×
  • Lajme
  • Insajderi

    Shefi i ri i KQZ-së kishte liruar të akuzuarin për krime lufte në Pejë

    Insajderi
    14 June 2021 - 17:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kreshnik Radoniqi kryesonte trupin gjykues në Gjykatën Themelore në Pejë, i cili më 8 mars të vitit 2019 liroi nga akuzat për krime lufte Milorad Zajiqin, të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzonte për pjesëmarrje në sulmet kundër popullatës civile shqiptare më 1998.

    Gjyqtari, i cili me vendim të presidentes Vjosa Osmani u emërua sot në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kishte hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë ndaj Zajiqit.

    Gjatë shqyrtimit kryesor të rastit ishin dëgjuar njëmbëdhjetë (11) dëshmitarë të propozuar nga prokuroria, të cilat kanë dëshmuar për ngjarjet të cilat kanë ndodhur në fshatin Dush gjatë muajit qershor dhe korrik të vitit 1998. 

    Por, në arsyetimin e aktgjykimit, Radoniqi, në cilësinë e kreut të trupit gjykues, kishte theksuar se deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar në shqyrtimin kryesor kanë qenë kundërthënëse mes vete lidhur me rolin e të pandehurit në këto sulme.

    Milorad Zajiq ishte arrestuar në mars të vitit 2018, në Stacionin e Policisë në Klinë, pasi kishte shkuar për t’u informuar për një vjedhje që i kishte ndodhur.

    Kreshnik Radoniqi është emëruar sot kryesues i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas lirimit nga detyra të Valdete Dakës.

    Vendimin e mori presidentja Vjosa Osmani. Përmes një komunikate për media, Zyra e Presidentit e ka bërë sot të ditur vendimin.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit”, thuhet në njoftim.

    Presidenca njofton se “kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike.” /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark