×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Rikthehen objektet e rrënuara në Prevallë – Pas raportimit të Insajderit, aktivizohet Inspektorati i Mjedisit

    Insajderi
    24 November 2022 - 14:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjatë ditës së mërkurë, janë rikthyer disa kioska në zonën e Parkut Nacional të Sharrit, në Prevallë. Ato ishin rrënuar vite me parë nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit sepse nuk kishin leje ndërtimi.

    Gazeta ka sjell imazhe ekskluzive të rikthimit të tyre në Prevallë.

    Pas raportimit të djeshëm të Gazetës Insajderi, Divizioni i Inspektimit te Infrastrukturës Rrugore është aktivizuar.

    Ky division, ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim do të dalin në teren dhe të ndërmarrin masa sipas legjislacionit në fuqi.

    Nga kjo ministri thotë se nuk kanë qenë në dijeni për rikthimin e tyre.

    Gjate ditëve ne vijim do te dalim ne teren se bashku me inspektoret e ambientit dhe mjedisit qe te shohim gjendjen ne teren dhe te ndërmarrim masa sipas legjislacionit ne fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Ende nuk dihet se kush i ka rivendosur kioskat te cilat ishin rrënuar në vitin 2019 nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit. Ato nuk kishin leje të ndërtimit. Vendimi për rrënimin e tyre ishte marr në vitin 2013 por ishte zbatuar në 2019-tën.

    Banorët

    Kundër rrënimit të tyre kishin dal pronarët e këtyre kioskave. Në kohën kur ishin rrënuar kioskat, në vitin 2019, pronarët kishin protestuar sepse sipas tyre me to po e mbajnë familjen dhe po e fitojnë bukën e gojës.

    “Kam 10 anëtarë të familjes. Këtu kam jetuar. Fëmijët nuk janë të punësuar. Askund nuk punojnë. Tre nga fëmijët shkojnë në shkollë. S’kam çfarë të bëj. Nuk kam pension. Burri më ka vdekur. Si të jetoj nuk e di as unë. Dhe si të shpërngulem nga këtu? Ku të shkoj? Nuk kam asnjë të drejtë. Çka tjetër t’ju them, nuk kam punë, nuk kam asgjë, me çfarë të jetoj unë? Ku të shkojmë, le të na japin të drejtën dhe ne do të shkojmë nga këtu, por kurrfarë të drejte nuk kemi këtu. Si të jetojmë, me çfarë të jetojmë”, kishte thënë në vitin 2019 Bajrie Bajrami për KTV-në. Ajo ishte shitëse në kioskë.

    Arrestimet

    Lidhur me rrënimin e këtyre kioskave por edhe disa objekte tjera ishte arrestuar edhe Bedri Halimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me vendimin e ministrit të MMPH-së Nr.34/13 të datës 15 nëntor 2013, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional, në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e ka përmbushur.

    Bedri Halimi i cili ishte akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare ishte liruar në muajin prill të këtij viti.

    Lirimin e tij për Insajderi e ka konfirmuar avokati i tij Haxhi Millaku, teksa shtoi se i është zëvendësuar masa.

    “Po Bedri Halimi, i cili dyshohet për veprën penale sipas aktvendimit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt i është ndërpre masa e ndalimit dhe i është zëvendësu me masën e mos-afrimit të personave dhe vendeve të caktuara, nga data e sotit”, ka thënë avokati i Halimit për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark