×
  • Lajme
  • Insajderi

    Rritet numri i pjesëtarëve që e braktisën Forcën e Sigurisë

    Insajderi
    19 December 2022 - 12:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Forca e Sigurisë së Kosovës është duke u përballur me rritje të vazhdueshme të largimit të pjesëtarëve nga shërbimi si ushtarë. Dy muaj pasi Gazeta Insajderi ka publikuar dokumentin me statistika që tregojnë shifrat enorme të pjesëtarëve të larguar me vet dëshirë, kjo shifër ka vazhduar të rritet. Sot, në komisionin për për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku raportoi ministri Armend Mehaj e zyrtarë tjerë të Forcës së Sigurisë, e kanë konfirmuar se mbi 120 ushtarë janë larguar tashmë nga ky institucion

    Në Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, sot ministri Armend Mehaj ka raportuar për gjendjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe situatën brenda FSK-së.

    Aty është konfirmuar se numri i pjesëtarëve që janë larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës është rritur dukshëm, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gazeta ka raportuar para dy muajsh se demobilizim me vet dëshirë kishin kërkuar 70 ushtarë, derisa numri i gjithë ushtarëve të larguar tashmë ka arritur në mbi 120 pjesëtarë.

    Fillimisht anëtari i këtij komisioni nga PDK-ja, Rashit Qalaj e ka pyetur ministrin Mehaj se sa është numri largimit të ushtarëve nga FSK.

    “Gjatë këtij viti kemi pasur një brengë të gjithë anëtarët e komisionit për largimin e pjesëtareve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës. E di që në baza mujore përafërsisht 16 janë larguar nga FSK dhe ndër arsyet kryesore ka qenë çështja e pagave”, tha Qalaj.

    Zyrtarja e FSK-së ka treguar se gjatë këtij viti nga FSK janë larguar 127 ushtarë, pa përfshirë këtu ushtarët që kanë dalë në pensionim.

    Qalaj ka pyetur Mehajn nëse koeficienti për ushtarët me ligjin e ri të pagave, do të ndikoj kjo në mos largimin e ushtarëve të FSK-së.

    Mehaj iu përgjigj duke thënë se “kemi shikuar sesi të rriten më shumë pagat për pjesëtarët dhe më së paku për oficerët më lartë”.

    Anëtari i këtij komisioni nga LDK, deputeti Anton Quni ka thënë se largimi i 127 ushtarëve është alarmues.

    “Është numër alarmues largimi i 127 pjesëtareve nga FSK. Nuk dua ta fajësoj ministrinë, por duhet të jetë shqetësim i joni i përbashkët dhe duhet të punojmë së bashku që të identifikojmë arsyet e largimit të tyre”, ka thënë Quni.

    Sipas burimit të gazetës brenda ushtrisë, disa nga arsyet e largimit janë kushtet e rënda brenda FSK-së dhe aplikimi i tyre për viza.

    Derisa këtë vit janë larguar 127 ushtarë, një vit më parë, 2021 sipas statistikave të siguruar nga Insajderi, janë larguar 50 ushtarë.

    Në vitin 2020 dhe 2019 ka një numër më të vogël të Demobilizimit me vet dëshirë. Sipas statistikave në vitin 2020 janë larguar 19 ushtarë, ndërsa në vitin 2019, 38 pjesëtarë. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark