
“Ushtria” e kreut të shtetit po shkon duke u rritur. Siç duket tashmë ka arritur në tre ushtarë. Pas analistëve të njohur për qëndrimet e forta pro Albin Kurtit, Sadri Rambaja dhe Xhevdet Pozhari, dëshirën për të veshur uniformën e FSK’së e ka shprehur edhe militanti i Vetëvendosjes, Bleron Baraliu.
Në një shkrim të gjatë në Facebook, ndër të tjera, Baraliu tha se është ushtar i Albin Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës.
Tutje, ai tha se është i gatshëm edhe si argat për të sfiduar agresioni serbo-rus.
“KM i kam thënë përballë, por po e shënoj edhe këtu për të hequr krejt mëdyshjet e mundshme: përderisa Albini vazhdon të ruaj një qëndrim dhe pozicion të këtillë parimor demokratik, të guximshëm, dhe patriotik, unë jam ushtar i tij dhe qeverisë së Kosovës dhe kurdo mund të më thërrasin që t’i shërbej vendit e kombit në çfarëdo roli a akti modest që i shkon përsipër kapaciteteve të mia të kufizuara. Pra, edhe në qoftë nevoja si argat që ngre çerren mbi lumin Ibër sa për të thyer kufijtë artificialë e sfiduar agresionin serbo-rus, aty jam“, ka shkruar Baraliu.
Kujtojmë se, një muaj më parë Xhevdet Pozhari me një gjuhë thuajse militanteske, ka akuzuar të gjithë kundërshtarët e Kurtit si “tuxhar” të lirisë të veshur me petkun e politikanit.
Tutje, Pozhari tha se është ushtar i Kurtit.
“Në këtë shtet ka ende njerëz që vdesin për këtë vend. Pavarësisht se lirinë e gëzojnë disa matrapazë, dilingji, pezevengë me kollare. Përballë Serbisë, unë jam veç një prej ushtarëve të kryeministrit të shtetit tim. Asgjë më shumë, as më pak!” – theksoi Pozhari.
Disa muaj më parë, Sadri Ramabaja u pyet në një intervistë se si do të vepronte nëse në Kosovë përsëritet lufta e Ukrainës.
Ramabaja përgjigjet shpejt, duke thënë se do të ishte ushtar i një rezistencë të organizuar shtetërore.
“Do të bëhem ushtar. Ushtar i thjeshtë. Do të jetë rezistencë e organizuar shtetërore”, thekson Ramabaja.