Përfundon në javën e 6 seria e fitoreve për Interin, që është dorëzuar në shtëpi përballë Sassuolos, pasi ka humbur me përmbysje me rezultatin 1-2. Simone Inzaghi propozoi të njëjtin formacion me të cilin fitoi derbin, por përveç entuziazmit të minutave të para, u pa shumë pak nga cilësia me të cilën na kanë mësuar në këto javë të para.
Në këmbët e Lautaro Martinez rëndonin minutat e shumta në këtë fillim sezoni, ndërsa dëshira e Thuram nuk mjaftonte për të bërë diferencën. Por përtej të gjithave, Interi ia doli të gjejë golin e avantazhit në fundin e pjesës së parë me anë të holandezit Dumfries, që bëri gjithçka mirë në zonë dhe mposhti Consiglin me një goditje perfekte me të majtën.
Pjesa e dytë nisi vrullshëm për Sassuolon, që gjeti golin e barazimit me anë të Nedim Bajramit në minutën e 533-të. Fantazisti shqiptar shënoi me një goditje të bukur brenda zonës dhe festoi me shqiponjë, teksa konfirmoi edhe njëherë shansin e shqiptarëve për të gjetur golin në “San Siro’.
NEDIM BAJRAMI SCORES AGAINST INTER https://t.co/2uWiiTeTXj
— Kuq e Zi 🇦🇱⚽️ (@KuqeZiFootball) September 27, 2023
Vetëm 8 minuta më pas ishte Berardi që shënoi edhe golin e përmbysjes për Sassuolon, me një goditje spektakolare nga jashtë zone, që shtangu zviceranin Yann Sommer.
Minutat e mbetura zikaltrit bënë përpjekjet e dëshpëruara për të gjetur golin e barazimit, teksa rastin më të mirë e pati Frattesi, që e zgjidhi shumë keq, ndonëse i vetëm me portierin.
Vërshëllima finale e arbitrit sinjalizoi një tjetër fitore të madhe të Sassuolos, vetëm tri ditë pasi mposhti Juventusin në “Mapei Stadium”, por edhe humbjen e parë sezonale të Interit, që kthehet me këmbë në tokë, pas startit perfekt të kampionatit.