke u hetuar në Prokurorinë e Prizrenit.

    InDoks e ka pyetur Kryeprokurorin aktual të kësaj prokurorie, Admir Shala, i cili në një përgjigje tregon atë që tashmë dihet që lëndët kanë përfunduar me pushim të hetimeve, pasi që lëndët kanë arritur kohën e vjetërsimit. Por, asnjë shpjegim se si u lanë që të vjetërsoheshin. Madje nuk është përgjigjur edhe nëse janë hetuar brenda për brenda institucionit prokurorët që janë marrë me hetimin e rasteve të Haziz Tafajt, që përfunduan me pushim të hetimeve.

    Por, ai ka konfirmuar se tash për tash, bazuar në një kallëzim penal të deponuar nga një avokat, ndaj Haziz Tafajt dhe dy personave të tjerë është një lëndë në punë në Prokurorinë e Prizrenit.

    InDoks për këto lëndë ka pyetur edhe zyrën e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    InDoks | Mashtrimi i madh – Dokumentari i plotë:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark